Verën e ‘territ’ po e jetojmë, por ende s’e kemi parë atë të dimrit!

Verën e ‘territ’ po e jetojmë, por ende s’e kemi parë atë të dimrit!

Nga Astrit Veliqi - 29/08/2022

Kosova e vogël por me 'shpirt të madh', sot po përjeton krizën ma të madhe energjetike, një moment ky i rëndë për të gjithë kosovarët të cilët i ka mbuluar ‘terri’.

Por ky terr si për çudi po ndodh kur jemi në fundin e muajit të nxehtë të verës, ku shumë bashkëbombas tanë po i kalojnë edhe ditët e fundit në atdheun e tyre.

Një atdhe ky i cili po përjeton zhurmën e tmerrshme të gjeneratorëve, duke na kujtuar kohët e rënda të pasluftës, kur reduktimet e rrymës kanë qenë enorme.

Por sot jemi 23 vite pas luftës ku shteti po konsolidohet çdo ditë, duke aspiruar madje që në të ardhmen të jetë pjesë e BE-së por edhe e NATO-s.

Megjithatë rruga deri në Evropë po del të jetë me pengesa të mëdha, duke bërë që vendi ynë i vogël po sfidohet seriozisht si pasojë e shumë faktorëve, që ndërlidhen zinxhir prej pandemisë e deri të agresioni rus në Ukrainë.

Krejt kjo gjendje e rënduar si duket na ka zënë të papërgatitur, me një qeveri e cila ma shumë ka qejf t'i ‘thurë vetes lavde’ por i harron dështimet e saj, duke ia hudhur fajin të tjerëve.

Përveç shumë sfidave dhe krizave të shumta, ku jeta dhe e ardhmja e qytetarëve nga çmimet rekorde po rrezikohet çdo ditë, tash së fundi po ballafaqohemi me mungesë të energjisë elektrike.

Ky terr energjetik si për çudi është paralajmëruar kohë më parë, ku siç dihet pas luftës në Ukrainë gjithçka ka ndryshuar, duke u sfiduar edhe vetë ora e historisë globale.

Por si për çudi, Qeveria e Albin Kurtit, si duket nuk tregoi guxim e vullnet për të marrë masa adekuate dhe për ta parandaluar terrin energjetik.

Paaftësia institucionale sikurse në shumë sfera, përfshi këtu edhe ‘luftën’ e hapur me sindikatat rreth grevës në arsim,  dëshmoi edhe njëherë për një 'zhgënjim' edhe të atyre qytetarëve që me votën e tyre e kërkuan ndryshimin e madh me mbi 50% të elektoratit.

Por si duket të keqen dhe krizën e madhe që po na pret ende nuk e kemi parë, kur jemi duke shkuar kah stinët e ftohta të vjeshtës e dimrit, e që konsumi i energjisë do të rritet bindshëm, me çka kosovarët nga mungesa e rrymës edhe do të 'mërdhijnë' nga i ftohti.

Pa dashtë me jep ndonjë prognozë statistikore, megjithatë premisat aktuale na tregojnë jo vetëm tek ne por edhe në sferën globale, se dimri që po vjen do të jetë më sfiduesi deri më tani.

E kjo sidomos do të jetë e vështirë për shtetin tonë, që ende nuk ka treguar ndonjë strategji se si të dilet nga kjo krizë, sikurse edhe për shumë tjera mjaft serioze që na presin në të ardhmen e afërt.

Krejt në fund, pushtetet edhe shkojnë e vijnë por mirëqenia dhe siguria e qytetarëve duhet të jetë alfa e omega e çdo vendi demokratik, prandaj i mbetet Qeverisë ta kapi trenin e fundit, në mënyrë që dimri që do të vije të kapërcehet më lehtë nga kosovarët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco