Reflektim njëjavor për dramën kosovare në veri që mori vëmendjen e botës

Reflektim njëjavor për dramën kosovare në veri që mori vëmendjen e botës

Nga Ramazan Bekteshi - 16/12/2022
(Filozofia, ‘vetëm me aleatët’ se s’bënë ndryshe, papjekuri politike me pasoja)
Fatkeqësisht, shqiptarët në përgjithësi, e në veçanti disa politikanë, kanë krijuar një filozofi kolektive nënshtruese ndaj të huajve, se ne duhet të bëjmë atë çka na thonë aleatët tanë amerikanë e evropianë. Një filozofi defetiste, që të bënë ta humbësh betejën ende pa e filluar. Tanimë, me dekada të tëra i servohet publikut shqiptar parulla, “në miqësi të përhershme me Amerikën” që tingëllon bukur e dëshirueshëm, por, a mund të ketë miqësi të përjetshme, kur bota ndryshon me shpejtësi marramendëse, dhe me te ndryshojnë edhe gjeneratat por edhe interesat.
S’ka miqësi të përhershme, nëse miku të fal djersën e popullit të vet të bësh shtet, e ti e vjedh shtetin tënd, s’ka miqësi të përhershme nëse miku të çliron dhe të ruan 24/7 mbi 23 vite, e ti shkon me një nënshkrim i fal tokat e stërgjyshërve që u lanë me gjak-e-lot ndër shekuj, s’ka miqësi të përhershme, nëse miku të çliroi, e ti në liri krijon një ushtri 60.000 veteranësh të rrejshëm që e gërryejnë në heshtje lirinë.
Jo më larg se muajin e kaluar Escobar i ftoi në DC dy liderë të partive opozitare, por duke e lëne të tretin jashtë (Haradinajn), jashtë mbetën dhe vizitat e qeveritarëve, me pretekst se ata kanë të bëjnë punë më të rëndësishme, dhe kjo qëndron. Pra, u përdor shkopi dhe karota. Ata që morën karotën dhe ftesën nuk dhanë detaje pse shkuan në DC në numë aq të madh, por u lëvduan me numrin e takimeve, megjithëse qëllimi i ftesës ishte një plan tjetër fare.
Escobar-i aktiv në fillim të kësaj jave ia behu në Prishtinë, shpërndau dy (”karota”), një lajm i mire kur thotë se “Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara” dhe tjetri, në lidhje me kërkesën serbe që të kthehen 1000 ushtarë serb në veri kur thotë: ” Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare”, po ashtu, dha edhe nja dy “shkopinj”, njeri për “Zajednicën” kur thekson se “Ne do ta kemi Asociacionin” dhe tani menjëherë, dhe tjetri “shkop” për qeverinë, kur thekson se nëse nuk mund të vendos vetëm një parti, dhe haptas e thotë, se ka edhe alternativa të tjera, që nënkupton përfshirjen e opozitës e të tjerëve.
Nëse ndodh një alternativë e tillë është për tu shqetësuar fort, sepse ata që ishin në pushtet në të kaluarën, duke u thëne lepe ndërkombëtarëve, u bënë gabime fatale, (1) me demarkacionin me Maqedoninë dhe me Malin e Zi iu morën tokat Kosovës pa të drejte, dhe (2) sollën Zajednicën që rëndon si shpatë mbi një pjesë të trupit të Kosovës, dhe kjo u bë me nënshkrimin e palës sonë, jo të huajve.
Pas sulmeve të bandave serbe ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, Borrel përsëri del në skenë si i njëanshëm, duke thënë se “BE nuk do të toleroj sulme ndaj Eulex-i”, por duke mos i përmendur fare sulmet drejtuar Policisë së Kosovës. Por, Ambasadori Hovenier ishte më real ndaj këtij akti kriminal duke pohuar: “...sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj personelit ndërkombëtar për siguri janë të papranueshëm, përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit të drejtësisë kosovare.” Derisa, Grenell, tani një lobist serb porosit që të tërhiqen barrikadat por jo pa e lëne të lirë personin që sulmoi Policinë e Kosovës, dhe Vuçiqi vazhdon ende t’i dëgjoj këshillat e tij.
Situatën politike në Kosovë pos polarizimeve subjektive të brendshme, e përkeqëson edhe situata e brishtë e Shqipërisë, me një opozite të përçarë e me një kryeministër të paparashikueshëm për vendin, dhe me lidhje të dyshimta me Vuçiqin. Për fat të keq, në anë tjetër, dy negociatorët evropianë, vazhdimisht kanë treguar tolerancë ndaj Serbisë dhe mos tolerancë ndaj Kosovës. Një situatë e tillë e dobëson edhe pozitën tonë negociuse. Serwer, thotë se “Uashingtoni duhet të heqë dorë nga qasja për t’u bërë presion të dyja palëve por të bëhet shumë më i ashpër me Beogradin.”
Christopher Hill, dikur miku ynë por jo tani, deklaroi sot se Serbia ka të drejtë t’i drejtojë kërkesë KFOR ‘it për vendosjen e trupave serbe në Kosovë. Por, njëkohësisht kërkon zgjidhje politike dhe opsionin ushtarak nuk e sheh si një zgjidhje. Rreth kësaj çështje, deklarata e Hill-it është shume kontroverse krahasuar me Escobar-in, që ishte kundër kësaj ideje, si dhe me Ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, që ishte e ashpër dhe deklaroi se kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë është i papranueshëm.
Të gjithë ata ‘shqipe’ që barrikadat i quajtën disfatë për Kosovës u mashtruan keq. Barrikadat u shndërruan në bumerang për porositësin dhe nxorën në shesh të palarat e Vuçiqit, shumë ngjashëm me të Putinit. Nesër, Putini i vogël i Ballkanit të Hapur i kërkon KFOR-it leje që ushtarët e tij që shkaktuan gjenocid në Kosovë të rikthehen në vendin e krimit, le të shohim se çfarë përgjigje do të marri, le të shpresojmë se nuk do të jetë si përgjigja e ambasadorit Hill.
Për fund, të gjithë ata politikanë që shantazhohen, të gjithë ata politikanë që s’mund ti durojnë presionet, të gjithë ata politikanë që s’mund t’ua prishin ndërkombëtarëve, të gjithë ata politikanë, që në emër të miqësisë me aleatë janë në gjendje të nënshkruajnë tradhtinë si pararendësit e tyre, s’duhet t’u jepet shansi edhe nëse konsiderohen si alternativë nga ‘aleatet’. Grenell më herët tentoi të na kërcënoj me grusht shtet e mbyllje të Bondsteel-it, por Amerika s’na braktisi. Përgatiteni për presione, sepse jemi vend sovran, dhe të tillë duhet ndihemi e të sillemi, derisa, Amerika kurrë se braktis krijesën e vet

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco