Takimi i 'Elefantëve' të shtunën

Takimi i 'Elefantëve' të shtunën

Nga Shenoll Muharremi - 18/10/2023

Për herë të parë pas sulmit të 24 shtatorit do të kemi 5-shën e emisarëve të dialogut që do të jenë në Kosovë. Hera e parë pra që do të ballafaqohemi. 

Ata do të kërkojnë të vazhdoj dialogu pak a shumë ashtu si ishte. Sidomos do të insitojnë që marrëveshja dhe plani i veprimit i Ohrit të zbatohet nga palët. Edhe shoku Lajçak është pjesë e ekipit. 

Ky ekip do të vie pas Beogradit në Prishtinë. Sigurisht që kjo nënkupton që presioni i madh do të jetë edhe mbi Serbinë pas sulmit në Banjskë dhe fakteve që ka paraqitur qeveria e Kosovës për përfshirjen e institucioneve të Serbisë në sulm. 

Në Kosovë nuk po diskutohet për pozicionin e Kosovës dhe cili do të jetë qëndrimi ynë. Qeveria nuk duket që ka pasur ndonjë takim me pjesëtarët e opozitës dhe presidentën me u koordinuar para takimit. Kjo mënyrë e bërjes së politikës dhe marrjes së vendimeve nuk e forcon pozicionin tonë, përkundrazi e zbehë. 

Deri tani dihet që edhe Kryeministri i Kosovës, që është personi kryesor nga ana e Kosovës, po insiton që marrëveshja e pajtuar (dhe e pa nënshkruar nga Serbia) të zbatohet në tërësi. Ky duket se do të jetë pozicioni i Kosovës, përderisa 5-shja do tentoj të i bëjë presion Presidentit të Serbisë të pranoj dhe nënshkruaj e zbatoj marrëveshjen. 

Me siguri edhe puna e zgjedhjeve në veri do të jetë një temë. Beogradi ka zbutur qëndrimet dhe tani Lista Serbe po konfirmon që do të marrë pjesë në zgjedhjet në veri. Pozicioni i Qeverisë së Kosovës është forcuar në veri në terren pas konfiskimit të armatimit dhe kontrollit në disa lokacione. 

Shumica e zërave në Kosovë kanë bërë thirrje që dialogu të ri-modelohet që të jetë më efikas dhe pragatik sidomos me një kornizë kohore të shkurtër. Ka pasur edhe zëra që Lajçak nuk ka më kredibilitet të jetë lehtësues, por ai tashmë po vie me 5-shën nuk është vet. 

Me siguri edhe Kosovës do ti kërkohet të bëjë kompromise rreth asociacionit se për tu arritur dhe zbatuar marrëveshja nevojitet një kompromis nga të gjitha palët. Presioni ndaj Kosovës do të bie tek zbatimi i Asociacionit dhe organizimi i zgjedhjeve në veri.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco