Kur gjeopolitika bëhet pjesë e drejtësisë së shteteve sovrane

Kur gjeopolitika bëhet pjesë e drejtësisë së shteteve sovrane

Nga Dren Dushi - 11/03/2024

Toleranca e perëndimit për liderët autoritarë!

Evropa qendrore gjeografikisht është më e madhe se ajo perëndimore, jo gjithëherë madhësia  nënkupton më shumë pasuri, por në këtë rast po. Evropa qendrore përveç që lidhë rrugë jashtëzakonisht të rëndësishme të qarkullimit të mallërave, edhe energjisë (që konsiderohet sot si rruga e mëndafshit dikur, por që tash njihet si rruga e energjisë), ka rezerva të mëdha nafte, gazi, gruri, xehesh, dhe akoma më me rëndësi se këto, ka rëndësi super të madhe në aspektin ushtarak. Deti Kaspik, Deti i ZI, Karpatet, lidhja Azi-Evropë, të gjithë këto janë periferi të Evropës Qendrore, pra pjesë përbërëse. Jo më kot, gjeopolitologu Halford Mackinder, kishte thënë se kush e sundon Evropën Qendrore e sundon botën.

Plani i Rusisë që të marrë hakun për atë që ndodhi në vitin 1989 dhe gjatë viteve 90, pra shembjen e BRSS-së, ka filluar të përshpejtoj me hyrjen në dekadën e dytë të shekullit XXI, dhe ku kemi arritur deri më sot? Për të shpjeguar këtë, na duhet një auditim i asaj çfarë bëri Brukseli këto dy dekada në raport me Rusinë.

Gjeorgjia është një nga tentativat e hershme të Brukselit, dhe sot kemi një situatë ku as që bëhet fjalë që Gjeorgjia të bëhet pjesë e NATO-s apo ndonjë entiteti tjetër gjeopolitik perëndimorë, me dy rajone të cilat tashmë i ka shkëputur Moska dhe pa një pavarësi esenciale.

Situatë e ngjashme dështimi është edhe në rajonin e konfliktit të cilin e mban në kontroll po Moska, pra në mes të Armenisë dhe Azerbejxhanit, e të gjitha këto rajone, janë rrugë të rëndësishme të shprehura më sipër, por kanë të përbashkët edhe një gjë tjetër, autoritarizmin.

Gjatë kohës kur Rusia po planifikonte shkëputjen/aneksimin e Krimesë dhe lindjes së Ukrainës, Brukseli kishte krijuar një tregti miliardëshe me Moskën, por jo vetëm, kishte krijuar edhe një varësi të konsiderueshme energjetike nga gazi rus, pra me atë që sot e quajnë të çmendur e autoritar, Presidentin Putin, meqë ka nisur luftë totale pushtuese në Ukrainë. Nuk kanë qenë të padukshme shenjat e ekspansionit rus as në kohën kur zyrtarë të lartë të BE-së, e shteteve të BE-së, takoheshin e ngrisnin dolli dhe nënshkruanin shumë gjëra, me “të çmendurin” e Moskës, duke injoruar kështu totalisht pavarësinë, interesat dhe madje ekzistencën e shteteve të rrezikuara nga Putini.

Toleranca për një shtet autoritar të madh, nënkupton lënie hapësire edhe për shtete tjera autoritare të vogla. Toleranca dhe flirti i Brukselit me liderë autoritarë mund të shihet më së miri në rajonin e Ballkanit, ku kemi një situatë në miniaturë, të asaj që është në Rusi e rreth saj.

Përderisa disa studiues kishin konsideruar se investimet në ndërtim të shtetit në Kosovë ishin më të mëdhatë në botë (për kokë banori), në krye të Kosovës ishin persona me qasje autoritare, siç ishin Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa e Kadri Veseli. Që të gjithë (pa Mustafën) të përmendur në raporte të shërbimeve sekrete të rrjedhura nga Wikileaks, dhe dy prej të cilëve tashmë janë duke u përballur me aktakuza për vrasje të dhjetëra individëve nga po drejtësia (për aq sa mund të quhet) evropiane, duke u konsideruar kjo si një kthesë në qasje të shtet ndërtimit në Kosovë, nga publicistë si Veton Surroi. Por si ishte e mundur, që shërbimet e intelegjencës të këtyre shteteve respektive, raportonin për këta liderë si “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, teksa me po këta bënin ujdi gjeopolitike e shtet ndërtuese?

Vjedhja e zgjedhjeve, kapja e shtetit, kapja e ekonomisë private me oligopole, ishin diçka normale për Kosovën, dhe normale për byrokratë të BE-së, për aq sa ata para tyre dhe interesave të tyre ishin “good guys”, siç do të pretendonte Hashim Thaçi për veten e vet, dhe homologun e tij Vuçiq, ish Ministrin e Propagandës së Sllobodan Millosheviq, urdhërdhënësit të masakrave në Kosovë.

Qëndisja gjeopolitike e Ballkanit, pra politikat e BE-së, kanë qenë thjesht një qasje që blen kohë, mban gjendjen problematike por jo shumë problematike, bën qejfet e oligarkëve të rajonit, bankave, kompanive të ndërtimit të rrugëve, prvatizuesve etj., me kusht që të ruhet “stabiliteti” i përkohshëm, siç ishte ruajtuar në Ukrainë, Gjeorgji, Armeni, Azerbajxhan etj.

Por ka dallime nga rastet në raste.

Shqipëria është një vend pak a shumë sui-generis, me një industri të fuqishme të prodhimit e transportimit të drogjeve, që është kombinuar me shtet kapjen dhe krimin e organizuar në nivele tjera, ka bërë që ambienti për një regjim autoritar të krijoj kushtet më të mira, që tashmë po ndihmohen edhe nga zhvillimet gjeopolitike, pra edhe nga politika të interesave të jashme.

Ndërtimi i soliterëve në vija bregdetare me dhjetëra kilometra, nga një shoqëri që është e varfër, po ashtu ndërtimi i dy-tri Tiranave rreth Tiranës, duke i dhënë përfundimisht goditjen e fundit në aspektin urbanistik kryeqytetit shqiptar ku për të hyrë e dalë duhet gjysmë dite nga mos përballimi i infrastrukturës për gjithë atë ndërtim mafioz të shpërlarjes së parave të drogës e krimit të organizuar.

Por, është pikërisht ky shtet, që kohëve të fundit po pret liderë të mëdhenjë të “botës së lirë”, dhe po pretendon nikoqirllëk në gjeopolitikën ballkanase, meqë ky shtet, ndonëse nuk ka shumë të përbashkëta etnikisht e kulturalisht me shtete tjera autoritare apo gjysmë-autoritare në rajon si Serbia e dikur Kosova, kanë të përbashkëtat e tyre.

Shqipëria e Edi Ramës ka bërë një ujdi me ndërkombëtarët pak a shumë siç bënte dikur Ahmet Zogu e Enevr Hoxha, ata shtrinin fuqinë e tyre në Shqipëri, me kusht që të bëheshin të dëgjueshëm për interesat e jashtme në Shqipëri (siç janë sot interesat e politikave të emigracionit, politikat bankare, zona kufitare bregdetare) por edhe duke u bërë “good guys”, që do të thotë; heqje dorë nga çdo interes shqiptar jashta kufijve të Shqipërisë dhe pashallëkut të pushtetit të tyre. 

Kjo është arsyeja përse ka përplasje mes Kryeministrave shqiptarë, të Kosovës dhe Shqipërisë, meqë ky i fundit, pra Edi Rama, ka tjera plane gjeopolitike. Për Ramën, është me rëndësi të jetë “good guy”, siç ishte Thaçi dikur në Kosovë, dhe kjo për Kosovën nënkupton një shtet të kapur, autoritar, por që Serbisë i jep Asociacionin pa njohje, Malit të Zi demarkacionin pa liberalizim të vivzave, serbëve të Kosovës decentralizim me Milan Radoicicin terrorist në krye, dhe shumë lëshime tjera episodike pa asnjë ndryshim të qasjes nga Beogradi, të cilit Rama ia ofron tregun dhe “Ballkanin e hapur” (pa Kosovën shtet të barabartë). 

Por që Shqipëria të bëhej garancë gjeopolitike me “good guys” të interesave të jashme, por “criminal guys” të interesave të brendshme, duhej krijuar një mekanizëm legjitimues, pra duhej krijuar SPAK, një strukturë e posaçme anti-korrupsion, që ka sjellur Shqipërinë në ditë që Policia e shtetit shet video edhe të Mbretërisë, te ofertuesi më i madh, dhe që ndihmon arratinë e secilit të fortë të rrezikuar nga ndonjë përgjim që e bën të pa-mundur mos arrestimin, por që nuk kursen liderin e opozitës meqë ai kundërshton publikisht planin gjeopolitik në Ballkan ku Beogradi është lëvizësi i parë. 

Ish Kryeministri Sali Berisha, që gjatë kohës së pushtetit të tij ka pasur një proces tranzicioni i cili, marrë parasysh konditat sociale të Shqipërisë, ndikimit të jashtëm dhe luftës në Kosovë, mund të thuhet se ia ka dalur mirë, si një nga mobilizuesit e parë kundër komunizmit, sot gjendet në burg shtëpiak, dhe kjo është një ironi e besa edhe tragji-komedi e këtij denoncimi gjeopolitik që e ka nisur kohë më parë. 

Po të qëndronte Berisha në heshtje, po të mos denonconte projektet për ndarjen e Kosovës, taktizimin Rama-Vuçiq, Thaçi, planet sorose, strukturën mediatike të parave rajonale për qëllimet po rajonale e në tkurje të botës shqiptare, sot Berisha do ishte deputet “i respektuar” nga SPAK-u, do dilte të bënte ecjet e tij në plazhin e Durrësit, dhe sigurisht që do mund të takohej edhe liderët e “botës së lirë”, si një “good guy”. 

Por jo, në një shtet ku 25 vjeçarët që kanë pasur prindër varfnjakë vozisin AMG-të e tyre 150 mijë euroshe, e ku një ish Kryeministër ndiqet për çështje kuadrature, mjafton të japë tërë shpjegimin e situatës. Por pyetja është, ku e çon kjo demokracinë e periferive të BE-së? 

Përgjigjien më së miri e japin rezultatet e këtyre politikave, nga Gjeorgjia, Armenia e Azerbajxhani, te Srbska Republika, Serbia, Moldavia e Ukraina. Kemi humbur dy dekada si rajon, jemi bukur afër asaj që kemi qenë para dy dekadave, vetëm se tash kemi një Serbi më të militarizuar, pa opozitë, një Srbska Republikë që po shpallë publikisht se do ta prishtë Bosnje dhe Hercegovinën, një Mal të Zi ku forcat që proklamojnë një Serbi të madhe tashmë janë në qeverisje, dhe një Shqipëri me popullësi në arrati, por që po hapë dyert për emigrantë të ikur nga luftërat e të tjerëve. 

Kosova mbetet zona e vetme e rezistencës, e një rezistence të demokracisë e idealizmit gjeopolitik, kundër një kaosi që e ka kapluar perëndimin, jo vetëm tash, por dy dekadat e fundit, kjo jep edhe shumë shpjegime tjera, nga sanksionet, te heshtja dhe sabotimi i rezultateve të Banjskës, meqë, duket se ka plane tjera për Ballkanin perëndimorë. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco