Po vjen fundi i regjimit, bashkohuni!

Po vjen fundi i regjimit, bashkohuni!

Nga Kastriot Islami - 17/10/2022

Kur i vjen fundi një regjimi, ai perceptohet i rrezikshëm nga qytetarët, kurse ‘guida’ e regjimit bëhet arrogant, i papërmbajtshëm e cinik por në realitet ai kthehet në një bufon të shëmtuar e qesharak më të cilin të gjithë tallen e gajasen; gjithçka ai thotë cilësohet nga shumica ‘marrëzi’ e ‘çmenduri’ ndonëse ai e enturazhi gufosen se gjithçka thotë është puro mençuri e zgjuarsi që si ka thënë as kush më parë, por zor se do të gjendet ndonjë tjetër në të ardhmen që të artikulojë e interpretojë më bukur se guida e tyre... Rasti i vizitës në Strasburg, në Këshillin e Europës, që nga synimi tek ekipi që kishte me vete, qasja apo përmbajtja e fjalës si dhe gjestet, ishin pasqyrimi i qartë i këtij përfundimi.

Lideri i babëzitur pasi kishte marrë ‘timonin e tepsinë’ e pushtetit qendror në duar, në 2021, grabiti në zgjedhje vendore me një kandidat të vetëm, pra më të çuditshmet në botën demokratike, edhe pushtetin vendor të 61 bashkive. Më tej, arroganca, euforia e babëzia e shtynë drejt marrjes së gjithçkaje kishte mbetur, duke vënë nën kontroll sistemin gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, postin e Presidentit dhe duke mos u ndalur deri pas pak kohësh edhe veprimet diabolike për çarjen e shkatërrimin e opozitës së vërtetë për ta kthyer atë në opozitë fasadë..

Pasi ‘gëlltiti’ si i marrë të gjithë pushtetet, ndjehet i rënduar dhe është gati të vjellë gjithçka dhe i duket se poplas nga sëkëlldia... Ai duket nga pamja e jashtme dhe nga përmbajtja e fjalimeve në gjendje shumë rëndë psikike, pa asnjë shpresë dhe me dilema të mundimshme, deri në atë masë sa shkon në Itali ku deklaron marrëzinë e radhës që është bërë virale në median italiane:

‘Kam bërë kontrabandë me vaksinat por duke respektuar ligjin’...’. Kjo deklaratë tregon gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sepse është e pamundur të ‘bësh kontrabandë duke respektuar ligjin’, një marrëzi që ai realisht e ka bërë po tregimi i saj pas një kohë të gjatë, është shenjë e një gjendjeje dizekulibri ekstrem....Ky fakt tregon se lideri suprem vuan nga babëzia e marrëzia për të grabitur poseduar gjithçka, para, pushtet, vota…

Ai tashmë duket se është futur në ‘spiralen e vdekjes’ për të mos dalë dot prej andej duke u zhytur çdo ditë e më thellë në batak. Ai është më se i bindur se as kërcënimet apo paratë për pagesa e majme të lobistëve apo për blerjen e opozitës s’e shpëtojnë dot. Të gjithë janë të neveritur me marifetet e përdorura për të përçarë opozitën apo krijuar opozitën fasadë.

Ai në të gjithë këtë sipërmarrje të përsëritur duket qesharak para të gjithëve. Për më tepër që aktualisht, të gjithë pa përjashtim, përfshi edhe shumë faktorë brenda sektit të tij e kanë kuptuar se sa mediokër, injorant, perverse i paaftë është. Po krijohet bindja e palëkundur se as të vetët s’e besojnë dhe as e mbrojnë më, madje edhe më fanatikët s’kanë shpresë te ai, duke u lutur të shpëtojnë sa më parë prej tij...aq më tepër që ka filluar ti qarkullojë në kokë mendimi makiavelik se zgjidhja e shpëtimit do të mund të vinte duke burgosur disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë...

Përballë opozitës që po organizohet por që ka ende shumë probleme për të zgjidhur, ai ndjen se ditët e tij janë të numëruara duke u zgjuar çdo mëngjes më dilemën ‘e fundit të tmerrshëm apo e tmerrit pa fund..’ Nuk e di as vetë se ç’duhet bërë, nuk e di si të shpëtojë nga makthi që e ka mbërthyer, sepse nga njëra frika e pengon të largohet, kurse nga tjetër lëngimet e nxisin të qëndrojë. I duket sikur po fundoset, duke mos arritur të negociojë as daljen nga kjo gjendje, ndjen se as paratë e shumta, as mashtrimet, as kërcënimet, as lëpirjet nuk e shpëtojnë dot…

Qytetarët të egërsuar nga gjendja e tmerrshme dhe perspektiva e zymtë janë të acaruar, por kur vjen fjala te veprimi i tyre ndjehen të ‘paqartë e deri të mpirë’ duke menduar se in extremis ai do të vetë largohet me mendimin se ‘zoti po i hedh pikërisht atë fat që ai meriton, atë që ai ka kërkuar, atë që ata janë lutur prej kohësh…’. Pra zgjidhja finale duket fatale e makabre! Larg qoftë sepse një zgjidhje e tillë do të ishte e mundimshme edhe për shumë qytetarë!

Në këtë rrethana opozita ndonëse ndjen një presion shumë të madh e deri pasiguri nga diversioni e kërcënimet deri ekzistenciale nga regjimi që po jep shpirt, sepse kështu ndodh sa herë i vjen fundi një regjimi antipopullor, duhet të bashkohet dhe të unifikohet për të vepruar me inteligjencë, mençuri e vendosmëri në këto rrethana të pazakonta, për më tepër që luhet e ardhmja e vendit...

Bashkimi dhe vendosmëria janë dy elementë të një zgjidhje të vetme, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër...pa harruar natyrisht e pa hequr aspak dorë nga ndëshkimi i çdo prapsie..!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco