Një konflikt ka ndodhur në një lokal në qytetin e Lezhës, ku si pasojë dy persona kanë mbetur të lënduar. Sipas burimeve, thuhet se në konflikt është përfshirë edhe Gëzim Ndoka, vëllai i ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka.
Sipas burimeve paraprake, në ambientet e lokalit kanë hyrë rreth pesë persona të maskuar, disa prej tyre të armatosur, të cilët dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike dhe kanë kërcënuar klientët.
Njëri prej tyre, sipas dëshmive, është prezantuar si nipi i Arben Ndokës.
Gjatë incidentit, Nikolin Marku dhe një person tjetër janë goditur dhe kanë mbetur të lënduar. Marku ka akuzuar Gëzim Ndokën si të përfshirë në konflikt.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e personave të përfshirë dhe sqarimin e motiveve të konfliktit.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 12:30, në ambientet e një lokali në Lezhë, shtetasit Gj. M., 41 vjeç dhe N. M., 41 vjeç (kushërinj), dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit G. N., rreth 53 vjeç dhe K. N., rreth 20 vjeç (babë e bir).
Si pasojë janë dëmtuar shtetasit Gj. M. dhe N. M., të cilët pasi kanë marrë asistencën e nevojshme mjekësore, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit, ku kanë pretenduar se shtetasit G. N. dhe K. N. kanë qenë të armatosur.
Vijojnë kërkime intensive për kapjen e shtetasve G. N. dhe K. N., si dhe një grup i posaçëm hetimor po punon në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
© SYRI.net