Me ‘duart lart’ të deputetëve, qytetarët presin paratë nga Trusti

Me ‘duart lart’ të deputetëve, qytetarët presin paratë nga Trusti

Nga Astrit Veliqi - 18/01/2023

E enjtja, me të drejt do të jetë një ditë historike, ku qytetarët do të jenë sy e vesh nga Kuvendi.

Ngase rikthehet në votim, nisma faktike dhe e domosdoshme e tërheqjes së 30% të Trustit, ku mbi 20 mijë qytetarë edhe me peticione dhe nënshkrimet e tyre po kërkojnë paratë e tyre që i kanë në Fondin e Kursimeve Pensionale (Trust).

Prandaj duke e parë gjendjen mjaft të vështirë e cila po vije pothuaj çdo ditë me inflacion rekord, çmime astronomike, në produktet bazike të jetës, është urgjente që deputetët të votojnë që qytetarët t'i gëzojnë kursimet e tyre.

Ky votim po kërkohet nga të gjithë qytetarët ngase kriza ekonomike e cila po vazhdon që nga pandemia dhe agresioni rus në Ukrainën, ka bërë që qytetarët të përballen me kushte mjaft të vështira socio-ekonomike.

Andaj deputetët kësaj radhe duhet dëgjuar zërin e qytetarëve të cilët jo vetëm do t’i ndihmonin ata sidomos për t’i kaluar më lehtë muajt e ftohtë të dimrit, por do të ishte një infuzion edhe për vetë ekonominë tonë.

Deputetët janë të zgjedhur nga sovrani-populli dhe ata e kanë obligim që me votimin e tyre ta ndihmojnë votuesin e tyre, që janë të gjithë qytetarët e vendit.

Marrja e 30% nga Trusti është jetike për shumë qytetarë të vendit ngase nga kriza po përballen me varfëri të skajshme, e që me mundin e djersën e tyre ata edhe po sfidohen seriozisht për të ardhmen e tyre.

Krizat ekonomike, të njëpasnjeshme, që i kanë goditur kosovarët ku çmimet në çdo sektor pa përjashtim kanë shkuar në ‘hava’, sikurse edhe rritja e inflacionit e ka bërë urgjente që qytetarët t’i marrin këto kursime të tyre pensionale.

Prandaj deputetët e Kuvendit pa përjashtim, duhet që nesër të tregojnë se janë guximtar dhe të vendosur, duke u bërë krah i atyre që nuk i kanë as për së afërmi pagat e tyre, por me votën e tyre mbipartiake t’i gëzojnë ata që po presin me padurim t’i marrin të hollat e tyre të kursyera.

Zaten...edhe nuk ka mbetur tjetër rrugë dhe si shpëtim shihet vetëm Trusti, ngase përkundër gjendjes së rënduar ekonomike nuk ka pasur deri tani masa konkrete për zbutjen e këtij kaosi social.

Inflacioni e çmimet po ‘fluturojnë’ çdo ditë të lume, e masat e ‘lëmoshës’ nga Qeveria nuk kanë pasur efekt, duke mbetur gjithçka në vendnumëro pa ndonjë strategji edhe për rritjen e pagave.

Sidomos deputetët e mazhorancës që më herët kanë qenë kundër nismës duhet të ndryshojnë qëndrimin e tyre, duke lënë anash interesat partiake, e duke iu dhënë përfundimisht krahë atyre që kanë më së shumti nevojë.

Nesër me të drejt, sy e vesh qytetarët do të jenë duke pritur ‘aminin’ e deputetëve, që ata me vendimin e tyre me 'duart lart' ta shkruajnë ‘historinë’ e tyre, në të kundërtën do të bëhen ‘shenjestër' e mashtrimit qytetar.

Deputetë të dashur, me votat tona jeni aty në Kuvend, në tempullin e demokracisë, prandaj e keni rastin që të votoni si demokrat të vërtetë, që nesër me votën tuaj pro do të shpalleni ‘heronj’, në të kundërtën do të mbeteni gjithnjë si njollë e zezë e ‘tradhtisë’ qytetare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco