José Mourinho ka hapur mundësinë e rikthimit te Real Madridi, por vetëm nëse plotësohen 10 kushte të qarta që ai ia ka vendosur presidentit Florentino Pérez.
Sipas mediave spanjolle, Mourinho dhe agjenti i tij, Jorge Mendes, kanë zhvilluar një bisedë me Pérez-in përmes një videothirrjeje rreth një orë, ku trajneri portugez nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare, por ka paraqitur një listë kërkesash që i konsideron “jo të negociueshme”.
Kontrata
Mourinho kërkon një kontratë dyvjeçare, me mundësi rinovimi në varësi të rezultateve, duke refuzuar çdo rol të përkohshëm në klub.
Disiplina dhe formacioni
Ai ka theksuar se askush nuk do të luajë nëse nuk respekton intensitetin dhe punën në fazën mbrojtëse, pavarësisht emrit apo statusit të lojtarit.
Stafi teknik
Portugezi kërkon të sjellë të gjithë stafin e tij aktual nga Benfica. Në të njëjtën kohë, është diskutuar edhe mundësia që Álvaro Arbeloa të jetë pjesë e stafit të tij, një ide që Mourinho nuk e ka kundërshtuar.
Me ardhjen e stafit të ri, pritet largimi i përgatitësit atletik Antonio Pintus nga klubi madrilen.
Kontrolli mjekësor
Mourinho kërkon kontroll të plotë mbi protokollet mjekësore dhe futjen e “opinioneve të dyta” për dëmtimet e lojtarëve, për të shmangur problemet fizike që kanë ndikuar skuadrën në sezonet e fundit.
Komunikimi me mediet
Ai kërkon të jetë i vetmi zë i ekipit për çështjet sportive, ndërsa për komunikime të tjera duhet të caktohet një zëdhënës i klubit.
Strukturë e brendshme
Mourinho ka kërkuar që të komunikojë vetëm me presidentin Pérez, duke shmangur ndërmjetës të tjerë drejtues në klub.
Lëvizjet në skuadër
Edhe pse nuk ka përmendur emra, ai ka kërkuar largimin e shtatë lojtarëve që nuk përshtaten me projektin e tij. Nuk përfshihen në këtë listë lojtarët që janë në përfundim kontrate si David Alaba dhe të tjerë.
Miqësoret verore
Mourinho kërkon gjithashtu reduktimin e turneve dhe miqësoreve verore në SHBA dhe Azi, duke i konsideruar të dëmshme për përgatitjen fizike dhe mendore të skuadrës.
Sipas raportimeve, këto kushte janë vendimtare: nëse Real Madrid nuk i pranon të gjitha, rikthimi i Mourinhos në “Santiago Bernabéu” nuk do të realizohet.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: