Përballë vështirësive gjithnjë e më të mëdha për të transferuar Julián Álvarez-in, Barcelona ka intensifikuar kontaktet për João Pedron e Chelsea-t, i cili tashmë konsiderohet objektivi kryesor i klubit katalanas, sipas “Mundo Deportivos”.
Sulmuesi argjentinas i Atlético Madridit ishte dëshira më e madhe e drejtuesve sportivë dhe stafit teknik të Barcelonës për të përforcuar repartin ofensiv në sezonin e ardhshëm. Megjithatë, komplikimet e shumta për arritjen e marrëveshjes kanë bërë që drejtuesit katalanas të ndryshojnë strategji, me brazilianin João Pedro që po fiton gjithnjë e më shumë terren dhe ka marrë miratimin e plotë të drejtorit sportiv Deco.
Gara për Álvarez-in është bërë edhe më e vështirë për shkak të interesimit të madh nga Paris Saint-Germain. Sipas raportimeve, kampionët e Francës janë të gatshëm të ofrojnë mbi 100 milionë euro për kartonin e sulmuesit, madje duke përfshirë në operacion edhe Gonçalo Ramos dhe Kang-in Lee. Një shumë e tillë konsiderohet shumë e lartë për Barcelonën, që nuk dëshiron të hyjë në një garë financiare të tillë.
Përveç kësaj, drejtuesit e Atleticos preferojnë ta shesin Álvarez-in jashtë LaLiga-s, në mënyrë që të mos përforcojnë një rival direkt në kampionatin spanjoll.
Në këtë situatë, Barcelona po përqendrohet te João Pedro, transferimi i të cilit shihet si më i realizueshëm ekonomikisht. Operacioni mund të kushtojë rreth 70 milionë euro dhe klubi katalanas raportohet se ka nisur tashmë kontaktet me rrethin e lojtarit dhe agjentët e tij.
Braziliani pëlqehet shumë nga drejtuesit e Barcelonës dhe, sipas mediave, është i gatshëm të shtyjë për largimin nga Chelsea, sidomos nëse londinezët nuk arrijnë të sigurojnë pjesëmarrjen në kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm.
Edhe pse Álvarez mbetet emri më i preferuar i Decos, João Pedro konsiderohet një alternativë ideale për sulmin e Barcelonës, veçanërisht pas konfirmimit të largimit të Robert Lewandowski nga klubi katalanas.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: