Shqiptarët mes kulaçit dhe kërbaçit!

Shqiptarët mes kulaçit dhe kërbaçit!

Nga Ilda Zhulali - 18/10/2022

Pas Holandës (në 2019), Çekia bëhet vendi i dytë i BE që kërcënon me rivendosjen e regjimit të vizave ndaj Shqipërisë. Lëvizja pa viza drejt BE konsiderohet si arritja më e madhe në rajon për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që ka tek qytetarët.

Ndaj dhe kërcënimi me heqjen e këtij privilegji konsiderohet si kërbaçi më i dhimbshëm për qeveritë, për shkak të reagimit qytetar që do të shkaktonte një vendim i tillë.

Çekia, vendi që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ka propozuar që Shqipëria (dhe Serbia) të shqyrtohet përsëri në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave. Kësaj here motivi lidhet me zbatimin e papërshtatshëm të politikës së vizave ndaj vendeve të treta (vende që nuk mund të hyjnë pa viza në BE), duke sjellë si pasojë rritjen e numrit të shtetasve të huaj që kalojnë në mënyrë të parregullt kufirin europian. 

Ka shumë mënyra interpretimi të këtij kërcënimi që vjen nga Çekia. Duke marrë parasysh faktin se kalimi i paligjshëm i kufirit nga Shqipëria synon kryesisht vende të tjera dhe jo Çekinë, kërcënimi i ardhur prej saj nga karrigia e presidencës europiane, duhet lexuar më shumë si një paralajmërim en bloc europian se sa i një vendi anëtar.

Duke marrë gjithashtu parasysh faktin se kërcënimi drejtohet ndaj Shqipërisë dhe Serbisë së bashku, paralajmërimi duhet lexuar në dritën e një retorike kundër-europiane që po ushqejnë gjithnjë e më dendur Rama dhe Vuçiç.

I pari duke shenjestruar “kalbëzimin europian”, i dyti duke luajtur kartën e “viktimizimit të botës serbe”, dhe të dy së bashku duke projektuar një paralele rajonale që ngrihet mes partneriteteve historike me Turqinë e Rusinë, por që duhet të ushqehet edhe prej parave europiane si shpërblim për shmangien e konflikteve. 

Meqënëse as Rama dhe as Vuçiç nuk po heqin dorë prej kësaj qasjeje, por përkundrazi kanë ashpërsuar gjuhën dhe injoruar paralajmërimet europiane, presioni i këtyre të fundit po drejtohet tashmë tek reagimi qytetar ndaj udhëheqësve të tyre.

Meqënëse si Rama dhe Vuçiç po “harrojnë” gjithmonë e më shumë të përmendin përfitimet që kanë marrë e vazhdojnë të marrin nga BE-ja, Europianët po ia kujtojnë vetë qytetarëve të secilit vend se çfarë përfitimesh po vihen në rrezik. 

Paralajmërimi i Çekisë bën mirë të dëgjohet përpara se kulaçi europian që po hamë t’ia zerë vendin kërbaçit që do ta kemi mbi kurriz të gjithë si shoqëri!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco