Rama i mbyll listat/ Fleta e votimit do jetë me numra, pa emra

Rama i mbyll listat/ Fleta e votimit do jetë me numra, pa emra

09:53, 05/04/2021

Kolegji zgjedhor ka pranuar kërkesën e PS-së, që fleta e votimit të përmbajë vetëm numrat dhe jo emrat e kandidatëve. Vendimi ka lënë të zhgënjyer opozitën që e cilëson një lëvizje të Ramës heqjen e emrave, pasi ka turp nga kandidatët që e përfaqësojnë në çdo qark. Ndërkohë, është pranuar dhe kërkesa e PD-së, për ndryshimin e siglës së Bindjes Demokratike e cila është e ngjashme me atë të partisë më të madhe opozitare

Kolegji Zgjedhor ka vendosur që fleta e votimit që do të përdoret në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë me numra dhe jo me emra, siç e kishte kërkuar Partia Socialiste. Kolegji, që është dhe shkalla e fundit e ankimimit pasi dëgjoi palët, mbrëmjen e djeshme vendosi që kandidatët në fletën e votimit të identifikohen me numra siç e kërkonte Partia Socialiste, duke rrëzuar pretendimin e PD-së, që të ishte me emrat përkatës. Ndërkohë që u vendos që Bindja Demokratike e Astrit Patozit nuk do të mbajë siglën e saj, e cila është e ngjashme me atë të PD-së. Ankimimi pranë kolegjit është bërë nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike Ivi Kaso. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendosi që fleta e votimit të ishte me emra. Partia Socialiste e dërgoi çështjen në KAS, i cili dje pranoi kërkesën e shumicës qeverisëse duke rrëzuar PD-në, që e ankimoi në Kolegjin Zgjedhor. Vendimi u mor nga trupa gjyqësore e përbërë nga Asim Vokshi, Esmeralda Ceka, Gentian Media, Manjola Xhaxho dhe Alma Kolgjoka.

Pretendimet e palëve
Përfaqësuesi ligjor i PD-së në Kolegjin Zgjedhor Ivi Kaso u shpreh i zhgënjyer me vendimin e trupës që vendosi që fleta e votimit për zgjedhjet e 25 prillit të jetë me numra dhe jo me emrat e kandidatëve për deputetë. E ndërsa akuzoi Edi Ramën, ai tha se kjo nuk ka për ta ndaluar ndryshimin në 25 prill. “Është ai që ka turp nga kandidatët e tij dhe kërkon t’i fshehë, është i turpëruar nga lista që paraqet si alternativë. Na vjen keq, pasi koalicioni i PD ka listën më të mirë, por zgjedhësit nuk do të kenë shansin t’i shohin në fletën e votimit, pavarësisht se i njohin mirë emrat dhe staturën. Por çfarëdolloj truku zgjedhor nuk ka për ta ndalur ndryshimin që ka për të ardhur dhe që do i prijë PD-ja me aleatët”, -tha Kaso. Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eridjan Salianji tha gjatë seancës se fleta e votimit që kërkon PD me emra është si gazetë për zgjedhësin duke ia vështirësuar votimin. “Fleta e Tiranës ka mbi 500 emra. Është e ngarkuar. Nuk shkohet në votim për të lexuar gazetë, por procesi duhet të jetë sa më i thjeshtë” tha ai. Por Partia Demokratike këmbënguli që fleta të jetë me emra, pasi kështu qytetarët shqiptarë e kanë më të lehtë për të identifikuar kandidatin e tyre të preferuar dhe se numrat shkaktojnë shumë konfuzion.

Votimi
Fleta e votimit do ketë numrin e renditjes, siglën, emrin e subjektit dhe kryetarit dhe poshtë do jetë numri përkatës për çdo kandidat. Në variantin e miratuar nga KQZ, përkrah numrit ishte shënuar dhe emri i kandidatit, çka e rriste shumë volumin e fletës së votimit. Kundërshtitë erdhën nga Partia Socialiste për fletën e votimit, ndërsa PD nxori pretendimin se e majta ka turp nga emrat e kandidatëve në listën e saj. Gjithsesi tashmë është vendosur, dhe kandidatëve u duhet më shumë punë për të ngulitur në memorien e qytetarëve numrin që i korrespondon emrit të tyre. Duhet theksuar se fleta e votimit me numra i jep përparësi siglës më shumë se kandidatit.

Prodhimi i fletëve të votimit, kompania ngre pikëpyetje për afatin

Kompania sllovene e kontraktuar nga KQZ për printimin e fletës së votimit, ngre pikëpyetje të mëdha për afatin e dorëzimit të tyre në kohë në kuadër të zgjedhjeve më 25 Prill. CETIS e ka cilësuar të pamundur të printojë dhe dorëzojë 3.6 milionë fletë votimesh siç është parashikuar, brenda 10 ditëve, nga data 12-22 prill. Duhen minimalisht 20 ditë në dispozicion, thekson kompania sllovene. Në letrën e dërguar KQZ-së, CETIS e cilëson mision të pamundur realizimin në mënyrë të suksesshme dhe dorëzimin e sigurt të fletëve të votimit deri më 22 prill.

“Sa i përket letrës suaj të datës 2 shkurt 2021 ne po i përgjigjemi pyetjes në lidhje me mundësinë e ekzekutimit në mënyrë të suksesshme të printimit dhe dorëzimit të fletëve të votimit në kohë për zgjedhjet e 25 Prillit. Duhet të jemi të vetëdijshëm për disa kufizime teknike me të cilat çdo kompani printi përballet në projekte siç janë zgjedhjet. Pasi morëm të gjitha informacionet e nevojshme në lidhje me numrin e qendrave të votimit me të gjitha dizajnet dhe formatet e fletës së votimit ekziston një kohë e caktuar e nevojshme për përgatitjen e dizajnit përfundimtar të fletës për t’u konfirmuar nga KQZ e Shqipërisë dhe për të marrë lejen dhe për të nisur prodhimin. Pas konfirmimit të dosjeve të përgatitura nga ne, sërish nevojitet kohë për të përgatitur makineritë e printimit në mënyrë që të printojmë fletët e votimit në përputhje me dosjet e konfirmuara. Këto procese zakonisht marrin 1 ditë punë. Pasi të bëhet gjithçka dhe të nisë prodhimi, realizimi i fletëve të votimit merr kohë dhe kjo varion nga projekti në projekt.

Printi i 3.6 milionë fletëve do të merrte 14 ditë punë. Koha mund të tejkalojë shpejt për 3 ose 4 ditë në varësi të vështirësive dhe çështjeve të paparashikuara. Pasi të prodhohen do të përfshihet paketimi dhe logjistika e transportit në një kohë të vështirë pandemie kur gjërat në të gjithë botën po ndryshojnë shpejt duhet të marrim në konsideratë të gjithë çështjet me testimin e shoferëve. Siç është marrja e lejeve dhe hyrja në vendet e huaja. Kjo çon në konkluzionin se do të duheshin më shumë se 20 ditë për të ekzekutuar në mënyrë të sigurt dhe të suksesshme zgjedhjet e këtij viti. Të gjitha faktet e shkruara në paragrafin e mësipërm tregojnë një konkluzion të pamohueshëm fatkeqësisht. Duket se realizimi në mënyrë të suksesshme dhe të sigurt i dorëzimit të fletëve të votimit për 10 ditë në periudhën nga 12-22 Prill do të bëhej mision i pamundur”, thuhet në letrën e CETIS dërguar KQZ-së./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco