'Zajednica nuk kalon', por edhe mundet

'Zajednica nuk kalon', por edhe mundet

Nga Syri.net Kosova - 25/08/2022

Mund ta kritikojmë Albin Kurtin për plot gjëra në qeverisjen e tij, por në raport me Serbinë, edhe opozitës i kanë shteruar argumentet.

Dikur e shihnim Hashim Thaçin&CO me duar në xhepa që uleshin buzagaz përballë palës serbe e nënshkruanin  marrëveshje çkado që u servirej në tavolinë.

Nuk është vetëm pamja e negociatave që ka ndryshuar. Ka lëvizje në thelbin e tyre. Kurrë më shumë se tash nuk është folur për njohjen reciproke dhe Serbia e konfirmon në vazhdimësi presionin e shtuar që po i bëhet.

Autoritetet kosovare kanë treguar vendosmëri në dialog dhe ky fakt duhet të vlerësohet, pavarësisht se ç’mendojmë për Kurtin si kryeministër e si lider i Vetëvendosjes që dikur kundërshtonte gjithçka qoftë edhe në mënyrë të dhunshme.

Ardhja e dy të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së, tregon se sa serioze është situata dhe njëkohësisht se sa e drejtë është politika që ndjek shteti ynë në raport me Serbinë, për t’ia kthyer dinjitetin Republikës.

Serbët e Kosovës, po përdoren si mish për top nga Vuçiqi dhe po të flasësh me ta, janë të vetëdijshëm, por janë dhe të shantazhuar nga bandat kriminale që dirigjohen nga Beogradi zyrtar.

Vendimi për targat, si pjesë e vendosjes së një reciprociteti të plotë, të munguar e të keqpërdorur nga Serbia, ka krijuar tensione dhe mund të nxisë edhe incidente nga rrjetet kriminale në veriun e vendit.

Megjithatë, më e rrezikshme është vazhdimi i statuskuosë dhe lejimi i nëpërkëmbjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Është e qartë se angazhimi i Escobarit, e ka dinamizuar dialogun e njëanshëm të lehtësuar në favorin e palës serbe nga Lajçaku.

Shtimi i presionit është paralajmërim për lëvizje në dialogun e ngecur prej vitesh, ndërsa Kosova mund të detyrohet të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, një detyrim ndërkombëtar tashmë për shtetin.

Por, çdo hap pranimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa pasur më parë njohjen nga Serbia, do të ishte thellësisht i gabuar dhe do të keqpërdorej nga Beogradi.

Për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, pranimin e “Zajednicës” do të ishte një kafshatë që s’kapërdihet.

Sidoqoftë, arritja e marrëveshjes përfundimtare dhe njohja nga Serbia do ta nxirrnin Kurtin si lider historik, duke minimizuar efektin negativ të pranimit të Asociacionit.

E rëndësishme është që për dallim nga negociatorët e kaluar, Kurti i ka dalë në ballë këtij procesi, duke kërkuar me këmbëngulësi njohjen reciproke. Pa njohje, dialogu dështon.

Kompromisi është i ditur-Asociacioni.

Siç do të thoshte Albini: Nga Zajednica nuk kalon....mbërritëm te...edhe mundet që të kalojë...


 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco