Berisha: Rama i dëshmoi opozitës dhe shqiptarëve se kurrfarë bashkëpunimi me të nuk shërben dhe nuk vlen

14:55, 15/12/2025

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar se Edi Rama ka dëshmuar se çdo lloj bashkëpunimi me të nuk shërben dhe nuk ka vlerë.

Berisha hodhi poshtë akuzat se opozita mban përgjegjësi, duke theksuar se të gjitha firmat ishin tërhequr para se kandidatura të vinte në Parlament. Ai akuzoi Ramën dhe mbështetësit e tij për propagandë, mashtrime dhe deformim të së vërtetës para qytetarëve.

Sipas Berishës, kandidatura u paraqit në Parlament vetëm nga Rama, për interesa personale dhe politike. Në këtë kuadër, ai njoftoi se PD ka vendosur të ndërpresë çdo bashkëpunim me maxhorancën socialiste dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë proces emërimi.

FJALA E BERISHËS:

Tani dua tu kthej një përgjigje të gjithë altoparlantëve të paguar dhe të papaguar të Edi Ramës, që pretendojnë se fajin e ka opozita. 

Që pretendojnë në mënyrën më allogjike, më të pafytyrë dhe më të turpshme, se fajin e ka opozita e cila para zgjedhjes së tij, kishte tërhequr çdo firmë.

Këta janë në garë për një urrejtje ndaj opozitës, sipas shpërblimit që marrin nga Edi Rama.

Ka disa prej tyre që janë të gabuar, nuk kanë kuptuar drejt dhe shpjegimi ynë është i detyrueshëm ndaj tyre. 

Por ata të cilët mendojnë se me propagandën e Edi Ramës apo me mashtrimet e Edi Ramës apo duke paraqitur si të vërteta, të pavërtetat në mënyrë flagrante, nuk mundet kurrë t'i imponojnë Partisë Demokratike asgjë. Asgjë. 

E vërteta është një, u tërhoq çdo firmë, ditë para se sa kandidatura të vinte në parlament. Dhe ajo kandidaturë kurrë nuk mund të vinte në parlament, nuk mund të paraqitej në parlament. Jo. Dy, e paraqiti Edi Rama, i cili donte ta mirrte me çdo kusht. 

Në vend se të damkosin aktin e tij çakej që mbrojnë interesat e tyre kriminale, kontrata të pista, interesa të dyshimta, mashtrojnë qytetarët me pretendimin se u zgjodh me votat e opozitës. 

Por me këtë akt Edi Rama i dëshmoi opozitës dhe çdo shqiptari se asnjë lloj bashkëpunimi ose se, kurrfarë bashkëpunimi, qoftë dhe minimal me të, nuk shërben dhe nuk vlen. Nuk vlen.  

E vërteta është që kryesia e Partisë Demokratike vendosi të ndërpritet çdo lloj bashkëpunimi me narko parlamentarët socialistë dhe me Edi Ramën. Ndaj dhe ne nuk marrim pjesë në asnjë kandidaturë, emër, do të ishte qesharake. 

Edhe ky Avokati i Popullit që nuk mund të them se sa përqind do t'i takonte në përqindjen e pushtetit, ai takonin dy pika apo jo, e mori dhe atë dhe ne të zhvillojmë beteja donkishoteske për ndarjen e pushteteve dhe ekuilibrin e tyre, në një kohë kur ajo është varrosur edhe para këtij. Nuk ekziston. I ka të gjithë pushtetet në dorë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco