A ka një çështje 'Partizani' dhe kush është zaptuesi?

A ka një çështje 'Partizani' dhe kush është zaptuesi?

Nga Gent Strazimiri - 23/11/2023

E quajnë jo pa qëllim ‘çështja Partizani’, për të krijuar perceptimin se ‘Partizani’ është pronari, viktima, i dëmtuari, mbajtësi i së drejtës ligjore e morale ndërsa, ‘zaptuesit’ janë Alimehmetët, Llagamt, Vaqarrt, Saliagat e Begejat e për më tepër me... korrupsion, megjithëse kanë zbatuar ligjin...(?!)

Nëse do ta quajmë ‘çështja Partizani’, zaptimi, shkelja ligjore e morale fillon në 4 shkurt 1946, ditën kur dikush nga ‘partizanët’ vendosi që ‘Ushtria Popullore’, që të mbronte Atdheun duhet të luante edhe me top në brekë e kanotjere...(?!)

Mirëpo që ‘mbrojtja e Atdheut’ të kryhej siç duhej, ‘Ushtria Popullore’ këtë lojën me top duhej ta bënte në tokat që ishin pronë shekullore e Alimehmetëve, Llagamve, Saliagave, Begejave, e Vaqarrve...(?!)

Kësisoj, ‘partizançe’, përzunë pronarët, u rrethua vendi, vunë një ushtar tek dera, dhe një tabelë ku e quajtën ‘Klubi Partizani’..

‘Partizani’ jo vetëm nuk u pagoi asnjë cent, por thjesht i përzuri prej aty, madje edhe duke i gjobitur me disa qindra milionë euro të sotmet, si ‘shtypës dhe shfrytëzues të popullit’...

Në të gjithë historikun e pronës në fjalë, ‘Partizani’ është zaptuesi, rrëmbyesi, opresori, madje edhe vrasësi i ndonjërit prej pronarëve të tokës.

Legjislacioni i sotëm i Republikës së Shqipërisë, këtë veprim të 4 shkurtit 1946 e quan ‘zaptim’, e konsideron persekutim, anti-ligjor, anti-moral e anti-drejtësi!

Për këtë arsye është sanksionuar me ligj detyrimi i shtetit për kthimin fizik të pronave të zaptuara ‘partizançe’ prej ‘Partizanit’ kudo ku ka ndodhur dhe, dëmshpërblimin financiar ndaj të pronarëve të dëmtuar...

Nga pikëpamja ligjore, ‘Çështja Partizani’, nëse emërtohet si e tillë, nuk mundet të konkludojë përveçse me pagesën e qirasë së munguar të shfrytëzimit të paligjshëm të pronës që nga 4 shkurti 1946 e deri ditën që pronarët e rimorën sërish në dorëzim.

Mirëpo jo!

‘Partizani’ i pangopur, i pangijshëm, përpara se të ndërpriste zaptimin 70 vjeçar, jo vetëm nuk pagoi kurrë asnjë cent por u mori edhe nja 800 mijë dollarë të tjerë për karakatinën që quhej ‘godina e klubit’...

‘Partizani’ dhe partizanët, nuk kanë patur e as kanë prona në asnjë pëllëmbë të Shqipërisë, në asnjë cep të saj e kësisoj nuk kanë e nuk kanë patur të drejtë pronësie mbi asnjë copë truall ku abuzivisht kanë vendosur një tullë mbi tullë, apo një rrethim.

Pavarësisht këtyre të vërtetave historike dhe ligjore, aktualisht Abi Malltezi , brezi i tretë i pronarëve të vrarë me plumb e të shpronësuar në 4 shkurt 1946, sot është në burg prej ‘drejtësisë popullore’ sepse i paskësh shkelur të drejtën e pronësisë (?!)... ‘partizanit’... madje megjithëse ‘drejtësia popullore’ pranon se ka zbatuar ligjin...(?!)

‘Çështja Partizani’ është sajuar e montuar prej trashëgimtarëve të ‘partizanit’ të 1946 si revansh politik, pikërisht ndaj pronarëve të ligjshëm të cilëve ua zaptoi tokën 77 vjet më parë.

Ata vazhdojnë të jenë viktima e përherëshme e ‘drejtësisë popullore’ që sot quhet SPAK, dhe ‘ligjës’ së partizanit që vinte gardhe e hiqte gardhe jo sipas ligjit por sipas epsheve të bandës që na pushtoi me 29 nëntor '44.

Ata vazhdojnë të shkojnë në burg në daç ta zbatojnë e në daç të mos ta zbatojnë ligjin...?!

‘Të presim derisa ‘drejtësia’ të flasë deri në shkallë të fundit’ nuk është opsion, përsa kohë ‘gjatë pritjes’ pronari i ligjshëm Abi Malltezi qëndron i burgosur po prej ‘Partizanit’, zaptuesit që i vrau paraardhësit!

Personalisht, do kisha dashur shumë ta pres ‘drejtësinë të flasë’ ndërkohë që secili prej atyre që e artikulojnë këtë si opsion, të ishte në burg pa të drejtë si Abi Malltezi, por fatkeqësisht as kjo nuk është e mundur.

Jo sepse ata janë të mbrojtur e nuk do u vijë radha të shkojnë në burg, jo!

Askush nuk është i mbrojtur sot, as ata!

Është e pamundur, sepse Gjykata e Strasburgut e quan ‘një shkelje të hapur të të drejtave të njeriut, me pasoja imediate, shumë të rënda dhe të pariparueshme’...

Mund të jesh dakord ose jo por, Gjykata e Strasburgut i quan njerëz me të drejta të pacënueshme, edhe këta që paguhen për të promovuar, justifikuar e legjitimuar publikisht shkeljen e përsëritur të të drejtave të njeriut dhe padrejtësinë, madje deri në ç'njerëzi... si në 1946!

KAQ!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco