Si nëpër oda, marrëveshje gojore!

Si nëpër oda, marrëveshje gojore!

Nga Kimete Berisha - 28/08/2022

Si nëpër oda, marrëveshje gojore!

A quhet marrëveshje, nëse nuk ke kontratë të shkruar…apo e ha pazari edhe kontratën gojore…

si me mjeshtrin kur merresh vesh gojarisht, me ta ndreq nevojtoren, dhe në fund gjithmonë të del dyfish më shtrenjtë,

…se qysh e “kishe pas ti nevojtoren, o Zot, me pas ditë, për ku me ditë për sa pare nuk isha hy aty…veç mbasi e dhashë fjalën…”.

Edhe turshitë i blen pa marrëveshje me shkrim. Prandaj, veç fillimi i thesit të qëllon me somborka të mira, e pastaj pasojnë specat e kal’b’t’, që nuk ke se si ia kthen sepse nuk ke kontratë me shkrim…dhe tregtari bën sikur nuk i kujtohesh që i ke blerë te ai.

Nejse, në këtë blog ka njerëz që e kanë kthyer në treg edhe pasulin me tenxhere, pas 10 orëve që kanë pritur të zihet, e nuk është zier.

Me çka i ke obliguar Ti serbët ta respektojnë marrëveshjen e vitit 2011?

Gjithçka që pranojnë serbët – është në dobi të serbëve.

Kjo nuk diskutohet.

Kjo marrëveshje është në dobi të serbëve, sepse ata duan të dalin te Asociacioni.

Marrëveshja gojore e Albin Kurtit me Aleksandër Vuçiq është “Hyrje në Asociacion”.

Kryeministri Kurti e quan marrëveshje, dhe atij i konvenon ky stil i “besës” së odave sepse nuk e ka nënshkrimin askund.

Është politikani i parë shqiptar që ka lidhur besë me serbët, e besa nuk nënshkruhet me fjalë.

Edhe për t’u lidhur në dashuri nevojiten një kerr letra, por qe, Albin Kurti me armikun e tërbuar Aleksandër Vuçiq (që dje tha se i ka në fiok 7 çnjohje të Kosovës), merret vesh me gojë.

Guxim i madh.

Asgjë e re nën këtë qiell.

Lajm është që Albin Kurti e ka pranuar marrëveshjen ekzistente të vitit 2011, sherri i së cilës, u patën bë kërrsh Lëvizja,…që ishin kundër lëvizjes së lirë dhe tash s’janë më kundër lëvizjes së lirë.

Kaq.

Nuk ka ndodhur asgjë e re për neve.

Në fakt vetëm Albin Kurtit i ka ndodhur një ngjarje, pas 11 vitesh e ka pranuar marrëveshjen e vitit 2011.

Dhe, këtë e ka bërë në mënyrë gojore, pa lënë gjurmë.

Dhe këtë “veprim” e “shet” si marrëveshje të re.

Ku është ajo marrëveshje e Re?

Nuk ka marrëveshje të re.

Nuk ka nënshkrime të reja.

E pse pra bota perendimore e priti Albin Kurtin kaq gjatë për ta “studiuar” marrëveshjen?!….

sepse, shqiptarët vërtetë kanë besuar se Albin Kurti “nuk e ka pasur për pushtet”, por për Kosovën.

Gjithkush që merret me politikë, e ka për pushtet.

Ka edhe përjashtime, që janë të rralla. Autorja e këtij shkrimi, as nuk e ka për pushtet, as për pëlqime, as për pare.

Thjesht e ka për qejf: se qejfi është më i madh se Stambolli.

P.S. Në postimin e radhës (nëse s’më ndryshon disponimi), do t’i rekomandoj kryeministrit Kurti se cilët ministra duhet t’i largojë nga pozita dhe pse.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco