Dëshmia ‘bombë’ në Kongresin amerikan/ Joseph për SYRI TV: SHBA e shqetësuar nga goditja e liderëve të opozitës në kontekst elektoral

Dëshmia ‘bombë’ në Kongresin amerikan/ Joseph për SYRI TV: SHBA e shqetësuar nga goditja e liderëve të opozitës në kontekst elektoral

19:55, 05/12/2025

Profesori i njohur amerikan, Edward Joseph, i cili dha një dëshmi ‘bombë’ në Kongresin amerikan para pak ditësh për situatën në Shqipëri, ishte i ftuar i gazetares Armela Ferko në edicionin e mbrëmjes në SYRI TV.

Ai komentoi qëndrimet e tij për dështimin e reformës në drejtësi.

“Është një pyetje shumë e rëndësishme dhe duhet të kuptojmë se kjo seancë e rëndësishme që u zhvillua në kongresin e Shteteve të Bashkuara, u përqendrua në të gjithë rajonin, ku përfshihej edhe Shqipëria.

Dhe Shtetet e Bashkuara, sikurse e thoni edhe ju qartësisht, së bashku me aktorët kyç të Bashkimit Evropian, si për shembull Holanda, janë përqendruar gjerësisht tek çështja e reformës së gjyqësorit në Shqipëri. E dimë se ka qenë një prej kushteve kryesore dhe një prej shqetësimeve kryesore për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Dhe ndërsa Shqipëria hedh hapa të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm drejt Bashkimit Evropian, duhet të mos harrojmë edhe mangësitë në sistemin e gjyqësorit. Ky shtim, për shembull, i stokut të çështjeve të cilat akoma nuk kanë marrë zgjidhje, përbën një problematikë, sepse po flasim për të drejtën e një procesi të drejtë, të një procesi i cili i duhet dhënë qytetarit nga gjykata.

Në qoftë se gjykata është joefiçente dhe ngelet një stok i madh çështjesh të patrajtuara, kjo përbën shqetësim. Dhe pikërisht janë shqetësime që kanë të bëjnë me arrestimin e figurave të opozitës, sidomos brenda kontekstit të zgjedhjeve.

Unë e di se Shtetet e Bashkuara edhe Bashkimi Evropian nuk duan të shohin situata të tilla,” tha ai.

Duke folur për rënien e pluralizmit në Shqipëri, ai tha: “Në fakt këto janë dy pyetje të ndryshme dhe kërkojnë përgjigje të ndryshme. Sepse për sa i përket së fundit, askush nuk mund të sigurojë pluralizmin politik. Nuk mund të vijë një aktor i jashtëm. Nuk mund ta krijojë këtë një aktor i jashtëm. Është një proces dinamik, i cili duhet të ndodhë brenda shoqërisë, brenda një demokracie të shëndetshme. Dhe pikërisht ky është dhe qëllimi, që në një demokraci të shëndetshme ke pluralizëm, ke konkurrencë.

Ne po shohim këtu në Shtetet e Bashkuara, po shohim sa e rëndësishme është një parti e zellshme politike, e cila të kundërshtojë në Kongres dhe t’i kërkojë administratës të japë llogari dhe të ngrejë pyetje në Kongres, sikurse ndodhi tani. Në Kosovë, për shembull, ke një situatë politike dinamike. Është Vetëvendosja, e cila drejton qeverinë dhe gjithashtu ke PDK-në, LDK-në dhe parti të tjera të cilat janë aktive në opozitë. Kryeministri Kurti nuk mund të bëjë çfarë dëshiron ai, por duhet t'i japë llogari dhe tani në fund të këtij muaji do të ketë zgjedhje dhe do të shohim pastaj se zgjedhësit në Kosovë do të përballen me një mundësi zgjedhjeje.

Prandaj, edhe në Shqipëri, që të kemi një demokraci të shëndetshme, pala e opozitës, partitë e opozitës, ka një zgjedhje dhe duhet të vendosë. Kështu funksionon demokracia. Në qoftë se nuk e kemi këtë, përfundojmë me një situatë si në Serbi, ku partia e Aleksandër Vuçiçit është kaq dominuese për një kohë kaq shumë të gjatë dhe tani shohim se ku e ka çuar kjo sjellje Serbinë, në një situatë krize. Kështu që për shëndetin e Shqipërisë, Shqipëria duhet të ketë një shoqëri të pasur pluraliste ku zgjedhësit të kenë mundësi të vërteta dhe kushdo që është në qeveri, t'i japë llogari dhe të mbahet përgjegjës prej opozitës”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco