VIDEO-SYRI TV/ Përkeqësohet cilësia e të jetuarit në Tiranë, Numbeo: Mbetet e fundit në Europë

13:27, 15/08/2022

Tirana vijon të përkeqësojë renditjen si kryeqyteti me cilësinë më të keqe për të jetuar në Europë. Numbeo, sistemi më i madh i të dhënave për koston dhe cilësinë e jetesës, bën me dije se Tirana penalizohet nga çmimet e larta të pasurive të paluajtshme në raport me të ardhurat, ndotjen, si dhe kujdesin shëndetësor.

Nga SYRI TV

Tirana ka vijuar të përkeqësojë renditjen si kryeqyteti me cilësinë më të keqe për të jetuar në Europë.

Numbeo, sistemi më i madh i të dhënave për koston dhe cilësinë e jetesës, bën me dije se Tirana renditet në vendin e  231 nga 254 kryeqytete e qytete, e ndërsa një vit më parë, në mesin e 2021 – it ishtë në pozicionin e 215.

Tirana u fut  për herë të parë në renditje në mesin e vitit 2020, ku sërish u rendit e fundit në Europë, në vendin e 218.

Indeksi i Cilësisë së Jetesës nga Numbeo është një vlerësim i cilësisë së përgjithshme të të jetuarit, që përdor një formulë empirike që merr në konsideratë indeksin e fuqisë blerëse, të ndotjes, të kostos së jetesës, të sigurisë, të kujdesit shëndetësor, të kohës së qëndrimit në trafik, të klimës si dhe raportin e çmimeve të pasurive të paluajtshme ndaj të ardhurave.

Në një artikull të Monitor theksohet se Tirana renditet e 44-a më e shtrenjtë nga 254 qytete në raportin e çmimeve të pasurive të paluajtshme ndaj të ardhurave.

Për indeksin e ndotjes, Tirana  është në vendin e 242, më e ndotura në Europë dhe ndër të fundit në qytetet në këtë renditje.

Në indeksin e trafikut, Tirana është në vendin e 181 nga 254 qytetet që kanë më shumë trafik.

Por, në indeksin e fuqisë blerëse (që mat fuqinë blerëse në raport me mesataren e Nju Jorkut), kryeqyteti shqiptar është ndër të fundit, në vendin e 231.

Në Indeksin e Kujdesit Shëndetësor, Tirana është në vendin e 246, e fundit në Europë dhe duke u renditur ndër 9 qytetet me kujdesin më të keq shëndetësor që janë të përfshira në këtë renditje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco