Arrestimi i Berishës si fillim i pandëshkueshmërisë

Arrestimi i Berishës si fillim i pandëshkueshmërisë

Nga Alfred Lela - 02/01/2024

Nga Alfred Lela

“Sali Berisha, 79 vjec, i njohur si ”Baca’ në dosjen “Metamorfoza””, dhe me lidhje të forta me krimin transnacional të drogës, u la në arrest shtëpie nga GJKKO të shtunën paradite. Berisha, një prej oligarkëve të mëdhenj në vend, me veprimtari në infrastrukturë dhe shërbime, ndërtuesi i Rrugës së Kombit, i tunelit të Elbasanit dhe së fundmi të Llogarasë dhe Rrugës së Arbrit, njihet për aksesin në fondet publike. 

Arrestimi i Berishës u bë pasi autoritetet policore të Francës i dorëzuan Shqipërisë dosjen e dekoduar të telefonave Sky, ku Berisha shfaqej dendur në mesazhe me “”investitorin strategjik” Pëllumb Gjoka dhe një radhë personazhesh të botës së krimit. Pavarësisht moshës, ai njihej për jetën luksoze, udhëtimet me carter, lidhjet me gra më të reja, sponsorizimin e yjeve të ekranit dhe muzikës.

Ministri Taulant Balla dhe kryeministi Rama e përshëndetën arrestimin e Bacës “si një arritje spektakolare të ngjashme vetëm me frekuentimin e Shqipërisë nga 10 milionë turistë gjatë këtij viti”. Berisha ishte i fundit nga dardhëngrënësit pas shpinës së KM dhe tani Shqipëria mund të flerë e qetë. Ambasadat e ShBA, BE dhe Britanisë, lëshuan deklarata mbështetësë për kufizimin e lirisë së oligarkut”.

Teksti më lart është i imagjinuar, domethenë merreni si parodi, por kur lexon mbrojtjen që proqeveritarët i bëjnë arrestit të Sali Berishës, kryetar i opozitës, vetëm një tekst shoqërues i tillë do tí shkonte kronikës së ngjarjes. Fshehja e faktit se ai nuk është qytetari Sali Berisha, por lideri i opozitës, dhe sidomos përfundimi se masa ndaj tij, jo vetëm i jep fund pandëshkueshmërisë, por edhe e cliron opozitën, përbën një logjikë që e tradhëton të vërtetën dhe fyen logjikën.
Sali Berisha u bë shënjestër vetëm pasi u rizgjodh në krye të opozitës. Si qytetari Sali Berisha nuk u ngacmua për asnjë ditë nga autoritetet e drejtësisë edhe pse ishte larg pushtetit që nga viti 2013.

A është rastësi kjo? Do të ishte një nga ato rastet “1 në 1 milion” kur kaq shumë përkime qëllojnë të jenë rastësi.
Sali Berisha si lider i opozitës është sot i izoluar politik me të drejta të mohuara dhe të humbura, të cilat ai i zotëron edhe si qytetar, edhe si eksponenti më i lartë i opozitës.
Për të nuk ka një akuzë, megjithatë ai është izoluar. Ai është izoluar edhe pse SPAK kreu një shkelje të Kushtetutës duke anashkaluar Parlamentin. Në vijim, në vend që të korrigjonte gabimin duke tërhequr masën, Prokuroria e ashpërsoi, edhe pse asgjë nk kishte ndryshuar në raport me subjektin Sali Berisha. Prokuroria ra rrjedhimisht në imagjinaren që Sali Berisha kishte ndërtuar për ta, me apo pa të drejtë, duke i konsideruar si mashë politike.

Për më shumë, tehëzimi i masës së sigurisë arrest “me burg” me mbikqyrje policore dhe heqje të komunikimit, e bën masën tejet politike, sepse e fut gjykatën në konfigurime jashtë kontekstit dhe natyrës së vet përballë subjektit. Gjykatësit e dinë, edhe pse mund të mos e dëshirojnë, që Sali Berisha është shefi i opozitës. Bllokimi i komunikimit do të thotë pengim i kontakteve të një udhëheqësi politik me partinë dhe me zgjedhësit dhe kjo, volens non volens, në një rend demokratike, krijon një insinuatë politike.

Ajo që vlen në rastin Berisha nuk është se drejtësia po vepron, por se ajo po insinuon realitete politike, të cilat janë jashtë natyrës së vet. Ajo po bëhet një nyjë e re në lëmshin gordian të pushteteve në dorën e një njeriu. Iluzioni se drejtësia është një pushtet i pavarur nga ekzekutivi kundërshtohet fort nga kursi aktual ku krerët e opozitës përsekutohen për të shkuarën, ndërsa krerët e pushtetit lejohen të projektojnë një të ardhme pa opozitë, do të thotë pa ndëshkueshmëri për veten.

Kaq vlen si sintezë e asaj që drejtësia e re është, dhe si kartolinë nga Shqipëria e vitit 2023, këtë ditë të fundit të vitit.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco