Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë, duke bërë thirrje për largimin e menjëhershëm të asaj që ai e cilëson si një kastë hajdutësh nga institucionet shtetërore.
Në një status në rrjetet sociale, Vasili shkruan se zyrat e shtetit, janë zaptuar nga plaçkitës dhe kusarë të çdo lloji, ndërsa vjedhjet janë bërë publike çdo ditë përmes dokumenteve dhe shkresave që faktojnë, sipas tij, grabitjen e vazhdueshme të fondeve publike.
Ai akuzon kryeministrin se largon një grup zyrtarësh të korruptuar vetëm për t’i zëvendësuar me të tjerë, të cilët i cilëson edhe më të këqij, duke shtuar se drejtimin e kësaj “ushtrie hajdutësh” e mban vetë kreu i qeverisë.
Postimi i plotë në FB:
Po, hajdutët duhet të shporren tani nga zyrat e shtetit, nesër është vonë!
Plaçkitës dhe kusarë të çdo lloji kanë zaptuar çdo zyrë shteti.
Vjedhje të çdo tipi kanë dalë sheshit me dokumente e shkresa pa fund, ku vërtetohet se rilindasit grabisin çdo ditë.
Kryeministri heq hajdutë dhe i zëvendëson me të tjerë shumë më të këqij se të parët dhe e drejton vetë ushtrinë e hajdutëve rilindas.
Kushdo hajvan i blerë nga rilindja që pyet se kush do të qeverisë pas shporrjes nga zyrat të Ramës dhe rilindjes, e ka përgjigjen: do ta vendosë populli me votë të lirë.
E sigurtë është që hajdutët më të mëdhenj të 120 viteve të fundit do të zhduken nga zyrat e shtetit.
Ndaj shqiptarët duhet të protestojnë që të largojnë ata që u rrëmbejnë çdo ditë lekët nga xhepi dhe që ju ofrojnë fukarallëk dhe mizerje.
Koha është tani!!
© SYRI.net