Qëlloi me armë pas një konflikti, arrestohet 26-vjeçari në Shkodër

Qëlloi me armë pas një konflikti, arrestohet 26-vjeçari në Shkodër

16:29, 04/12/2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër, ku një 26-vjeçar ka kanosur një të ri dhe më pas ka qëlluar me armë zjarri në ajër, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, autori i dyshuar u identifikua, u kap dhe u arrestua brenda një kohe shumë të shkurtër.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, organizuan menjëherë veprimet operacionale pas marrjes së njoftimit. Si rezultat, u bë e mundur prangosja e shtetasit Altin Shpendi, 26 vjeç, i dyshuar për kanosje dhe përdorim armë zjarri.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se gjatë konfliktit, 26-vjeçari ka kanosur shtetasin Xh. G., 20 vjeç, duke qëlluar në ajër me një armë zjarri të tipit automatik. Policia arriti të gjejë dhe sekuestrojë edhe armën e përdorur në ngjarje.

Vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për hetime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco