Nji shpi me budallë

Nji shpi me budallë

Nga Enver Robelli - 13/01/2023

Nga kureshtja profesionale i shikova sot dy emisione të «Ćirilica» të Happy TV të Serbisë. Rreth katër orë terror dezinformativ i cili tregon se çka i servohet sot shoqërisë serbe si informacion. Bashkëbiseduesit kryesisht adhurues të teorive të komplotit: ish-diplomatë të kohës së Millosheviqit, historianë që manipulojnë me fakte, gazetarë të specializuar në deformimin e fakteve, urrejtës të Perëndimit, pështymë-lëpirës të Kremlinit. Dhe një moderator që secilit idiot të dobishëm ia shtron një qilim të kuq për të përhapur konspiracionet më bizare. Me një fjalë: nji shpi me budallë dhe rreth tyre disa statistë, gra e burra, që gjoja përfaqësojnë mesataren e publikut serb.

Çka «mëson» njeriu (shikuesi e dëgjuesi) nga këto dy emisione? Qe disa margaritarë:

- Flora Brovina ka qenë majore e UÇK-së

- Në Rambuje gjithçka ka qenë e kurdisur nga «amerikanët», nga «shërbimet perëndimore», nga «një dorë e padukshme antiserbe»

- Në histori na kanë tradhtuar amerikanët, por edhe francezët, gjermanët po se po, por edhe britanikët

- Ish-ambasadori serb në Gjenevë tregoi se ka qenë pjesë e delegacionit serb në Rambuje dhe një ditë ai qenka fshehur nëpër kaçube të parkut për të dëgjuar se si Madeleine Albright i bërtiste Hashim Thaçit, por ky qortim paska qenë vetëm shou

- Pastaj ky ish-diplomat tregoi se si «kemi pasur lidhje të mira me shërbimin sekret francez, me departamentin numër 12-të dhe ata i kanë incizuar Thaçin dhe Albright dhe na kanë treguar neve». Nëse paskësh qenë ashtu, pse atëherë ambasadori serb në Gjenevë qenka lodhur të fshihet nëpër kaçube në kopshtin e Rambujesë? 

- Një «analist» pastaj tha se Albin Kurti «është më i tmerrshmi» dhe «po të mos e mbanim në burg do të bëhej më i madhi kriminel»

- I njëjti «analist» theksoi se «neve serbëve na mori në qatë ai pijaneci në Kremlin» (e kishte fjalën për Boris Jelcinin)

- Një kolumnist tha se Rusia sot është vendi i vetëm në Europë që po i mbron vlerat europiane siç i ka mbrojtur Serbia më 1999

- Moderatori me ton të shtirur naiviteti pyeti se përse «ne serbët, ndonëse jemi ortodoksë, nuk kemi hyrë në BE, kurse rumunët dhe grekët po». Eh, qe pse, sqaroi një «gjeni i analizës politike»: «Sepse ne jemi më ortodoksë se ata», grekët dhe rumunët, pastaj u «zbuluan detaje» se si CIA, shërbimi sekret amerikan, e ka nën kontroll edhe Patriarkun e Konstantinopojës (Stambollit), Bartolomeun.

- Një historian senil raportoi se si Gjermania nuk ka ndryshuar fare – naziste ka qenë, naziste mbetet

- Mandej ai ish-diplomati që u përmend më lart tregoi se diaspora shqiptare në Zvicër është shumë e rrezikshme, aq e rrezikshme, tha ai, saqë «kur kam shërbyer në Gjenevë autoritetet e Zvicrës më patën lejuar të bart një revole për t’u mbrojtur»

- Moderatori pyeti – prapë me ton të shtirur naiv – se a është e vërtetë që marrëveshja e Kumanovës është nënshkruar në «një shtëpi publike», por «analisti», i cili atëbotë punonte për «media të huaja» dhe ka qenë i pranishëm në Kumanovë, e mohoi këtë, pastaj tregoi se si krejt përmbajtja e marrëveshjes së Kumanovës është një «lojë e pistë perëndimore», sepse aty nuk shkruan se do të kthehen në Kosovë 1000 ushtarë apo policën serbë, por flitet për «osoblje», personel

- Në njërin nga emisionet në studio ishte edhe një «historian dhe teolog kroat», i cili «e mbronte» Kosovën më sertë se ultranacionalistët serbë

- Nga studio përhapej «informacioni» se qeveria e re lokale në Zagreb nuk di të pastrojë as rrugët dhe e ka shndërruar Zagrebin në deponi bërlloku

- «Historiani dhe teologu kroat» njoftoi se Kroacia as që ka ekzistuar dhe se kroatët kanë qenë aq të varfër, saqë kur Mbreti (serb) Aleksandër u dhuroi shtretër prej druri, ata i dogjën për t’u ngrohur

- Seriozitetin emisioneve «Ćirilica» të Happy TV ia shtonte dukshëm një reklamë e përhershme para moderatorit: një kuti me «Štrudle»

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco