Zagari i Putinit sjell një lloj të tmerrshëm lufte në Ukrainë

Zagari i Putinit sjell një lloj të tmerrshëm lufte në Ukrainë

Nga Mark Galeotti - 10/10/2022

Bombardimi i urës së Krimesë ishte një dhuratë e pakëndshme si për Vladimir Putin-që festoi 70-vjetorin një ditë më parë-ashtu edhe për komandantin e ri të përgjithshëm të ‘operacionit ushtarak special’, Gjeneral Sergei Surovikin. Sot ata u kundërpërgjigjën me goditje me raketa të Kievit dhe qyteteve të tjerë të mëdhenj që nuk ishe parë që nga fillimi i luftës.

Raketa e dronë kamikaze goditën një rang objektivash, disa të konsideruar si strategjikë në kuptimin më të dobët të fjalës, si ura e nyje hekurudhore, por kryesisht civilë. Edhe perëndimi i vendit, i cili kryesisht i kishte shmangur sulmet më të këqija ruse, pati goditje pa bërë dallime.

Synimi ishte i qartë, ndëshkim e terrorizim, një sulm hakmarrjeje në përgjigje të ‘aktit terrorist’ -siç e quajti Moska-mbi urë, kryer nga shërbimet speciale ukrainase.

Kjo zor se habit më ndokënd. Putin duhej të përgjigjej pas sulmit poshtërues mbi urën që e kishte hapur personalisht dhe që simbolizonte lidhjen e Krimesë me territorin kontinental. Ndonëse nuk ka ende ndonjë kërcënim serioz për pozicionin e tij, kjo ishte sfidë e hapur për autoritetin e tij dhe që u zmadhua nga skifterët në median sociale dhe televizionin kombëtar.

Surovikin ka qenë oficer karriere që ka luftuar në Afganistan, Taxhikistan e Çeçeni, si dhe ka shërbyer një tur në krye të Drejtorisë së Operacioneve Kryesore në Shtabin e Përgjithshëm, zakonisht shenjë se një oficer po përgatitet për t’i dhënë post madhor. Më 2017, ai ishte në krye të VKS, forcat ajrore dhe hapësinore ruse.

Ai ka shërbyer në dy misione në Siri, më 2017 e 2019, periudha në të cilat pati bombardime veçanërisht të ashpra të qyteteve rebele si as Aleppo e Ghouta. Kjo ka konsoliduar reputacionin që i paraprin kësaj lufte, për kombinim kompetence me mizori ekstreme. Ky është një person që e sheh terrorin si të legjitimuar, ndoshta edhe si pjesë të pashmangshme të një lufte.

Tani, si komandant i përgjithshëm në vend të vetëm një fronti të luftës, Surovikin ka autoritet më madh për të përdorur asetet konvencionale strategjike ruse, bombarduesit me rreze të gjatë dhe nëndetëset e flotës së Detit të Zi, të cilat mbartin raketa cruise. Tani ai ka mundësinë edhe të koordinimit të operacioneve përgjatë frontit, në një mënyrë që nuk mundej më parë.

Ngjitja e tij në komandën e përgjithshme të luftës tregon synimin për ta rigjallëruar atë. Me fluksin e pritshëm të të paktën dhjetëra mijëra rezervistëve të mobilizuar – të tjerë mund të mbahen për të formuar njësi të reja në vend që thjesht të rimbushin ato të zbrazurat – mund të ketë edhe një farë shprese për të qenë në gjendje të nisin ofensiva të reja. Kjo ka të ngjarë të jetë një ambicie e kotë, por Surovikin është pikërisht lloji i ushtarit agresiv, luftarak, të cilin Putini do të dëshironte në krye, në rast se do të synohej vërtet një ofensivë e re.

Një herë pyeta një oficer në pension që kishte shërbyer nën komandën e Surovikinit se çfarë mendonte për të. Ish-oficeri, njeri përgjithësisht i butë, kapsalliti sytë, uli filxhanin e çajit, dhe tha me qetësi: ‘Bastard. Nga koka te këmbët’. Edhe një atashé mbrojtjeje perëndimor që e kishte takuar komentoi për përpjekjet që Surovikin dukej se bënte vazhdimisht për të frenuar një tërbim të brendshëm. Ky është njeriu që tani komandon luftën.

Surovikin – i cili më 2004 telendisi një nga vartësit aq shumë sa e bëri të vriste veten – mund të jetë pretendent edhe për të zëvendësuar Gjeneralin Valery Gerasimov, i tallur përherë e më tepër, si shef i Shtabit të Përgjithshëm, ndaj ka gjithçka për të provuar. Zor se mund të ndryshojë dinamikat kryesore të luftës, pasi Ukraina ofron trupa gjithnjë e më të stërvitura trajnuar mirë dhe armë të avancuara. Sidoqoftë, ai do ta provojë dhe kjo nënkupton edhe më shumë sirena të alarmeve ajrore në qytete të mëdha e të vogla në gjithë Ukrainën.

Marrë nga Spectator.co.uk-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco