2024 të sjell edhe 'liberalizimin' e gjendjes dhe mendësisë në Kosovë!

2024 të sjell edhe 'liberalizimin' e gjendjes dhe mendësisë në Kosovë!

Nga Shkëlqim Ajdini - 29/12/2023
Nisi me vështirësi, kaloi kështu, po përfundon me vështirësi.
 
Për Kosovën, vti 2023 po përmbyllet me sfida të natyrave të ndryshme, mes ulje ngritjeve.
 
Konstante, fatkeqësisht mbetet situata ekonomike në vend, me çmime të fryera e të pakontrolluara sa duhet.
 
Xhepat e qytetarëve gjithnjë e më bosh, kërkesat për jetesë modeste (se jo më shumë) gjithnjë e më të larta.
 
"Infuzionet" e "vitrat" e qeverisë me shuma simbolike, jo që zbutën gjendjen e vështirë, por u "rimorën" mbrapsht me "interes", me çmimet enorme të faturave të rrymës në këtë fundvit.
 
Çarja nuk po gjindet! Të paktën për përimirësimin e qytetarëve jo. 
 
Sepse, çare po ka ta zëmë për këshilltarë politikë me rrogë 7 mijë e 500 euro!
 
Mes vështirësive për përmirësimin e mirëqenies sociale, pati edhe zhvillime dramatike politike.
 
Me boshtin e problemit, Asociacionin, situata në veri u përshkallëzua gjatë këtij viti, mes tensionesh që kulmuan me sulmin terrorist serb në Banjskë.
 
Pasojat e atij sulmi terrorist, krijuan një situatë të re në dialogun mes Kosovës e Serbisë. Por, që çuditërisht ajo që po vuan nga "drejtësia" evropiane është ende Kosova e jo Serbia.
 
Qeveria e Kosovës mes përpjekjesh për ta shtruar sovranitetin në veri, deri tani suksesshëm, njërin sy mban edhe nga kërcënimet serbe të vazhdueshme për sulme të tjera potenciale nga Serbia.
 
E, krejt në këtë "mesele", opozita po mundohet të tregohet se është e gjallë. 
 
Partitë opozitare disa hërë "triumfuan" karshi disa nismave të qeverisë, duke ua rrëzuar në Kushtetuese. 
 
Por, pashmangshëm ende peshon barra mbi ta për pasojat nga koha e qeverisjeve të tyre.
 
Shqetësuese edhe në vitin që po e lëmë pas ishin vrasjet e grave dhe dhuna ndaj tyre.
 
Institucionet përgjegjëse nuk po arrijnë të parandalojnë këtë të keqe, që njollos shoqërinë kosovare.
 
Gratë dhe nënat kosovare, janë simboli kryeesor që ne duhet të krenohemi. Sepse, nuk kemi tjetër me çka të krenohemi.
 
PËR FUND
 
2024 nis me diçka pozitive për qytetarët. Kështu të paktën perceptohet tani për tani.
 
Më në fund, kosovarët mund të lëvizin lirshëm në Evropë nga janari. Lirshëm, pa viza, por jo të liruar nga barra e peshimit të xhepave të tyre!
 
Me shpresë se, 2024 do të sjell edhe "liberalizimin" e gjendjes dhe mendësisë në Kosovë! 
 
Gëzuar!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco