SYRI TV/ Gjyqtarja zvarrit gjyqin për Sali Berishën, Gjokutaj: Kanë si qëllim djegien e mandatit

14:02, 04/03/2024

Gjyqtarja Irena Gjoka ka shtyrë duke zvarritur sërish procesin gjyqësor për revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për liderin e opozitës Sali Berisha. Pas seancës, avokatët kanë akuzuar gjyqtaren se po përdoret politikisht dhe ka për qëllim djegien e mandatit të z. Berisha. Avokati Genc Gjokutaj, deklaroi se pas kësaj farse gjyqësore qëndron kryeministri Edi Rama, i cili duhet të pyetet për dirigjimin e këtij procesi politik.

Syri tv

Një tjetër zvarritje e paprecedentë është shënuar nga gjyqtarja Irena Gjoka për shqyrtimin e kërkesës për revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj liderit të opozitës Sali Berisha. Pasi e shtyu me një javë, me argumentin se ishte në një tjetër proces gjyqësor, sot gjyqtarja Irena Gjoka, ka gjetur një artific procedurale, duke mos pranuar prokurën për përfaqësimin e avokatëve të zotit Berisha në këtë seancë gjyqësore, edhe pse avokatët kishin prokurën e posaçme, siç janë po të njëjtit avokatë që prej nisjes së përballjeve në këtë gjykatë. Pas shtyrjes, avokati Genc Gjokutaj ka akuzuar drejtpërsëdrejti gjyqtaren Gjoka për zvarritje e sipas tij ka për qëllim djegien e mandatit të liderit të opozitës Sali Berisha.

Avokati Genc Gjokutaj ripërsëriti edhe njëherë pikëpyetjet që ngrihen mbi figurën e gjyqtares Irena Gjoka, e cila është në konflikt interesi, ndërsa paralajmëroi se në vijim do të ketë edhe fakte të tjera në lidhje me përdorjen dhe figurën e gjyqtares Gjoka.

Duke akuzuar për një proces politik dhe të dirigjuar nga kryeministri Edi Rama, avokati Genc Gjokutaj, u sugjeroi gazetarëve që nëse duan informacione se si do të jetë fati i këtij procesi të pyesin kryeministrin.

Seanca e radhës u vendos për në datën 8 mars ora 9: 00. Më herët avokatët mbrojtës i kanë kërkuar gjyqtares që të sqarojë opinionin publik nëse është shkarkuar nga KLD e drejtuar nga Berisha në vitin 1996, çka e vendos atë në kushtet e konfliktit të interesit. Por ndërsa janë publikuar dokumentet e këtij shkarkimi, gjyqtarja Irena Gjoka nuk ka pranuar tërheqjen nga procesi. Së fundmi një tjetër detaj është publikuar për figurën e gjyqtares, pasi ajo është pyetur nëse është dëbuar nga Greqia, veprim ky që e bën figurën e saj të papërshtatshme për sistemin e drejtësisë, pasi një fakt I till I është mbajtur I fshehur edhe organeve të Vetingut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco