Të flasim pak për efektet e liberalizimit, juve punëtorëve të sektorit privat

Të flasim pak për efektet e liberalizimit, juve punëtorëve të sektorit privat

Nga Dren Dushi - 04/01/2024

Në një market përballë shtëpisë time, i përmasave bukur të mëdha e mirë i furnizuar, dominon një forcë shumë e re punëtore, pra nën 23-4 vjeç (me 18 e 20 më shpesh). Me qëllim pyeta një vajzë që punon aty, nëse ishte lodhur apo mërzitur më shumë, fytyra shprehi dëshpërimin dhe përgjigjia ishte pozitive, pra ishte lodhur dhe mërzitur. 

Pyeta vajzën për orarin, dhe orari ishte 8-5, teksa pushim nuk kishte as të shtunën, e besa për çudinë time, as të dielën. Kur më dha këto info teksa kryeja pagesën, fytyra e saj rriti akoma më shumë dëshpërimin, ishim në prag të festave. 

Po e nis këtë shkrim me këtë ngjarje, të cilat lexuesi (sado i paktë) mund t’i hasë gjithandej, meqë pronari i këtij marketi, për njohurinë time të konsiderueshme të markave të veturave, vjen me BMW X6, modeli i fundit e ngjyrë bardhë, i cili në treg kap shifrën rreth 120 mijë euro. 

Të pyesja edhe për pagën do ishte e tepërt kuptohet, por di që vajza në fjalë vjen këmbë e shkon këmbë në punë, sigurisht jo me X6, si të pronarit të saj tullac, me kokë të rruar, e mjekër të ngjyrosur zi, veshur shtrenjtë, por si mos më keq në mungesë shije. 

Ky është përgjithësisht e shpesh, realiteti i punëtorëve të sektorit privat me paga 350 euroshe, pra punëtorisë së neo-skllavërisë. Më kujtohet edhe një tjetër rast, këtë rradhë i një mikut tim magjistër shkence në filozofi, teksa një kompani teknologjie që fillon me A, i kishte thënë se gjatë orrarit 8 orësh nuk mund të ulet asnjëherë, dhe se nuk ka as ku të ulet meqë nuk ka asnjë karrige për punëtorët. 

Se shefa pikash derivatesh, pozicionojnë Maseratit e tyre pranë punëtorëve me paga 400 euro, sigurisht nuk janë informacione për lexuesin por kam një pyetje që duhet përgjigjur. 

Kush morri paratë në duar për biznese të mëdha e oligopoliste në Kosovë gjatë këtit dy dekadëshi? 

Përgjithësisht ata që plaçkitën tranzicionin, fondet “3%” e “vendlindja thërret”, ata që bënë privatizimet me 3-4 euro për arë, ata që kontrolluan OSHP-në e gjykatat, policinë e prokurorinë, pikërisht, shumica e tyre morrën edhe përgjithësisht biznesin e Kosovës në duar. Shumë prej tyre njihen, e quhen oligarkë, por janë shumë më shumë se kaq. 

Teksa na çmendin çdo nat nëpër studio televizive me “analistët” e tyre të mjerë, ata kanë kapur përgjithësisht edhe paratë e tranzicionit dy dekadësh, dhe si plaçkitës që janë, duan të plaçkisin edhe punëtorët, i shohin si skllevër të tyre, dhe për këto dy dekada, nuk janë sfiduar nga askush.

Më e keqja që mund t’i ndodhë një shteti, është kur milionerët i ka për faqe të zezë, pra i ka nga korrupsioni e krimi i organizuar besa, i ka nga shoqërimi me terroristë si Milan Radoiçiq, dhe këta milionerë, që bëjnë akoma sot ligjin meqë kanë punësuar shumë prokurorë e gjykatës mjeranë për dy dekada, shpesh me ironi e sarkazmë u thonë punëtorëve “shkoni ankohuni ku të doni”.

2.. Pasoja 

Një shtet pa forcë punëtore, për ata që dinë sado pak shkencat sociale, është një shtet i sfiduar fort, dhe se në Kosovë duhen bërë shumë ndryshime, apo thënë më mirë, liberalizimi i vizave do t’i bëj vetë ndryshimet. Shteti mund të filloj me më shumë inspektorë pune si fillim, por ka ca gjëra tjera. 

Tani janë dy zgjidhje, ose tullaci mjekër-zi me X6 do t’i mundësoj punëtores së re pushim vikendeve, e një pagë përballuese për jetën, ose punëtorja do shkoj në botën ku rënia e vlerave njerëzore nuk ka pësuar deri në shkallë të barbarizmit skllavërues, ose do të detyrohet të marrë nga bota e tretë, nga Nepali ta zëmë, ose afrikë, punëtorë të rinjë, t’ju mësoj gjuhën, t’ju paguaj akomodimin. Rasti i dytë është më i kushtueshëm për tullacin me X6, besoj që do përfitoj punëtorja. 

Por të kthehemi te niveli de-jure i liberalizimit të vizave, një arritje e Qeverisë Kurti 2 pa dyshim, meqë ata të mëhershmit nuk kalonin dot edhe kushtin “luftim të korrupsionit”, kjo për ta ishte dhe është si ndalje fryme. Ky liberalizim është e qartë çfarë nënkupton, liri e lëvizjes pa viza për ata që kanë para. Sepse pa para, nuk e blen dot as një biletë autobusi për Vjenë, por përse pra gjithë ky diskutim e ankim nga biznesmenët për forcën punëtore që po ikë? 

Sigurisht, realiteti është se ata që do dalin si turristë e vizitorë të ligjshëm me liberalizim vizash, për sa kohë që do rrinë atje, do tentojnë të bindin dikë se janë punëtorë të mirë, dhe se duan një vizë pune, e duke qenë se ka vend për punëtorë të mirë në perëndim, shumë prej tyre do kenë sukses për këto viza pune. Jam i bindur, se vajza, punëtorja e mjekër-ziut me X6, kryen punën edhe në Gjermani, por nuk do të punoj me orar të zgjatur, pa vikend e pa sigurim shëndetësor. 

Nuk mund të bëhemi ilzuzivë, e të mendojmë se forca punëtore e jona do vazhdoj të jetë neo-skllavëria e biznesmenëve që plaçkitën tranziconin e ekploatuan me forcë punëtore si dikur në Afrikë. Sigurisht që ka biznesmenë që paguajnë e nuk shkelin në dinjitetin e djersën e punëtorëve, por sa janë do na mësoj pikërisht lëvizja e forcës punëtore këtë vit, e viteve në vazhdim. 

Efektet nuk do jenë shumë dëshpëruese, pra do kemi rritje të dinjitetit të punëtoëve, më shumë barazi sociale e më pak arrogancë tullacësh me X6. Për më tepër, do kemi akoma më shumë remitenca nga forca punëtore që do dalë e nuk do shkëputet me Kosovën. Fundja, po të mos iknin shqiptarët nga Kosova, kush do financonte Kosovën? 

Një Kosovë e lirë në lëvizje me Evropën, është një Kosovë më evropiane, më pak radikale e më shumë tolerante, më e hapur në mendje, në vlera, në kulturë drejt normalizimit si shoqëri. Tregu e ekonomia e lirë, gjen përherë rrugën me “dorën e padukshme”, madje në mënyrën më të mirë.

Nuk ka vend për brenga, Kosova i ka bërë ballë sfidave shumë më serioze, por duhen marrë disa masa qeveritare me shpejtësi. 
Përveç inspektorëve të punës, duhen bërë analiza e matje se cilat janë sfidat më të mëdha përse njerëzit ikin nga Kosova? Sepse nuk është përherë përgjegjia “paga të ulëta”, mund të jetë mbase “banim tepër i shtrenjtë” edhe për paga të konsiderueshme, e që do zgjidhej nga një plan urbanistik normal, ngase banimi eskaloj meqë asnjë qytet në Kosovë nuk u rrit të paktën me standardin infrastrukturor të Jugosllavisë, duke bërë koncetrim enorm të ndërtimeve në zona tepër të ngushta e tepër të shtrenjta. 

Mbase përgjigjiet për secilin efekt, do jap vetë tregu i lirë, jo vetëm i mallërave, por edhe forcës punëtore, meqë ne rrallë si komb i kemi paraprirë ngjarjeve, predispozitat i kemi që vetëm ngjarjet na paraprijnë neve. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco