Kryeministër, “jepi shancë paqës”, ajo s’ka alternative

Kryeministër, “jepi shancë paqës”, ajo s’ka alternative

Nga Fadil Sahiti - 21/10/2022

Lëvizjet politike të emisarëve amerikanë dërgojnë një mesazh të fuqishëm. Na thonë hapur: “ka ardhur momenti i së vërtetës”, koha e numërimit mbrapsht - 'count doën'. Personalisht këtë presion e shoh si të shëndetshëm. Pse? Sepse po t'u lihej në dorën e politikanëve shqiptarë dhe serbë, dy popujt do vriteshin deri në shfarosje.

Kur po mendoja se si ta konceptoja këtë shkrim, më erdhën në mendje pikëpamjet e filozofit të madh anglez Thomas Hobbes, i cili bashkë me Makiavelin dhe John Locke për shumëkë konsiderohet themeluesi i mendimit politik bashkëkohor.

Në një farë kuptimi, ligjerimet politike të Hobsit mund të reduktohen në një pikë: politika apo shteti duhet të ketë vetëm një qëllim, e që është krijimi dhe ruajtja e paqes. Pse? Sepse për Hobsin, paqja qëndron mbi të gjitha të mirat e tjera. Paqja është virtyt, lufta është ves. Hobs i kërkon njeriut të vlerësojë virtytet e qytetërimit, të civilizimit. Për të virtytet e civilizimit janë barazia, drejtësia dhe të luash apo të veprosh sipas rregullave të shkruara. Është paqja ajo që i mundëson njeriut të ndërtojë jetën. Ja çfarë shkruan ai në kapitullin X të librit të tij Leviathan: “...në gjendje lufte nuk ka vend për industri (punë te palodhur), sepse fryti i saj është i pasigurt dhe rrjedhimisht nuk ka kultura të tokës, as lundrim, as ndërtime..., as instrumente për lëvizjen dhe heqjen e gjërave që kërkojnë shumë forcë... në luftë nuk ka kalkulim kohe, nuk ka art, letërsi... e cfarë është më e keqja... lufta sjell dhunë, sjell vdekjen.” Të gjitha këto gjëra janë fryt i paqes, na thotë ai.

Nëse detyra kryesore e politikës është të sjellë dhe të ruajë paqen, atëherë Kryeministër, detyra juaj themelore nuk është vetëm të kërkoni paqen, por edhe ta ndiqni atë. Kryeministër, ju e keni për detyrë të na thoni se paqja është në interesin tonë. Por së pari duhet të bindesh veten, por edhe të na bindësh neve duke na thënë se në këtë proces dialogu jemi të detyruar të heqim dorë nga e drejta për të pasur ose për të fituar të gjitha gjërat, me kusht që të tjerët rreth nesh të jenë të përgatitur për ta bërë këtë.

Unë nuk jam politikan, por flas nga pozita e dikujt që e do këtë vend dhe që ka pranuar të jetojë dhe të kontribuojë për këtë vend. Jam ndër ata që besojnë se demarkacioni etnik i kufirit mes dy popujve është mënyra më e mirë për të arritur paqen. Unë ende besoj të njëjtën gjë. Por, nëse paqja mes dy popujve kërkon që populli serb në Kosovë të ketë një shoqatë që mundëson qeverisje më të mirë të problemeve të tyre praktike, atëherë kjo duhet bërë. Unë nuk besoj shumë në këtë ide, por, me sa kuptoj, nëse ky asociacion nuk cenon funksionimin unitar të shtetit, nëse vendet mike japin garanci se kjo nuk do të ndodhë, atëherë bëjeni. Bëjeni sepse kjo do t'i japë paqes një shans. Dhe në paqe do ta kemi shumë më të lehtë t'i kthehemi vetes, problemeve tona të shumta, duke filluar nga arsimi, ekonomia, kultura, shëndetësia...

Kryeministër, ne nuk kemi nevojë për një shtet të izoluar, i cili nuk është pjesë e NATO-s, BE-së, etj. Paqja është premisa për t'u anëtarësuar në këto organizata. Duke qenë anëtarë të barabartë të këtyre organizatave, do ta kemi më të lehtë të menaxhojmë urrejtjen në mes dy popujve. Dhe kjo urrejtje duhet të marrë fund një ditë. Sa më shpejt aq më mirë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco