A mundet të jetë ëndrra shqiptare një kredi shtetërore dhe kafe turke?

A mundet të jetë ëndrra shqiptare një kredi shtetërore dhe kafe turke?

- 25/12/2023

Kryeministri Edi Rama pati rastin të japë disa argumente se pse shqiptarët duhet të rrijnë në Shqipëri në vend që të ikin, fjala vjen, në Gjermani. Dhe besoje apo jo, argumenti i tij kryesor është se këtu ke mundësi të pish kafe, në daç ekspres, në daç “lëng gështenjash”, ndërsa në Gjermani, sipas tij, jo.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Këtë vit, një metodë për mësimin e gjuhës gjermane pa mësues u bë një libër i shumëkërkuar në tregun modest të librit në Shqipëri, dukshëm jo aq shumë për shkak të pasionit të zbuluar nga shqiptarët për mësimin e gjuhëve të huaja se sa për aspiratën gjermane.

Por çfarë ofron Gjermania më shumë se sa Shqipëria? Sipas Ramës, nuk ofron gjë në krahasim me paketën e tij qeverisëse. Ai deklaroi si ofertë joshëse një program qeveritar që ka për synim të subvencionojë interesat e kredive për shtëpi për mjekët, ushtarakët dhe policët. Sipas Ramës, ky program “është rruga më e mirë dhe më e sigurt, veç të tjerash të jep më shumë qetësi të brendshme, se sa të jetosh në vend të huaj, 99% e atyre ti as nuk i prek dot, vetëm i shikon, siç i shikon në një vitrinë, sepse çmimet janë të larta.” Dhe po ashtu, sipas Ramës, në Gjermani, nuk ke kohë për të pirë një kafe, e për të bërë muhabete shqip. 

Ai argumentoi më tutje duke thënë se në Zvicër, njerëzit që marrin pagë 5 mijë apo 6 mijë franga “nuk e nxjerrin dot muajin”.

Është një moment për reflektim: çfarë ofron Gjermania më shumë se sa Shqipëria?

Njeriu jeton si për punë ashtu edhe për qejf dhe historikisht, ndërsa bota ka gjetur mënyra për të matur punën, për të llogaritur atë në bazë të nevojave dhe për t’i bërë këto të krahasueshme nga vendin në vend, ajo vështirë se ka gjetur mënyra për të matur qejfin, apo, fjala vjen, kënaqësinë e pirjes së kafesë turke. E meqënëse nuk gjejmë dot si të masim kënaqësinë, mund të masim ekonominë.

Paga minimale në Gjermani është aktualisht 12 euro për orë [link] ndërsa në Shqipëri është 2.3 euro për orë. [Link] Është absolutisht e vërtetë se në Gjermani, çmimet e mallrave dhe shërbimeve janë më të shtrenja se sa në Shqipëri kështu që, të thuash se punëtori gjerman merr 19 herë më shumë pagë se sa punëtori shqiptar, kjo është e pavërtetë. Vetëm se bota ka mësuar një stil për të krahasuar këto dy shifra dhe, ndryshe nga sa supozon kryeministri, rezultati dukshëm është që 5 apo 6 mijë frangat në Zvicër janë ku e ku më shumë se sa 40 mijë lekë në Shqipëri. Mjeti që ka shpikur bota për të krahasuar këto shifra, duke marrë parasysh çmimet e ndryshme, quhet “pariteti i fuqisë blerëse”. Është shpikur në fakt si mjet nga gazeta britanike The Economist në vitin 1984, para se të bëhej standard i ekonomiksit botëror. Logjika e saj është kështu: nëse një hamburger në Gjermani kushton 6 euro ndërsa në Shqipëri kushton 2 euro, atëhere 2 euro të fituara në Shqipëri janë të barabarta me 6 euro të fituara në Gjermani.

Kuptohet që Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo Eurostat përdorin jo vetëm çmimin e hamburgerit por një mori çmimesh mallrash dhe shërbimesh për t’i bërë të krahasueshme gjendjet ekonomike të Shqipërisë dhe të Gjermanisë. Dhe llogaritë e Eurostat [link] thotë se ekonomia shqiptare, me apo pa largpamësinë qeverisëse të kryeministrit, vijon të jetë ekonomia më e varfër në kontinent, ku, duke marrë parasysh partitetin e fuqisë blerëse, prodhimi i brendshëm bruto i shqiptarit është sa 34 për qind e mesatares evropiane. Kjo do të thotë se në Gjermani, si punëtori i thjeshtë, ashtu edhe ai mesatar apo ai i lartë, fiton mesatarisht tre herë më shumë se sa mund të fitojë në Shqipëri.

Kuptohet që krahasimi në të ardhura në vetvete nuk ka vlerë të lartë matëse. Njeriu nuk jeton vetëm për para, ndonëse, kryeministri besoj bie dakord me këtë, kur ke shumë para, është më mirë se kur ke pak. Struktura shoqërore, struktura pronësore, transporti cilësor, mjedisi, klima, sistemi i ngrohjes apo i kondicionimit, këto janë komoditete që nuk varen tërësisht nga niveli i të ardhurave, por edhe nga lloji i shoqërisë që politikanët krijojnë.

Për shembull, në Gjermani, shumica dërrmuese e popullsisë jeton në banesa me qira dhe banesat me qira shpesh hanë një të tretën e të ardhurave ndërsa në Shqipëri, shumica e popullsisë jeton në shtëpinë e vet dhe pa qira. Në Gjermani, shtëpitë janë të ngrohta ndërsa në Shqipëri, varfëria është e tillë sa shpesh nuk i mundëson qytetarit të paguajë për një mjedis komod. Maksimumi mundesh të ngrohësh një dhomë ose një gjysmë dhome.

Nga ana tjetër, punëtori në Gjermani pret të marrë si pension 1500 euro në muaj, ndërsa në Shqipëri, pensioni mesatar është 160 euro në muaj. [Link] Nëse kryeministri preferon krahasime popullore, mund të themi se një pensionisti gjerman, pasi të heqë një të tretën e pensionit për qiranë e shtëpisë, i mbeten 20 gjela deti për të blerë, ndërsa shqiptarit, duke mos marrë parasysh faturën e dritave, i mbeten sërish pak më shumë se tre gjela deti.

Kryeministri foli në një pseudoevent të organizuar me pompozitet prej tij për të shpallur se diku rreth 300 familje, nga punonjës të administratës publike, përfshirë mjekë, do të përfitojnë kredi me interesa të subvencionuara nga taksapaguesi. Kjo nuk e shmang dot të përmendurin e faktit që Gjermania është duke rekrutuar mjekë të huaj për të dhënë shërbim shëndetësor falas për popullsinë e vet, diçka që në Shqipëri, ndoshta vetëm Rama nuk e di që nuk është falas.

Gjithsesi, krahasime të tilla janë vetëm detaje të parëndësishme. Autori i këtyre rradhëve është nga ata që besojnë se shqiptarët nuk po largohen nga vendi për paga më të larta në Gjermani apo gjetkë. Pabarazia ekonomike nuk shpjegon dot se pse ka në vitin 2023 shqiptarë të gatshëm për të rrezikuar jetën me gomone për të kapërcyer kanalin anglez. Shqiptarët nuk po ikin në Gjermani për paga më të larta.

Të treqind familjet që pritet të marrin kredi me interesa të subvencionuara nga ata vetë, pritet të përfitojnë, sipas një përllogaritjeje të përciptë, rreth 35-45% të asaj që do të kishin shpenzuar në rast se do të merrnin kredi të pasubvencionuar. Pra, nëse marrin, fjala vjen, 100 mijë euro kredi, do të duhej të paguanin bashkë me interesat 140 mijë euro. Kjo bazohet në interesin aktual të kredisë për shtëpi në tregun bankar shqiptar (është 4% dhe jo 6, siç i shkau goja kryeministrit), si dhe supozimit se kredia do të merret me afat 15 apo 20 vjeçar.

Ka dy lajme të këqija për mjekët, policët apo mësuesit që po shpresojnë të blejnë shtëpi: e para, falë politikave të ndritura të qeverisë Rama, përfshirë një bllokim trevjeçar të lejeve të ndërtimit kur ai erdhi në pushtet, mungesën e zgjerimit të qyteteve kryesore të vendit me plane të rregullta urbane apo lejimit të parave të krimit për të parkuar paratë e drogës në tregun e ndërtimit, çmimet e banesave janë dyfishuar përgjatë gjashtë viteve të fundit, sipas llogaritjes së Indeksit Fischer nga Banka e Shqipërisë. [Link] Me pak fjalë, subvencionimi i interesave nuk mjafton as për të mbuluar rritjen krejtësisht të palogjikshme të çmimeve të banesave. Dhe lajmi i dytë i keq është që, me pagat aktuale të sektorit publik, ka pak gjasa që shumica dërrmuese e punonjësve të shtetit të kenë mundësinë të paguajnë këstet mujore.

Nëse merr një kredi 100 mijë euro, edhe me interesa zero, kësti mujor është 420 euro në muaj për kredi 20 vjeçare dhe 555 euro në muaj për kredi 15 vjeçare. Bankat nuk japin kredi me këst më të lartë se sa një e treta e të ardhurave vjetore dhe, nëse e ke pagën 700 euro në muaj, siç është paga mesatare neto e sektorit publik aktualisht, kjo kredimarrje është paksa e vështirë.

Rritja e çmimit të pronave të patundshme gjatë viteve të fundit në Shqipëri nuk duket se ka ardhur nga ndonjë rritje e papritur e kostove. Së paku, nëse i besojmë shifrave të INSTAT, kostoja vijon të jetë pak a sjhumë 300 euro në muaj, pavarësisht se çmimet kanë shkuar pesëfish të kostove. Ndërsa subvencionimi i interesave të kredisë mund të ndihmojë kryeministrin të mbajë një fjalim tjetër përballë figurantëve në teatrin e tij absurt, ndoshta është më mirë që qeveria të pyesë se pse çmimet e pronave kanë fluturuar në nivele të tilla në raport me kostot dhe se çfarë mund të bëhet për të ofruar banesa të përballueshme për të gjithë, qofshin këta punonjës shteti apo punonjës privati.

Ndoshta të pirit të kafesë ka gjasa shijon më shumë në Shqipëri (gjë për të cilën nuk jam i bindur), por sa i përket të tjerave, politikat largpamëse të qeverisë shqiptare dukshëm nxjerrin Shqipërinë humbëse.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco