Kultura bën edhe pa art por arti pa kulturë assesi…

Kultura bën edhe pa art por arti pa kulturë assesi…

Nga Nezir Kraki - 17/01/2023

Paraqitja e fundit e miss Kosoves e ilustron shumë mirë këtë të dyten, dmth artin pa kulturë. 

Kur them kulturë nënkuptoj kultivim intelektual të pergjithshëm, jo menyrë sjelljeje moralizuese. 

Kultivim intelektual thash apo? Eh! Fiks aty është defekti i shumë krijimeve artistike që trevat shqiptare prodhojnë në media, rrjete sociale, teater apo film. 

Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse krijimet e tilla nuk i rezistojnë dot kohës e cila është e pamëshirshme ndaj artificiales, sipërfaqësores. 

Sepse një regjisor i pa kultivuar kurrë film të duhur s’mund të realizojë.

Sikurse një aktor i palexuar që kurrë s’mishërohet sa e si duhet me personazhin që luan, sepse permes leximit guxohet imagjinata e pakufishme. 

Edhe këngët janë të kota kur shkruhen nga autorë pa kulturë, po aq të kota sa emisionet televizive që për art kanë ose injorancën ose silikonin. 

Leximi pra. Leximi do t’ia kishte evituar artin pa kulturë edhe personit që ideo paraqitjen e miss Kosovës. 

Leximi, kultivimi i pergjithshëm intelektual ta mundëson t’i respektosh të gjitha kulturat duke i njohur ato por sidomos duke e njohur tënden. 

Si shqiptarë nuk është se kemi mbiprodhuar kulturë e art këto dy mijë vitet e fundit por edhe pa to nuk jemi. Ato trashëgimi etnokulturore që kemi janë krenarisht të prezenentueshme jo vetëm ne konkurse bukurie. 

Shipja p.sh. si gjuhë, bashkë me greqishten dhe armenishten, janë tri ‘izolatet’ e vetme gjuhësore te familjes indo-evropiane, dmth janë gjuhë pa familje dhe pa degëzime. Vijnë nga thellësite e kohës. Mu sikur veshjet dhe traditat tona, pjesë e madhe e tyre tradita parafetare. 

Nuk është qëllimi t’i biem në qafë miss-it për artin patetik të cilin ajo e kompenson me dukjen e saj, sepse aty s’ishte per art. 

Ideja është të alarmohemi si opinion e si popull karshi kulturës së hiçit, artit të kot dhe krijuesve fiktivë që vepër të vetme kanë botën e tyre paralele brenda së cilës krijojne « art ». 

Kultura është ajo që mbetet kur t’i kemi harruar të gjitha, thoshte André Malraux. Atëherë, edukues e krijues të të gjitha fushave, kulturohuni, kultivohuni para se të krijoni.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco