Autobiografi e kirurgut Artan Dika: Ka ardhur koha të marrë nga një bombonierë

Autobiografi e kirurgut Artan Dika: Ka ardhur koha të marrë nga një bombonierë

Nga Artan Dika - 19/10/2022

Shkruan Artan Dika

Pak autobiografi:
- Kur isha 18 vjeç mbarova Gjimnazin "Xhevdet Doda" dhe konkurova për tu pranuar në Fakultetin e mjekësisë në Prishtinë por nuk më pranuan. U detyrova të shkoj në Tiranë.

- Kur mbarova Fakultetin e mjekësisë, në moshë 24 vjeçare konkurova për specializim, në konkursin me testim në Tiranë për kandidatët që vinin jashtë kufijve. Doja ta marr kardiologjinë. Kandidatët që vinin nga një pjesë tjetër jashtë kufijve dolën më dobët dhe ndërhyn tek ministri në ekzil në Tiranë, i cili ndërhyri tek Ministri i vendit dhe morën për vete copën e luanit. Kisha dalë i pari në testim dhe më takonte të zgjedh, por kardiologjinë e mori i nënti. Më mbeti kirurgjia.

- Kur mbarova kirurgjinë isha 28 vjeç dhe punoja me organizatat e huaja. Konkurova tre herë për tu punësuar në Qendrën klinike në Prishtinë, por nuk më pranuan. Në konkurse gjithmonë dilja i pari nga ata që nuk ishin pranuar. Ata që nuk ishin pranuar dhe ishin poshtë meje me pikë në konkursin e parë, pranoheshin në konkurset tjera. Megjithëse me pjesët tjera kisha më shumë pikë se të tjerët, sipas komisionit, kandidatët tjerë dilnin më mirë në intervistim dhe kështu dilnin para meje. Kurrë nuk e kuptova këtë punën e intervistimit në fakt, se aty vec muhabet pazari bisedohej e pytje konkrete për mjekësi nuk kishte. U detyrova të konkuroj në Shkup.

- Kur konkurova në Shkup për tu punësuar si specialist i kirurgjisë së përgjithshme kisha pak muaj që i kisha mbushur 29 vjet. Doja të shkoja në kirurgjinë e barkut, por më caktuan në kirurgjinë plastike. Ishin punësimet e para në klinika pas MO-së, isha i vetmi specialist që kandidonte dhe kisha rezultatet më të mira, por nuk e kuptova shkakun pse më çuan në plastikë. Ministri i athershëm i shëndetësisë pat thënë se e kemi vendosur të çojmë nga një në çdo klinikë, por meqë edhe ai vet ishte në kirurgjinë e barkut kisha një përshtypje se nuk donte të ja ha bukën atij. U bë si u bë, fillova në Klinikën e kirurgjisë plastike ...

Nejse ... iku ajo punë ... tani mendoj se ka ardhur koha të marrë nga një bombonierë, një kafe dhe një lëng për secilin dhe të shkoj ta faleminderoj secilin prej tyre që ma kanë mundësuar të jem këtu ku jam.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco