A do të rikthehet treni Akropolis?!

A do të rikthehet treni Akropolis?!

Nga Bajram Mjeku - 28/01/2020

 

Ambasadori amerikan dhe i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell pas befasisë me linjën ajrore, bëri hapin tjetër të shpejtë e po aq befasues, me atë të linjës hekurudhore.

Këtë postim e bëj për brezat e rinj që nuk kanë informacion. Në vitin 1978, më saktë 42 vjet më parë, nisi të qarkullonte treni i shpejtë me emrin Akropolis. Itinerari i këtij treni që ishte shumë modern për kohën ishte: Athinë, Shkup, Fushë-Kosovë, Beograd, Zagreb, Lubjanë, Vjenë dhe përfundonte në Mynih të Gjermanisë.

Kur isha student, kam një kujtim mbresëlënës me këtë tren. Në vitin 1986, patëm shkuar me disa kolegë për të përcjellë njërin nga koncertet më madhështore të bendit legjendar Scorpions në Hamburg.

Atëbotë, stacioni hekurudhor i Fushë-Kosovës, i cili luante rolin e qendrës hekurudhore në ish-Jugosllavi, ishte njëfarë Evrope në miniaturë, ndërkohë që secili nga ne mund të udhëtonte drejtë Evropës nga Fushë-Kosova, pa patur nevojë të kishim viza e shumë pengesa tjera që na shfaqen sot.

Kjo linjë kishte emrin simbolik Akropolis, pasi nisjen e kishte në Athinë u ndërpre në vitin 1991, më saktë kur filloi lufta në Kroaci. Të gjitha republikat ish-jugosllave u izoluan për shkak të luftërave të cilat i filloi Serbia duke përjashtuar Slloveninë, ndërkohë që Kosova vazhdon të mbetet e izoluar edhe tash.

Projekti i ambasadorit amerikan, Richard Grenell njëmend është i madh. Neve duhet të na mbajë shpresa se treni Akropolis mund të rikthehet me vullnetin politik të BE-së. Shqiptarët meritojnë të jetojnë të lirë e të paizoluar si gjithë popujt e Evropës dhe Beogradi të mos mbetet stacioni ynë i fundit!

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco