Disa njohuri rreth varësisë ndaj lojërave të fatit - bixhozit

Disa njohuri rreth varësisë ndaj lojërave të fatit - bixhozit

19:06, 19/01/2023 Nga Shaban Mecinaj

Shkruan:  Shaban Mecinaj / PSIKIATER 


Varësia nga bixhozi, e njohur edhe si bixhozi kompulsiv ose ludopatia, është një çrregullim varësie që i referohet nxitjes kompulsive për të luajtur bixhoz. Bixhozi është kur diçka me vlerë rrezikohet me shpresën për të fituar diçka me vlerë më të madhe. Kjo shpesh përfshinë paranë si valutë, por mund të përfshijë edhe të mira tjera materiale ose prona. Varësia ndaj bixhozit ëshë përcaktuar si crregullim mendor edhe zyrtarisht në Klasifikimin Ndërkombëtar të Sëmundjeve – ICD - 10 dhe në Manualin Diagnostik dhe Statistikor - DSM-V.
- Format e zakonshme të bixhozit përfshijnë:
• Lojra lotarie si; LOTTO 6/49 ose LOTTO MAX.
• Lojëra të çastit si letra gërvishtjeje.
• Lojërat Bingo në formë të biletave.
• Baste sportive.
• Lojëra me zare.
• Lojëra kazinoje si; slot machines dhe lojëra tavoline.
• Lojëra me letra etj.
- Industria e bixhozit dhe krijimi i varësisë?
Sjellja e bixhozit dhe varësia shpesh janë mundësuar dhe përjetësuar nga vetë industria e bixhozit. Për shembull, reklamat e bixhozit përdoren si një mjet për të tërhequr bixhozçinj të rinj dhe të qëndrueshëm në një gamë të gjerë platformash si; marketingu online, media sociale, televizioni, reklamat e gazetave, tabelat e reklamave dhe sponsorizimi. Si pasojë, shikuesi i reklamave mund të inkurajohet për t'u angazhuar në bixhozin online me një klikim të disa butonave. Përveç kësaj, faqet e bixhozit online e bëjnë shumë të lehtë regjistrimin dhe depozitimin e fondeve, ndërsa e bën shumë më të vështirë tërheqjen e fitimeve. Kazinotë shpesh u japin mundësi bixhozçinjve të nxiten e të shpërqendrohen më tepër, si për shembull, krijimi i një atmosferë joshëse, muzikë me zë të lartë dhe ambiente të errësuara.
- Bixhozi krijon varësi sikur droga?
Varësia ndaj bixhozit mund të veprojë në mënyrë shumë të ngjashme me varësinë ndaj drogës. Në të dyja rastet, rruga e shpërblimit në tru mund të stimulohet, duke krijuar një ndjenjë kënaqësie. Në mënyrë më specifike, stimulimi i këtij shtegu (rruge) shpërblimi shkakton lirimin e një lajmëtari kimik të quajtur dopamina, i cili çon në një ndjenjë euforike. Llojet e bixhozit që mundësojnë lojë të lehtë dhe të shpejtë, në veçanti me bastet me shanse fikse, mund të jenë gjithashtu addictive (varësuese).
Krijimi i perceptimit se individi ndodhet 'afër fitorës', e të cilat në fakt janë humbje të maskuara si një fitore, gjithashtu emocionojnë rrugën e shpërblimit në tru. Së fundi, bixhozçijtë mund të krijojnë një tolerancë, duke i bërë neuronet e trurit të përshtaten dhe të prodhojnë më pak dopaminën në përgjigje të kësaj sjelljeje. Megjithatë, është e rëndësishme me e ditë se jo të gjithë individët që luajnë bixhoz do të zhvillojnë varësi ndaj bixhozit.
- Faktorët e rrezikut për varësinë ndaj bixhozit?
Disa faktorë mund të rritin rrezikun e varësisë nga bixhozi, duke përfshirë faktorët biologjikë, gjenetikë dhe mjedisorë. Disa karakteristika të personalitetit, si konkurrueshmëria, impulsiviteti dhe ankthi mund të ndikojnë edhe në rritjen e rrezikut të varësisë ndaj bixhozit. Edhe individët me një pjesëtar të familjes që ka një problem me bixhozin, ka më shumë të ngjarë të përfshihen në një sjellje të tillë. Për më tepër, bixhozi mund të shoqërohet me disa çrregullime të shëndetit mendor, si abuzimi me substancat, depresioni, ankthi dhe çrregullimet e personalitetit.
- Shenjat e varësisë ndaj bixhozit?
Shenjat e varësisë nga bixhozi përfshijnë bixhozin e tepërt, preokupimin, gënjeshtrën dhe ndryshimet në mënyrën e jetesës. Shpesh, varësia ndaj bixhozit përshkruhet si një varësi e heshtur. Një bixhozçi mund të përdorë bixhozin për të përballuar problemet ose streset personale. Në disa raste, individët mund të kenë më shumë gjasa të kryejnë krime të tilla, si vjedhja, në mënyrë tipike në përpjekje për të siguruar sa më shumë para për të luajtur bixhoz. Kur përpiqen të pakësojnë bixhozin, individët ndihen keq dhe mund të përjetojnë shenja tërheqjeje, si depresioni, pagjumësia, ankthi dhe acarimi. Prandaj është e rëndësishme që familja dhe miqtë të jenë vigjilentë mbi këto shenja, nëse dyshohet se individi është i varur nga bixhozi.
- “Karriera e bixhozit" mund të ndahet në tri faza: fitimi, humbja dhe dëshpërimi.
Faza e fitimit
• bixhoz sporadik.
• fitore më të mëdha ose disa fitime më të vogla.
• emocione pozitive para dhe gjatë lojës.
• optimizëm jorealist.
• gjithnjë e më shumë lojëra.
• bixhoz për shuma më të mëdha parash.
Faza e humbjes
• humbje e shumave të mëdha të parave.
• tentim i mbulimit të humbjeve “me fitimet”.
• luajtja e shpeshtuar.
• te menduarit më shpesh për lojën.
• mbulimi i dështimeve dhe gënjeshtrat për humbjet e vërteta.
• lënia pas dore e familjes dhe e miqve.
• luajtja gjatë orarit të punës.
• huamarrja e parave nga kushdo.
Faza e dëshpërimit
• vonesa në shlyerjen e borxhit.
• ndryshime në strukturën e personalitetit: acarim, agjitim, çrregullime të gjumit.
• tërheqje e plotë nga jeta shoqërore.
• tërheqje e plotë nga familja dhe miqtë.
• humbja e gjendjes shoqërore dhe e reputacionit.
• përdorimi i mënyrave të paligjshme për të fituar para.
• ndihen të pashpresë, dhe në rrezik për vetëvrasje (ose përpjekje).
- Si diagnostikohet varësia nga bixhozi?
Varësia nga bixhozi mund të diagnostikohet nga një mjek ose një profesionist tjetër i shëndetit mendor duke vlerësuar zakonet e bixhozit, historinë mjekësore dhe gjendjen e shëndetit mendor të tij. Gjithashtu, një vlerësim psikiatrik duhet të kryhet për të vlerësuar gjendjen e shëndetit mendor dhe për të përcaktuar nëse ndonjë gjendje e ndryshuar e shëndetit të tij mendor mund të jetë duke kontribuar në bixhozin e tepërt.
- Si trajtohet varësia ndaj bixhozit?
Trajtimi për varësinë ndaj bixhozit fillon me individin që e pranon çrregullimin e tij. Kjo mund të jetë një nga pjesët më të vështira të trajtimit të bixhozit, pasi shpesh është shumë e vështirë për bixhozçinjt të pranojnë se kanë një problem. Në disa raste, medikamentet që trajtojnë çrregullimet mendore, si antidepresantët ose stabilizuesit e humorit, mund të ndihmojnë në pakësimin e sjelljeve të bixhozit. Trajtimi afatgjatë për të kapërcyer varësinë ndaj bixhozit shpesh përqendrohet në ndryshimet e sjelljes dhe mbështetjen psiko-terapeutike. Shpesh, terapia e sjelljes ose terapia kognitive dhe e sjelljes mund të jenë të dobishme. Terapia e sjelljes përdor ekspozimin sistematik ndaj sjelljeve të bixhozit në përpjekje për të pakësuar nxitjet. Terapia kognitive dhe e sjelljes fokusohet në zëvendësimin e sjelljeve dhe besimeve jo të shëndetshme me ato të shëndetshme dhe pozitive. Gjithashtu mund të jenë të dobishme edhe grupet ndihmëse, si Bixhozçinjët anonimë. Është e rëndësishme të dijmë se pavarësisht nga trajtimi, prapëseprapë mund të ekzistoj rreziku i përsëritjes së sjelljes në raport me bixhozin, sidomos nëse u ekspozohemi bixhozçinjve të tjerë ose mjediseve të bixhozit.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco