Atentati ndaj Mond ‘Çekiçit’ dhe vrasja e 2 muajve më parë në Durrës

Atentati ndaj Mond ‘Çekiçit’ dhe vrasja e 2 muajve më parë në Durrës

22:24, 21/03/2021

Policia dhe Prokuroria e Durrësit janë duke verifikuar të shkuarën dhe dyshimet për implikime në trafik narkotikësh, për të zbardhur atentatin që tronditi Durrësin të shtunën. Ndërkohë për shkak të lidhjeve miqësore të Mond Çekiçit me Edmir Bregun, i vrarë në janar të 2021, dyshohet se vrasja e të shtunës është vijimësi.

Nga SYRI TV

E shkuara dhe përfshirja në trafikun e lëndëve narkotike janë dy pistat hetimore ku Prokuroria dhe Policia e Durrësit janë fokusuar për zbardhjen e vrasjes së Edmond Koçit, ndërsa ka dyshime se ngjarja e 20 marsit, është vijimësi e vrasjes së Edmir Bregut rreth një muaj më parë në po të njëjtën lagje.

Bregu dhe Koçi njihen si miq të afërt me njëri-tjetrin, ndërsa për zbardhjen e vrasjes së Bregut, grupi hetimor është duke parë të shkuarën e tij si i dënuar për trafik narkotikësh në Itali. Ndërkohë, edhe mënyra e ekzekutimit, thonë burimet është e njëjtë, duke ngritur dyshime se kemi të bëjmë me të njëjtët persona.

40-vjeçari Koçi gjithashtu operonte edhe në fushën e biznesit në qytetin bregdetar dhe lufta për territor mund  të jetë një tjetër shkak i ngjarjes së rëndë, me viktimë një personazh të konsideruar nga Policia me precedencë të lartë dhe rrezikshmëri shoqërore.

Ashtu sikur se mësohet nga burimet, Edmond Koçit, ose të njohurit si Mond Çekiçi, i është bërë pritë teksa udhëtonte me shoferin e tij, pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Durrës, ku është qëlluar me breshëri plumbash.

Si të dyshuar janë të paktën 3 persona, që kanë qenë në mjetin me të cilin ndodhi vrasja, ndërsa policia dyshon se një person i 4 mund të ketë ndihmuar autorët që të largohen nga zona e Sukthit, ku u dogj edhe makina në një rrugë të vjetër dhe të pa mbuluar me kamera të sigurisë.

Edmond Koçi rezulton i skeduar në Kartotekën e Policisë që në fillim të viteve 2000, ndërsa në rrugë operative është konsideruar si një lidhje e ngushtë e Lulzim Berishës dhe anëtarë i bandës së Durrësit.

Problemet e Koçit me drejtësinë shqiptare lidhen kryesisht me akuzën e armëmbajtjes pa leje, ku rezulton me të paktën 3 vendime fajësie.  Burime nga Policia bënë të ditur se në kohë të ndryshme, 40-vjeçari është kapur me armë me numër serie të fshirë e fishek, ka bërë rezistencë ndaj ndalimeve, ndërsa drejtësia ka qenë bujare me të.

Një javë më parë, Gjykata e Durrësit e dënoi Koçin me 5 vite burg për armëmbajtje pa leje, dënim i ulur për shkak të gjykimit të shkurtuar në 3.4 vite dhe i konvertuar në shërbim prove pavarësisht se 40-vjeçari ishte përsëritës në veprën penale.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco