'Banorët të vetëm ndaj fatkeqësisë'/ Sharra: Vlora nga zjarret te mungesa e ujit e më pas te përmbytjet, prova e paaftësisë totale së shtetit

18:00, 11/01/2026

Situata e përmbytjeve në qarkun e Vlorës mbetet alarmante, ndërsa lumi Vjosë ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Në një reagim mbi situatën, kryetari i Partisë Demokratike për Vlorën, Hysni Sharra, ka akuzuar qeverinë për neglizhencë afatgjatë dhe keqmenaxhim të krizës, duke theksuar se shkaku nuk është vetëm një fenomen natyror.

Duke folur mbi gjendjen, Sharra vuri në dukje paradoksin ironik të Vlorës, e cila vetëm pak javë më parë vuante nga mungesa e theksuar e ujit të pijshëm, ndërsa sot përballet me përmbytje masive. Sipas tij, kjo dëshmon një mungesë totale të planifikimit dhe investimeve strategjike në infrastrukturë.

Kryedemokrati vlonjat drejtoi akuza të forta ndaj zyrtarëve lokalë dhe qendrorë. Ai kritikoi ashpër deputetin e zonës, Vullnet Sinaj, i cili, sipas tij, në vend që të adresonte krizën aktuale, u përpoq të zhvendoste përgjegjësinë duke fajësuar një projekt rrugor të ndërtuar 13 vite më parë nga qeverisja e mëparshme. Në një ton sarkastik, Sharra e përshkroi situatën si pjesë të një “komploti ndërkombëtar” kundër kryeministrit Rama.

“Sovinistët grekë dërguan më shumë ujë në Vjosë, shovinistët jugosllavë në Drinin e Zi dhe Albin Kurti na mbushi me ujë edhe Drinin e Bardhë,” deklaroi ai, duke ironizuar tendencën e qeverisë për të gjetur justifikime të jashtme për problemet e brendshme. Përtej ironisë, Sharra përshkroi një realitet të rëndë në terren.

Ai tregoi se ndërhyrjet e emergjencës në urën e Mifolit dhe në argjinaturë ishin të vonuara dhe të pamjaftueshme. Sipas tij, punimet që duheshin kryer gjatë verës, kur niveli i ujit ishte i ulët, u tentuan nxitimthi gjatë kulmit të krizës, çka rezultoi në çarjen e argjinaturës pranë fshatit Bishan, duke e cilësuar gjendjen atje si “katastrofike”. Ai e quajti një “tallje” deklaratën e kryeministrit se shkak për përmbytjet ishin shishet plastike në lumenj.

Sharra theksoi se ndonëse pastrimi i mjedisit është thelbësor, është e pamundur që mbeturinat urbane të shkaktojnë një katastrofë të përmasave të tilla, duke e konsideruar këtë një problem kombëtar që kërkon zgjidhje serioze dhe jo justifikime. Si dëshmi të mungesës së shtetit, u përmend rasti i dëmtimit të rrugës që lidh fshatrat Bashaj dhe Matogjin në Bashkinë Selenicë, ku banorët u detyruan të organizohen vetë me mjetet e tyre rrethanore për të riparuar rrugën e bllokuar. Ai theksoi se kjo nuk është hera e parë që zona përballet me përmbytje të tilla, duke kujtuar situatat e rënda të viteve 2014 dhe 2017, çka tregon një model të përsëritur të dështimit të autoriteteve për të marrë masa parandaluese.

Sharra:

Po, ne jemi bërë pak a shumë si në atë serialin e famshëm televiziv italian dhe telashet s'kanë të sosur. Në qoftë se ju e mbani e mbani mend me të madhen aktore italiane Vina Lisi. Për fat të keq, kaluam nga mungesa e e ujit gjatë verës, te përmbytja e shtatorit. Nga mungesa e ujit në muajin dhjetor, te përmbytja e janarit, nga djegia e mbeturinave në fushën e mbetjes, tani jemi te mbushja e lumenjve me me me shishe plastike siç thotë, siç thotë dhe kryeministri Rama.

Bile zërit të Ramës nga Tirana ju shtua edhe një tjetër yll në yllësinë e budallenjve, ku doli i famshmi deputet, Vullnet Sinaj, i cili tha që fajin e ka Saliu për atë rrugën që është ndërtuar 13 vjet më parë. Por në vend që të shkonte, të ngushëllonte, si të themi në një farë mënyre, kryetarin e Bashkisë së Selenicës për dëmtimin e shtëpisë së gjyshit, ai erdhi pas tre ditësh sepse në atë kohë ata nuk vijnë dhe gjeti mënyrën të thotë që fajin e ka Saliu që ka bërë një rrugë përpara 13 vitesh dhe që ka lidhur gjithë krahinën e Sevasterit me reston e e fshatrave të Vlorës.

Në fakt, po ta marrim kështu me humor apo nga ana ironike, duket një komplot ndërkombëtar kundër Edi Ramës, ku në krye të këtij komploti ndërkombëtar është Partia Demokratike dhe lideri i saj. Sovinistët grekë dërguan më shumë ujë në Vjosë, shovinistët jugosllavë në Drinin e Zi dhe Albin Kurti na mbushi me ujë edhe Drinin e Bardhë. Por përtej, përtej humorit, ne ishim para tre netësh atje ku ju thatë, në në urën e Mifolit dhe pamë nga afër situatën, por për fat të keq, ato punë që duheshin bërë në gusht e në shtator, ku prurjet e ujit janë minimale, disa mjete të emergjencave civile hidhnin dhe në hapësirën midis dy urave, pra urës ku kalon hekurudha dhe urës së vjetër, asaj që është rindërtuar pas luftës së dytë botërore, por ajo ishte e kotë dhe po të shikoje edhe investimin që kanë bërë në argjinaturë, që nga ura ajo vazhdonte në një gjatësi vetëm 500 metër, kur deri në grykëderdhjen e Vjosës në det është rreth 10-11 km gjatësia e lumit dhe natyrisht që prurjet e tepërta çanë argjinaturën atje ku edhe ju dhe mediat e tjera e keni transmetuar, pranë fshatit Bishan.

Dhe ne shkuam edhe afër atij vendi dhe gjendja ishte katastrofike, siç mund të themi, situata është e njëjtë në të gjithë Shqipërinë. Pra nuk është vetëm për lumin e Vjosës, por atje siç thashë, ku armiku i jashtëm nuk bën punë, Semanin, Devollin, Matin, Bunën dhe lumenjtë e tjerë i mbush armiku i brendshëm me bidona, thua se jo se çështja e pastërtisë nuk është një çështje për lumenjtë dhe për mjedisin, por kjo është një tallje që bën kryeministri i Shqipërisë, me shqiptarët, sepse nuk, është e pamundur që të shkaktojë këtë katastrofë mjedisore dhe ekonomike ta shkaktojë hedhja e mbeturinave urbane, në lumenj.

Ne zonën e Vlorës patëm edhe një dëmtim të rrugës që lidh fshatin Bashaj me fshatin Matogjin, në Bashkinë Selenicë, gjë të cilën ju e keni transmetuar, por deputeti i famshëm në këtë rast nuk gjeti kohën dhe mënyrën të bëjë një deklarim, por ju keni transmetuar edhe me pamje se si banorët vetë mundohen të të aranzhojnë, mundohen të riparojnë, mundohen të rregullojnë.

Po, kjo është bërë virale edhe në media sociale madje, por edhe në mediat audiovizive. Kështu që, përsa i përket asaj që ne. në tonën kemi mundur të bëjmë është t'i vizitojmë banorët, t'u qëndrojmë atyre afër, por në fakt dora e shtetit është, është larg. Vjosa është mbytur, domethënë fshatrat rreth Vjosës,  kanë pasur përmbytje të mëdha, sepse më të vogla ka pasur le tashmë e kemi humbur llogarinë e tyre, por ka pasur përmbytje të mëdha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco