Kryeministri Edi Rama nuk po vepron nga një pozicion force, por i shtyrë nga një frikë e thellë dhe paranojë që po e çojnë drejt veprimeve kaotike dhe jokushtetuese.
I këtij mendimi është kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, teksa i ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv bëri një analizë mbi sjelljen politike të kreut të qeverisë, i cili akuzohet se po e përdor mazhorancën absolute për të kapërcyer çdo kufi institucional.
Sipas Ndokës, supermazhorancat shpesh përfundojnë në kaos, dhe qeveria aktuale nuk bën përjashtim, teksa vërehet gjithashtu një tendencë e vazhdueshme e kryeministrit për të shtrirë pushtetin e tij gjithandej, duke shpërfillur Kushtetutën dhe pengesat ligjore, të cilat i percepton si pengesa personale ndaj vullnetit të tij.
Kjo sjellje përshkruhet nga Ndoka, si tipike për një “autokrat” dhe “aventurier”, por argumentohet se nuk buron nga forca, por nga një ndjenjë e thellë dobësie dhe pasigurie.
Në qendër të veprimeve të Ramës vendoset frika, teksa ish ligjvënësi opozitar, pretendon se kryeministri është i kompleksuar nga frika dhe vuan nga një paranojë e vazhdueshme. Këto frikëra variojnë nga shqetësimet për sigurinë personale, frika se “po vijnë amerikanët apo FBI-ja”, deri te frika nga rivalët e brendshëm politikë.
“Ky njeh vetëm frikën,” theksohet në analizë, duke e portretizuar si një lider që sheh kërcënime kudo. Situata e tensionuar me Bashkinë e Tiranës shihet si një manifestim konkret i kësaj politike të bazuar te paniku.
Veprimet e ndërmarra, si heqja e një nënkryetari me dhunë, luhatjet në qëndrime ndaj kryebashkiakut Veliaj, dhe takimet e gjata me zëvendëskryeministren Balluku, interpretohen [ër Ndokën, jo si lëvizje strategjike, por si veprime të dëshpëruara për të menaxhuar një skenar që i ka dalë jashtë kontrollit.
Sipas analizës, kryeministri ka frikë nga Balluku dhe po vepron për të mbrojtur veten, jo bashkëpunëtorët e tij. Si një shenjë e këtij paniku përmendet edhe veprimi i paprecedentë i dërgimit të SPAK-ut në Gjykatën Kushtetuese, një lëvizje që konsiderohet “fundi” i respektit institucional.
Kjo situatë ka shkaktuar kosto të mëdha për institucionet dhe ka tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar. Pretendohet se edhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ata më të afërtit, po i kërkojnë privatisht kryeministrit të tërhiqet, pasi “agonia nuk ka më kuptim”. Në përfundim, kjo qasje e kryeministrit përshkruhet si një “rrezik i madh” për vendin, qeverisjen, sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Sjellja e tij, sipas Ndokës, ku fshihet ose “gjuan me gurë” këdo që i del përpara ndërkohë që bashkëpunëtorët e tij përfitojnë, shihet si dëshmi e një lideri në panik, jo në kontroll të situatës.
Gjithmonë super mazhorancat kalojnë në kaos. Pra, duket që edhe ky pushtet sikur nuk të mjafton dhe tenton gjithmonë që të kalosh përtej, t'i fusësh duart gjithandej. Kështu ka bërë me të gjitha, me të gjitha pushtetet, se këto, këto s'i ka për gjë fare. Është çështje edhe kulturë politike. Për fatin e keq, Edi Rama është i vetmi kryeministër në këto 30 e kusur vite që nuk ka një njohje minimale të institucionale. Pra, ky nuk e njeh kushtetutën. Realisht nuk e njeh. Pra, ky çdo veprim që e ka në ide thotë duhet bërë. Pse duhet të më pengosh mua ti me kushtetutë, çfarë është ky ligj që është kështu, pse prej këtij ligji do të pengohemi ne. Pra, është, është mendësi. Edhe kjo është, kjo është realisht, pra. Përtej kësaj pastaj është ajo pjesa e autokratit të tij, tip aventurierit. Ky nuk mund të shohë, pa diskutim që e ndjen veten të dobët. Nuk është puna se, e kupton edhe ky që gjithmonë këto që janë mazhoranca si shkërmoqen. Nuk është puna se është forca e atyre numrave që ka në parlament se pushteti nuk janë vetëm numrat. Pra, ky ndjehet i frikësuar, frika është ajo që, që mbizotëron te ky personazh. Ky pra njeh vetëm frikën. Ka frikë ky. Gjithmonë ka qenë një njeri që është i kompleksuar nga frika.
Dikur kishte frikë se e rrahin në rrugë, ndonjëherë ka frikë që i ndodh natën ndonjë gjë në gjumë. Pastaj tashti ka frikë që po më vijnë amerikanët, erdhi FBI-ja, del dikush aty, sheh te dritarja se kush, kush kalon në bulevard, kush kalon te bulevardi. Është, ka paranoja. Ky i tillë është, është formuar. Kështu që, në aspektin e frikës, panikut që ky ka, përpiqet që ta çlirojë me çdo, me çdo çmim Bashkinë e Tiranës duke bërë edhe kështu aventura, duke caktuar atë me dhunë, duke hequr një nënkryetar, një ditë del e mbështet Erion Veliajn, ditën tjetër e sulmon. Pastaj rrinë shtatë orë me, me Ballukun në zyrë për me gjet një, një zgjidhje. Këto i kanë nga frika. Po diskutim pse ti mendon që ky i bën me dëshirë. Pra, kjo është një skenar i Ramës që i del shpeshherë jashtë kontrollit. Edhe detyrohet që të tërhiqet, të bëjë gjoja sikur është në krahë të Ballukut. Nuk e mbron ky Ballukun. Nuk është puna se ky është një, e mbrojti. Ky po mbron veten e tij se s'ka problem ky për me i shit bashkëpunëtorët e këdo që i ka afër.
Por problemi është që kjo është një kosto shumë e madhe për vendin që ne kemi, ëh, një kryeministër të tillë që nuk njeh pengesa ligjore. Edhe kjo është rast unikal, kryeministri dërgon SPAK-un në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është, kjo është fundi. Këto janë mekanizma, edhe kur funksionojnë, janë për opozitën, janë për grupet e interesit, janë për individët, kur ti mbron interesin publik, jo me mbrojt interesin tënd. Kjo është, absurd, kjo është fundi. Pra, këto veprime tregojnë që ky personazh është në panik, është në frikë. Pa diskutim që është një kosto shumë e madhe edhe për institucionet, edhe për, edhe për faktorin ndërkombëtar, se edhe ato e kanë duruar deri në një farë mënyre që ky i ka, mik Luli, i ka korruptuar.
Por në fund të fundit edhe aty ka zëra që po fillojnë ore vallë se çfarë bëhet në këtë Shqipëri. Si ka mundësi që zv/kryeministrja qëndron akoma në detyrë dhe ky nuk e shkarkon. Dhe unë kam informacione realisht edhe të sakta që këtij ia kanë kërkuar edhe këto që i bën kështu me ato qokat e veta. Edhe këto i thonë, ore, tundu pak se sikur s'ka kuptim kjo agoni që vazhdon. Pra, në këtë sens, pa diskutim që është një problem shumë i madh, është një rrezik, është një rrezik në fund të fundit edhe për vendin, për qeverisjen, për sigurinë tonë, për, ëh, ato marrëdhëniet që kemi ne me faktorin ndërkombëtar. Nuk mund të rrijë një kryeministër duke u fshehur apo duke gjuajtur me gurë këdo që i del përpara. Bashkëpunëtorët e tij hanë dardha, kumbulla, ky merr gurë edhe i gjuan ato, e gjuan rojet me gurë që mos t'i ofrohen atyre hajdutëve.
© SYRI.net