'Malli' i opozitës për pushtet, rreth Albinit e përbashkuar

'Malli' i opozitës për pushtet, rreth Albinit e përbashkuar

Nga Albina Haliti - 29/08/2022

Ne nuk bëjmë opozitë për dialogun, jemi unifikues.

Ne nuk bëjmë politikë për politikën e jashtme.

Ne nuk bëjmë politikë me e për aleatët e Kosovës.

Ne nuk bëjmë politikë me shtetet e rajonit, nuk koordinohemi.

Ne nuk bëjmë politikë me jetën e qytetarëve, për ekonomi jemi të bashkuar.

Ne nuk bëjmë politikë me çështjet e drejtësisë, për vetingun.

Ne nuk bëjmë politikë për komunat, kërkojmë bashkëpunim me Qeverinë.

Ne si opozitë nuk jemi të bashkuar, ndaras e bëjmë politikën opozitare.

Ne nuk bëjmë politikë me çështjen e veteranëve.

Ne nuk e kemi fuqinë politike të numrave në Kuvend.

E, me çfarë bëni ju politikë?

Për çka duhet të jeni JU alternativa?

………………..

Fuqia politike e Albin Kurtit në karrigen e kryeministrit nuk rrezikohet kurrë nga kjo opozitë.

Partitë opozitare po merren me veten, po reformohen nga brenda me struktura të vjetra.

Fasada e fytyrave të reja, nuk po iu shkon.

Albin Kurti nuk është model i mirë i opozitës, por as kjo opozitë JO.

Sa herë që Albini i thërret në takim janë të gatshëm të shkojnë, por nëse nesër i shkojnë në takim bëjnë gabim.

Ai erdhi në pushtet dhe e kërkoi krejt pushtetin, që këta të mos kenë në duar vendimmarrje. Pse shumica e Kurtit në Kuvend, asnjë nismë të vetme të opozitës nuk e shqyrtoi, lëre më ta kalojë ndonjë nismë?

Çka i duhet Kurtit kjo opozitë, veç ta shesë si fuqi të tij politike në arenën ndërkombëtare?

A është aq e dobët opozita sa t’i thotë “jo” Kurtit? Nuk e mendoj këtë.

Konsensusi shoqëror dhe politik duhet të ndërtohet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, gjithmonë duke respektuar rrugën juridiko-kushtetuese të procesit, për të ardhur deri te një konsensus politik dhe jo e kundërta.

Kuvendi, mediat, konferencat duhet të jenë arena e debatit, jo takimet në zyrat e Kurtit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco