Si shefi i Krimeve informonte Pëllumb Gjokën për lëvizjet e gruas së objektivit për tu ekzekutuar

Si shefi i Krimeve informonte Pëllumb Gjokën për lëvizjet e gruas së objektivit për tu ekzekutuar

10:26, 05/08/2023

Intriga, tradhti, pazare, plane për të ekzekutuar miq e armiq, survejim i detajuar, ndjekje edhe grash që shkonin të lindnin, për tu siguruar për vendndodhjen e shënjestrës së radhës.

Biznesmenë, drejtues e shefa policie, njerëz të politikës dhe lidhje të tyre, emra të njohur të botës së krimit që donin të vrisnin kudo e kurdo, këdo e çdo kënd që kishte dalë në rrugën e tyre. Kjo është ajo çka përmbledh dosja voluminoze e Prokurorisë së Posaçme në fokusin e fakteve dhe bisedave të transkriptuara të të ashtuquajturit “Grupi i Bajrajve”.

Në fakt, ky grup që ka dalë në këtë dosje shtrihet deri në kupolën e Policisë së Shtetit, deri te njerëz me rëndësi në politikë, biznes dhe në sundimin e botës së krimit në vendin tonë. Janë mbi 300 faqe material, në të cilin përshkruhen vetëm fakte nga bisedat e një mori komponentësh që kanë mundur të operojnë të lirë dhe të paprekur nga askush, ndërkohë që kishin mundur të rekrutonin njerëz në të gjitha shtyllat e sistemit të drejtësisë.

Nga tentativa për të vrarë specialistin e Burgjeve që ishte edhe në konflikt me Pëllumb Gjokën e deri tek planet për të ekzekutuar tre persona bashkë si Ibrahim Liçin, Genci Tafilin dhe Dorian Dulin, tregon se sa i fuqishëm dhe i sigurt ka qenë ky grup kriminal me dhjetëra persona të përfshirë në të, ndërkohë që kishin pajtuar vrasës me pagesë nga Kosova dhe Serbia, për punët që nuk donin t`i kryenin vetë.

Ndër mijëra episode, SPAK në dosje ka veçuar edhe një bisedë mes grupit të të interesuarve për të vrarë ndër të tjerë edhe Dorian Dulin. Pasi e konsiderojnë “dhelpër” dhe mjaft të frikshëm për shkak të kujdesit dhe të llojit të armës që mbante gjithnjë me vete Duli, grupi vendos t’i ndjek gruan, e cila ishte në prag të lindjes dhe do të kryente vizitat në Tiranë te një klinikë private. Informacionet që merr grupi tregojnë se Dorian Duli kishte shkuar në Maqedoni ndërsa gruaja kishte kryer vizitat dhe mjeku i kishte kërkuar shtrim.

Është Pëllumb Gjoka që i kërkon informacion Ardit Hasanbegajt për të kryer verifikimet në kufi. Ish-shefi i Krimeve të Policisë së Shkodrës tregon se ka dalë nga Qafë Thana po ashtu siç i tregon Pëllumb Gjokës edhe emrin e klinikës S., në Tiranë ku ajo kishte kryer kontrollet. Biseda mes Ardit Hasanbegajt dhe Pëllumb Gjokës është kryer në orën 23.48 ku thuhet: “O vëlla, nga Qafë Thana ka ikur. I ka thënë ajo se i ka bërë analizat dhe se doktori i ka thënë për shtrim, por nuk ia ka konfirmuar shtrimin aty”.

Të nesërmen, me 11 gusht të 2020-ës, në orën 08.43 Behar Bajri komunikon me Pëllumb Gjokën. Ky i fundit i nis me “atach” mesazhin që i kishte çuar një natë më parë Ardit Hasanbegaj.

Në dosjen e SPAK zbulohet se ka qenë Behar Bajri porositësi i vrasjes së Dorian Dulit, Ibrahim Licit dhe Genc Tafilit në vitin 2020 por krimi nuk u arrit të kryhej. Vrasja ishte porositur nga Behar Brajoviq në shenjë hakmarrjeje në lidhje me dyshimet që këta shtetas janë të përfshirë në angazhimin kriminal kundër tij.

Ndërkohë, për të kryer këtë krim ishin angazhuar Pëllumb Gjoka, Ardrit Hasanbegaj, Prekë Kodra, Aleks Ndreka dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar për sigurimin e informacioneve në lidhje me vendndodhjen e tyre, thuhet në dosje. Kanë qenë bisedat e përgjuara që janë bërë nga 1 korriku 2020 e në vijim që kanë zbuluar rolin e secilit prej tyre.

ROLET SIPAS SPAK

Behar Brajoviq ka pasur rolin e porositësit në shenjë hakmarrjeje në lidhje me dyshimet që këta shtetas janë të përfshirë në angazhimin kriminal kundër tij.  Pëllumb Gjoka ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve në lidhje me vendndodhjen e Dorian Dulit, Ibrahim Lici. Më pas këta do të njoftonin Behar Brajoviq.

Prek Kodra është kontraktuar nga Beber Brajoviq me qëllim sigurimin e personave që do të kryenin vrasjen. Sigurimin e informacioneve për vendndodhje dhe lëvizjet e tyre dhe organizimin e krijimin e kushteve për realizimin e vrasjeve.

Aleks Ndreka ka pasur rolin e sigurimit informacioneve për vendndodhjen e Dorian Dulit, Ibrahim Lici dhe Genc Tafilit. Është kontraktuar nga Prekë Kodra me të cilin bashkëpunon me qellim konstatimin dhe ekzekutimin e Dorian Dulit Ibrahim Licit dhe Genc Tafilit.

Astmer Bilali, duke qenë lidhje e ngushtë e Behar Brajoviq ka pasur rolin e organizimit të kushteve me qëllim vrasjen e Ibrahim Licit të cili e shikon me përparësi dhe më pas dhënien ndihmë për vrasjen e Dorian Dulit për të cilin interesohet Behar Brajoviq.

Denis Brajeviq ka pasur rolin e sigurimit e informacioneve në lidhje me vendndodhjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.

Bardhyl Mavraj, duke qenë në lidhje e ngushtë me Behar Brajoviq ka pasur rolin e organizimit të kushteve me qëllim vrasjen e Dorjan Dulit dhe Genc Tafilit duke kontraktuar Nuredin Dumanin, etj. Ardrit Hasanbegaj ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve në lidhje me vendndodhjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit, duke shfrytëzuar aksesin që ka ky shtetas për shkak të detyrës si shef i Sektorit të Hetimeve në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco