Kolegji i Europës në Shqipëri po ndërtohet me 17 milionë euro që ishin destinuar të përdoreshin për të ndërtuar kampus universitar për studentët shqiptarë. Në vitin 2019, Edi Rama dhe Erion Veliaj prezantuan kampusin e Universitetit të Tiranës, që do të ndërtohej në të njëjtin vend ku po ndërtohet sot Kolegji i Europës. Përveç 17 milionë eurove të parashikuara për ndërtimin e kampusit, Bashkia e Tiranës shpenzoi edhe 5 milionë euro shtesë për hartimin e projektit, të cilat sot janë zhdukur pasi kampusi nuk u ndërtua kurrë.
Ky është projekti i kampusit të ri universitar të Universitetit të Tiranës, që Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u premtonin studentëve shqiptarë në janar të vitit 2019. Projekti i prezantuar para studentëve dhe pedagogëve parashikonte një rivitalizim total të zonës së Qytetit Studenti, ku do të ndërtoheshin godina multifunksionale në shërbim të studentëve shqiptarë.
Pak muaj më pas, Edi Rama nxori një VKM, të firmosur nga zv.kryeministri i kohës, Erion Braçe, që autorizonte Bashkinë e Tiranës si autoritet kontraktor për hartimin e projektit të kampusit universitar të Universitetit të Tiranës, ndërtimin e Universitetit të Arteve dhe ndërtimin e Akademisë së Policisë. Më vonë, Bashkia e Tiranës prokuroi një fond prej 5 milionë eurosh për hartimin e projektit të kampusit universitar, ndërsa qeveria vuri në dispozicion rreth 17 milionë euro për ndërtimin e kampusit.
Dalja në skenë e Federica Mogherinit bëri që Edi Rama të devijonte fondet e parashikuara për studentët shqiptarë, duke i vënë ato në funksion të ndërtimit të Kolegjit të Europës. Me një VKM të 13 marsit 2024, qeveria devijoi 17 milionë eurot e destinuara për studentët shqiptarë, duke i përdorur ato për ndërtimin e Kolegjit të Europës. Gjithashtu, ky vendim i qeverisë fshiu edhe rreth 5 milionë euro të përdorura nga Bashkia e Tiranës për hartimin së projektit të kampusit të Universitetit të Tiranës, “Ndërtim i Universitetit të Arteve” dhe “Ndërtim i Akademisë së Policisë”.
Ndërkohë, teksa Rama, Mogherini dhe Ursula von der Leyen kishin prerë shiritin e inaugurimit të punimeve të Kolegjit të Europës, që do të ndërtohet me 17 milionë euro të marra nga fondet e destinuara për studentët shqiptarë, studiuesi Taulant Muka, në qershor të këtij viti, ngriti një padi ndaj Komisionerit për të Drejtën e Informimit, për shkak se ky institucion nuk lejonte transparencën për pronën e truallit, fondet e buxhetit dhe kontratat për godinat publike që po përdoren për ndërtimin e Kolegjit të Europës.
© SYRI.net