Testi PISA, si arritëm deri te numri 83?

Testi PISA, si arritëm deri te numri 83?

Nga Dren Dushi - 15/01/2024

1. A ka Kosova shumë “pronto” mësues? 

Teksa kohezioni social me Milan Radoiçiq, si faktor me të cilin “duhet biseduar” sipas një ish Kryeministri të Kosovës, kishte garantuar disa Qeveri jo-demokratike në Kosovë, partitë nepotike e të klientelave kryesisht kishin rezervuar postet e larta shtetrore për “elitat” familjare dhe të oligarkëve të plaçkës së tranzicionit, pozita si ajo e mësuesve ishte rezervuar për klientelën që nuk konsiderohej mjaft e fuqishme sa të marrë poste zëvendësministrash, apo këshilltarësh nëpër dhjetëra ministri që kishte krijuar Kosova. 

Ata që nuk “rehatoheshin” lart, në Qeveri, do rehatoheshin më poshtë, në nivel lokal, respektivisht edhe në shkolla fillore e të mesme, disa me lidhje më të forta nepotike e klienteliste, drejtorë, ata më të dobëtit; bën edhe mësues. 

Sigurisht që kjo nuk vlen për të gjithë mësuesit e Kosovës, meqë ka të mrekullueshëm e dimë, por vlen në nivel të fenomenit, dhe për më tepër, rezultatet e testit  PISA, tregojnë shumë për arsimin që kemi ndërtuar tash e dy dekada, por edhe për atë se çfarë përfaqësojnë partitë politike kosovare; përgjithësisht grupe mjerane të interesit për tu “rehatur” diku me një pagë. 

Të degradosh pothuajse çdo pozitë pune publike, po, këtë e kemi arritur shumë kohë më parë. Respekti për veteranin e luftës; në rënie, për policin, mësuesin, Ministrin, Deputetin; në rënie, për mësuesin e arsimin në përgjithësi; testi PISA. Rezultatet në formë statistikash, pra faktet shkencore, janë shumë kokëforta, dhe po, Kosova ka shumë “pronto” mësues.

2. Kur japin mend të pa-mendët 

Akademia e Shkencave me disa kuadro të fuqishme të vjetra, që dha disa vlerësime e ide çfarë të bëhet me arsimin e Kosovës, qe kapur si plaçkë tranzicioni nga LDK, teksa fakultetet që ishin po-ashtu të dominuara nga profesorë që kishin qenë në LDK, filluan të kapen si plaçkë lufte nga PDK, duke hyrë në fazën e parë të krijimit të profesorëve të parë “pronto” diku kah vitet 2010, të cilët do jepnin mësim edhe në fakultet të edukimit, ku do pregaditeshin “pronto” mësuesit e parë. Pra të pa-mendët do jepnin mend te disa tjerë të pa-mend, për të dhënë mend te grupi tjetër që do dalë në PISA 83% i pa aftë të kuptoj atë që ka lexuar.

Sigurisht nuk e kuptojnë as këtë shkrim. 

3. Të testojmë apo jo “pronto” mësuesit, bashkë me mësuesit e duhur? 
Ky debat ka filluar tash e një kohë në Kosovë, dhe si kanë rrjedhur ngjarjet? Kanë rrjedhur ashtu që të faktojnë konstatimet e sipërme; pra se Kosova ka shumë “pronto” mësues, dhe se këto kuadro përdoren qoftë nevoja edhe për organizime para-politike. 

Këtë e ka dëshmuar më së miri koordinimi i SBAShK-ut të Rrahman Jasharit (meqë e ka privatizuar tash e shumë kohë), me bosët e tij nëpër partitë e vjetra politike, të cilët i konsiderojnë “pronto” mësuesit, si ushtri të vetën elektorale, e gatshme të sabotoj, protestoj, shantazhoj Ministrinë e Arsimit dhe përgjithësisht Qeverinë e tanishme të Kosovës. 
Kjo e bën shumë problematike çështjen, sepse arsimi i Kosovës, në tentativë për të ndryshuar duke i testuar “pronto” mësuesit, të cilët prodhojnë kuadro të pa-dijshme, mund të marrë akoma më shumë goditje nga po këta, meqë koordinimi parti të vjetra/sindikata që krijuan këtë sistem, është i të njejtit nivel si nëpër kryesitë e partive politike, në mos akoma më mirë. 

4. Efektet e kuadrove të “pronto” mësuesve

Mjafton të hysh nëpër rrjete sociale, të shohësh nivelin e të shkruarit, mjafton të shohësh shpallje të tipit; “shes bmw m poqet dixell shum i mir avtomatik me 200 mij kalume shum i rujtun nuk baj nrim me dukumenta”, apo të shohim trendet e rinisë, interesimin për emisione banale e embicilësh, fenomenin e bërjes të shumë idiotëve të famshëm, klikimin e tyre, komentimin, ndjekjen. 
Dhe kjo masë, do votoj zgjedhjet e ardhshme, e frikshme apo jo?

5. Kritika për popullizmin

Supozojmë se kësaj mase, pra shifrës 83, i shpjegojmë plan të mirëfilltë qeverisës 4 vjeçar, ndërhyrjet makroekonomike që do bëhen, GDP-në, borxhin publik, administrimi me buxhetin e shtetit, sfidat e sigurisë, gjeopolitikën e kështu me rradhë. Dhe njëherish supozojmë se kësaj mase, pra 83-shit, i ofrojmë ndonjë “VIP” Big Brother, kombinuar me një fushatë elektorale populliste të tipit “200 mijë vende të reja pune” që dikur ofronte PDK, apo ndërtimin e shesheve për të kapur defat e sorrollatur kot duke e bërë komunikacionin statik, cilën e zgjedhin? 

Sigurisht, këto fakte komplikojnë edhe politikën, edhe të ardhmen tonë në tërësi, edhe të atyre 17% që u supozoka se dinë të kuptojnë atë që lexojnë sipas testit PISA, dhe kjo “arsyeton” përdorimin e popullizmit, propagandës, mashtrimit, makiavelizmit ekstrem, oportunizmit e kështu me rradhë. Pyetja më e madhe është; sa e vështirë është jeta me 83% analfabetë funksional që të rrethojnë, komentojnë, shajnë, kontaminojnë? Çfarë do të bëjmë me ta? Kush do t’i krijoj familjet e reja e kush do bëhet nënë a baba? Këto janë rreziqe serioze për Kosovën, mbase më të mëdha se rreziqet tjera që i komunikojmë çdo ditë. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco