Britania e Madhe me kryeministër të ri

Britania e Madhe me kryeministër të ri

Nga Daut Dauti - 24/10/2022
Rishi Sunak është kryeministri i ri i Britanisë së Madhe edhepse ende nuk është shpallur formalisht. Kjo pritet të bëhet brenda pak orëve ose minutave, sa do të zgjas procedura zyrtare.

Si u bë që ai nuk u zgjodh herën e parë kur për kundërkandidat e kishte Liz Truss-in dhe që ishte më i mirë se ajo? Ai atëherë nuk u zgjodh për shumë arsye. Nuk do të zgjedhej as tashti sikur ‘1922 Committee’ të mos i ndërronte rregullat. Rregullat u vendosën në atë mënyrë që puna të mos shkonte në votim te anëtarësia e partisë konzervative. Në këtë anëtarësi Sunak nuk do të merrte sërish vota të mjaftueshme. Kjo është për shkak se aty Boris Johnson gëzon popullaritet dhe Sunak shihet si njeri që e rrëzoi Borisin.

Borisi, te një shtresë e konsiderueshme e britanikëve, me popullizmin e tij e ka ngjallur ndjenjën anti-evropiane dhe anti gjithçkaje që nuk duket plotësisht angleze.
Rishi Sunak ka qenë fitues edhe në zgjedhjet e para në mesin e deputetëve konzervativë në parlamentin britanik. Tashti vetëm se është përsëritur kjo gjë dhe është eliminuar votimi i anëtarësisë. Mbi të gjitha, zgjedhja e Rishi Sunak-ut vërteton se elita politike britanike dhe intelektualët e këtij vendi vazhdojnë të jenë shembull i përparimit. Edhe në këtë rast, përkrahja i jepet një njeriu që ka aftësi dhe duke mos ia shikuar aspak anët tjera siç janë origjina, raca, religjioni, etj.

Sunak është zgjedhur kryeministër nga elita politike konzervative për shkak se këta janë të bindur se ai me kualitetet e tija do ta udhëheq vendin me sukses në krizën ekonomike që është Britania e Madhe. Për asgjë tjetër.

Në të vërtetë Sunak nuk ka kazrizmë të liderit, por ka njohuri për ekonominë si askush tjetër në mesin e konzervativëve. Kjo është ajo që kërkohet sot. Besohet se konzervativët edhe me këtë zgjedhje do të mbeten ende në krizë. Problemin e përqarjes në këtë parti Sunak nuk ka mundësi ta zgjidhë. Prandaj, sipas të gjitha gjasave ai do të jetë udhëheqës i përkohshëm. Sa do të zgjas kryeministrimi i tij, është vështirë të dihet saktësisht, por gjithkush shpreson që ekonomia do ta kaloj krizën më lehtë.

Gjatë mandatit të tij, nuk pritet ndonjë ndryshim në politikën e jashtme. Britania do të vazhdoj të ketë politikë të njejtë, si më parë, me SHBA-të, dhe do ta trajtoj njësoj çështjen e Ukrainës dhe Ballkanit. Por, në këtë krizë ka mundësi që këto dy çështje të neglizhohen deri diku. Duhet shpresuar që Sunak nuk do të përzihet në punët e Foreign Office-it.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco