Kornizat 'strategjike' të Edi Ramës

Kornizat 'strategjike' të Edi Ramës

Nga Zejnullah Jakupi - 17/10/2023

Edi Rama ishte fantastik dhe mund të themi se shkëlqeu në Samitin e Procesit të Berlinit.Pritja ishte madhështore - nëse e shikojmë nga këndi i mentalitetit tonë ballkanik. 

Koha ishte e mirë, tepihu i kuq, Edi Rama i priste një nga një dhe i përqafonte, ju bënte komplimente dhe çdo gjë rridhte si më së miri. Samiti kishte një skenar, kishte program të ngjeshur, duke filluar nga shfaqjet kulturor-artistike, seminaret dhe deri tek konferencat për shtyp. 

Pritja me program muzikor ishte e paparë- do bëhet modë edhe për BE-në, pastaj befasia me sjelljen e piktorit shqiptar dhe pikturës – baletit tek të pranishmit e theu mitin për Ballkain e prapambetur.

Edi Rama është artist prandaj e ka këtë komponent. Na emocionoi dhe na befasoi me idetë dhe skenën e improvizuar. Por në të njëjtën kohë edhe na dëshpëroi, kur e tregoi se sa shumë e urren Albin Kurtin e sa shumë e do Aleksadër Vuçiqin.

Natyrisht ka ndikuar edhe tek politikanët evropian, te kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Por kishte edhe tepëri në këtë skenarë. Përdorimi i metaforave, „Dritani më i miri i të tanëve“, pastaj u konsumua edhe shprehja „Babai i Kombit“ etj. 

Dhe, gabimi trashanik i Ramës në konferencë me Presidentin e Francës Emmanuel Macron, të cilin deshi ta bind- besoj se mbas në takim sy me sy e ka bërë, që t´i hiqet liberalizimi i vizave për Kosovën. 

E tha vet, se mund të ndodhë, ka mundur t´ja thotë edhe Macronit. Kjo tregon se Edi Rama krijon sherre ndaj Kosovës, i bënë lojëra Albin Kurtit dhe kjo nuk ka të ndaluar.

Fushata e tij negative është ndërtuar sipas një skenari të një militanti për të treguar sa të rëndësishëm janë mendimet e Edi Ramës. Kritikon Albin Kurtin për të treguar tek grupet neutrale ato perëndimore se Albin e ka keq.

Për të mohuar çdo arritje deri tani- të qeverisjes së Albin Kurtit, e për ta rrënuar autoritetin e tij dhe të atyre që nuk binden dhe kështu mundohet në demonizimin e individit.

Edi Rama përdorë stereotipe dhe i ka në qejf përçarjet: Ai përdor gjuhë polarizuese për të krijuar përshtypje negative ndaj Albin Kurtit. Kjo mund të ndihmojë në thellimin e dallimeve dhe tensioneve ndërmjet dyja shteteve.

Përdorimi i gjuhës polarizuese të Edi Ramës mund të nxitë tensionet dhe konfliktet mes individëve dhe mes institucioneve. Kjo mund të rezultojë në grindje, përçarje dhe tensione më të mëdha në shoqëri mes dyja shteteve që e përbëjne të njëjtin komb. 

Kjo gjuhë polarizuese shpesh ndikohet nga mungesa e dialogut dhe mospajtimet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit. 

Përdoruesi i kësaj gjuhe është Edi Rama, i cili është i prirur të mohojë pikëpamjet e Albin Kurtit dhe të bënë gjithçka që është e mundur për të përjashtuar ose kritikuar ate.

Përdorimi i gjuhës polarizuese mund të nxisë ndjenja të urrejtjes ndaj tij dhe LVV-së ose grupimeve të tjera, qoftë edhe ndaj qytetarëve kosovarë shqiptarë duke krijuar një mjedis të tensionuar dhe të pasigurt.

Gjuha polarizuese është e rrezikshme për shoqërinë në dy anët e kufirit dhe për marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. 

Për të promovuar bashkëpunimin, tolerancën dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet dy kryeministrave, është e rëndësishme, komunikimi i sinqertë dhe javor, për të shmangur përdorimin e gjuhës polarizuese, e në vend të saj duhet të ndërtohet një komunikim profesional diplomatik dhe miqësor, gjithsesi të respektueshëm dhe të ndërgjegjshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco