Fiorentina më në fund ka prezantuar portierin e ri, David De Gea, ai që me shumë gjasa do të jetë titullar para Terracciano. Gjatë konferencës, portieri spanjoll pati mundësinë të shpjegonte zgjedhjen që e shtyu atë të mbetej lojtar i lirë për një vit.
Kujtojmë, në fakt, që De Gea u largua nga Manchester United verën e kaluar, pas 12 vitesh duke mbrojtur portën e “Djajve të Kuq”. Pyetjes për sezonin e kaluar pa ekip, De Gea i është përgjigjur kështu: “Sezoni i kaluar ishte ndryshe. Mora vendimin të mos luaja, por e kisha të qartë se nuk doja të tërhiqesha nga futbolli. U stërvita vetëm dhe është e vështirë, por duhej të jepja 100%”.
Për transferimin e tij te klubi vjollcë, portieri spanjoll nuk pati dyshime që në fillim: “Kur më kërkoi Fiorentina i kisha idetë e qarta, pranova ofertën e këtij ekipi të shkëlqyer, me histori dhe tifozë të mrekullueshëm. Ishte një vendim shumë i lehtë”.
Në përgjigje të pyetjeve rreth kërkesave të mundshme të marra sezonin e kaluar, De Gea u përgjigj kështu: “Kam kaluar 12 vite në një klub të madh si Manchester United, i cili është ende shtëpia ime. Zemra ime do të jetë gjithmonë aty. Kam marrë oferta, por ishte e vështirë për mua të gjeja arsye për t’i vlerësuar ato, pas kaq kohësh në Manchester, kështu që vendosa të ndaloj së luajturi për një moment”.
De Gea tha se është stërvitur vazhdimisht gjatë sezonit të kaluar, fillimisht në Manchester dhe më pas në Madrid. Për gjendjen e tij është përgjigjur kështu: “Jam shumë mirë, jam stërvitur çdo ditë, këtë fundjavë kam qenë në ‘Viola Park’ dhe kam gjetur një nivel shumë të mirë. Ndoshta do të duhen ndeshjet e para për të fituar ritmin, por ndihem mjaft mirë fizikisht”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: