Asociacioni brenda normave juridike të Kosovës nuk përbën rrezik

Asociacioni brenda normave juridike të Kosovës nuk përbën rrezik

Nga Robert Muharremi - 25/08/2022

(Opinion ligjor lidhur me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe në Kosovë)

Bazat e Asociacionit

Më 19 prill 2013, Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri i Republikës së Serbisë nënshkruan “Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve” (Marrëveshja e Parë). Me 27.06.2013, kjo marrëveshje u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare juridikisht obligative për Republikën e Kosovës.

Marrëveshja e Parë parasheh themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë (Asociacioni). Sipas marrëveshjes në fjalë, Asociacioni themelohet me statut dhe mund të shuhet vetëm me pëlqimin e komunave pjesëmarrëse. Marrëveshja parasheh edhe elementet si në vijim:

Asociacioni do të ketë strukturë organizative të ngjashme me atë të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe do të ketë Kryetarin, Zëvendës Kryetarin, Kuvendin dhe Këshillin;
Komunat pjesëmarrëse do të bashkëpunojnë mes vete përmes Asociacionit brenda kompetencave të tyre ligjore dhe në pajtim me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Komunat do të mbikëqyrin fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë si dhe planifikimit urban dhe rural.
Komunat pjesëmarrëse mund të ushtrojnë edhe kompetenca të tjera që ju delegohen nga pushteti qëndror.
Asociacioni do të ketë rol përfaqësues në raport me pushtetin qëndror dhe të jetë pjesëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete në cilësinë e vëzhguesit.

Me 25.08.2015 Qeveria e Kosovës u dakordua me Qeverinë e Serbisë për dokumentin

“Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore” (Parimet e Asociacionit). Për dallim nga Marrëveshja e Parë, ky dokument nuk u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare.

Parimet e Asociacionit përcaktojnë elementet si në vijim:

Qeveria e Kosovës do të nxjerrë një dekret, i cili do të rishikohet nga Gjykata Kushtetuese, me të cilin do të miratohet statuti i Asociacionit. Në pajtim me Marrëveshjen e Parë, qëllimi i Asociacionit është që të ofrojë shërbime publike për të

fuqizuar demokracinë lokale
ushtruar mbikqyrje të plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale
ushtruar mbikqyrje të plotë në fushën e arsimit
ushtruar mbikqyrje të plotë për të përmirësuar shëndetësinë lokale primare dhe sekondare si dhe kujdesin social
ushtruar mbikëqyrje të plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural
marrë masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetës për personat që kthehen në Kosovë
kryer, koordinuar dhe lehtësuar aktivitete të hulumtimit dhe zhvillimit
promovuar, shpërndarë dhe avokuar për çështje të interesit të përbashkët për pjesëmarrësit e Asociacionit
ofruar shërbime për anëtarët e saj në pajtim me ligjin e Kosovës
vlerësuar cilësinë e shërbimeve publike për anëtarët e saj
krjiuar marrëdhënie me asociacionet tjera komunale vendore dhe ndërkombëtare.

Lexuar saktë, këto nuk janë kompetenca të Asociacionit por qëllime, ndërsa sa i përket kompetencave, edhe vet Parimet e Asociacionit i referohen Marrëveshjes së Parë.

Parimet e Asociacionit po ashtu përmbajnë dispozita për strukturën organizative, marrëdhëniet e Asociaconit me pushtetin qëndror, subjektivitetin juridik të Asociacionit si dhe buxhetin.

Asociacioni ende nuk është themeluar sepse has në kundërshtime nga forca të ndryshme politike vendore. Asociacioni kundërshtohet kryesisht sepse perceptohet si pushtet i cili mund të rrezikojë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit duke i lejuar komunitetit serb që në një të ardhme të shkëputet nga Kosova ose të bllokojë marrjen e vendimeve të rëndësishme në nivel të pushtetit qëndror. Kundërshtimi ndaj themelimit të Asociacionit mbështetet edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO130/15 të datës 23.12.2015 ku janë konstatuar disa mospërputhje të dispozitave të Parimeve të Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Perceptimet e tilla nuk i qëndrojnë një vlerësimi objektiv, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret pjesërisht me rezervë dhe konkluzionet e e gjykatës duhet të lexohen drejtë.

Asociacioni në kontekstin politik

Themelimi i Asociacionit duhet të shikohet në kuadër të kontekstit politik të kohës kur është ratifikuar Marrëveshja e Parë. Një vështrim jashtë kontekstit nuk e adreson drejtë dhe saktë rëndësinë e themelimit të Asociacionit si veprim të nevojshëm për ruajten e integritetit territorial të Kosovës dhe shtrirjen e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor në komunat me shumicë serbe.

Pas shpalljes së pavarësisë me 2008 komunat me shumicë serbe, të koncentruara në veri të Kosovës, refuzuan të pranojnë Kushtetutën dhe pushtetin qeveritar të Republikës së Kosovës. Prishtina nuk ka qenë në gjendje të vendos rendin kushtetues në territorin e këtyre komunave. Serbet krijuan struktura paralele qeverisëse, përfshirë të sigurisë dhe të gjyqësorit dhe kështu pamundësuan kontrollin efektiv të tërë territorit të Republikës së Kosovës nga qeveria në Prishtinë. Zhvillimet kryesore që karakterizuan dinamikën politike pas 2008 ka qenë (i) vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë në 2010 që shpallja e pavarësisë nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, (ii) rezoluta e Asemblesë së Përgjithshme të OKB në 2010 për fillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE), si dhe (iii) përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur në 2012. Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit u konsiderua, ashtu siç është edhe tani, përcaktues për procesin e anëtarësimit të Kosovës dhe të Serbisë në BE. Për të ecur përpara në këtë drejtim ishte e rëndësishme që raportet mes Kosovës dhe Serbisë të normalizohen.

Marrëveshja e Parë e vitit 2013 duhet të lexohet në këtë kontekst politik. Kjo marrëveshje kërkon nga pala serbe shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë dhe të gjyqësorit si dhe pjesëmarrjen e komunave me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të organizuara nga Republika e Kosovës. Kjo nënkupton që nga serbet kërkohet që të pranojnë pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor të Republikës së Kosovës. Koncesioni i Kosovës për këtë është themelimi i Asociacionit. Me fjalë të tjera, Asociacioni është çmimi për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe shtrijen e sovranitetit të Republikës së Kosovës në territoret të cilat nuk i ka kontrolluar Prishtina.

Themelimi i Asociacionit fillimisht është kundërshtuar nga serbet e Kosovës në katër komunat veriore sepse është parë si humbje politike dhe lejim i shtrirjes së pushtetit të Republikës së Kosovës në territorin që ata e kanë kontrolluar. Pas miratimit të Marrëveshjes së Parë serbet e veriut të Kosovës kërcënonin me themelimin e “Kuvendit të Kosovës Veriore” dhe të “Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë” për të penguar shtrirjen e pushtetit qeveritar të Prishtinës në këtë territor, përfshirë edhe bllokimin e rrugëve dhe pikave kufitare. Gradualisht u shpërbënë strukturat paralele të sigurisë dhe të gjyqësorit, u vendosën policia, prokuroria dhe gjykata e Kosovës, si dhe komunat serbe u pajtuan të marrin pjesë në zgjedhjet komunale, duke njohur dhe pranuar kështu sovranitetin dhe pushtetin e Republikës së Kosovës.

Ishin disa forca politike shqiptare të cilat në vitin 2015 filluan të kundërshtojnë themelimin e asociacionit duke argumentuar që Asociacioni e rrezikon integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit, por duke injoruar që ishte premtimi për themelimin e Asociacioni ajo që i bëri serbët të pranojnë pushtetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Mospërmbushja e këtij premtimi, i cili është juridikisht i detyrueshëm për Republikën e Kosovës, i jep pretekst palës serbe që të tërhiqet nga Marrëveshja e Parë dhe të rivendos strukturat paralele të sigurisë dhe të gjyqësorit, si dhe të vë në pyetje pushtetin e Republikës së Kosovës në territorin e këtyre komunave gjë që mund të përshkallëzojë në konflikt të armatosur.

Asociacioni sipas të drejtës ndërkombëtare

Themelimi i Asociacionit është detyrim juridik ndërkombëtar për Kosovën. Këtë e ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese në rastin KO130/15. Sipas Gjykatës Kushtetuese, themelimi i Asociacionit është paraparë në një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Kosovës e cila është juridikisht obligative. Gjykata Kushtetuese konstaton se Marrëveshja e Parë, e cila e parasheh themelimin e Asociacionit, është bërë pjesë e sistemit të brendshëm juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe duhet të implementohet. Gjykata Kushtetuese decidivisht konstaton se “Asociacioni/Bashkësia e komunave serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshje e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës”.

Edhe pse pala serbe nuk e ka ratifikuar Marrëveshjen e Parë, ratifikimi nga pala kosovare shpreh vullnetin juridik të saj që themelimi i Asociacionit të trajtohet si detyrim juridik ndërkombëtar. Përkundër zërave që kjo marrëveshje të mos ratifikohet, Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar këtë marrëveshje me më shume dy të tretat e votave.

Për këtë arsye pala serbe, por edhe ajo ndërkombëtare, vazhdimisht thirren në detyrimin juridik ndërkombëtar të Republikës së Kosovës për themelimin e Asociacionit dhe çdo mospërmbushje e këtij detyrimi trajtohet si shkelje e të drejtës ndërkombëtare nga Republika e Kosovës.

Kjo i jep pretekst palës serbe të ta trajtojë rivendosjen e strukturave paralele të sigurisë dhe të gjyqësorit si kundërpërgjigje të ligjshme (countermeasure) ndaj shkeljes së detyrimit nga pala kosovare. Gjatë bisedimeve në kuadër të dialogut pala serbe vazhdimisht ka argumentuar se i ka përmbushur deytrimet e saj sipas Marrëveshjes së Parë, ndërsa pala kosovare nuk i ka përmbushur të vetat pasi që ende nuk e ka themeluar Asociacionin.

Asociacioni sipas të drejtës së Kosovës

Baza juridike për themelimin e Asociacionit është Marrëveshja e Parë e ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Parimet e Asociacionit vetëm e zbërthejnë më detajisht Asociacionin, por ky dokument nuk është juridikisht i detyrueshëm për Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës e përmbush detyrimin e saj juridik nëse e themelon Asociacionin sipas Marrëveshjes së Parë. Parimet e Asociacionit mund të merren vetem si elemente indikative dhe për aq sa janë në pajtim me Marrëveshjen e Parë. Siç e ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese, Parimet e Asociacionit do të krijojnë vetëm atëherë detyrim juridik kur të pasqyrohen në statut të Asociacionit, por edhe atëherë vetëm tërthorazi sepse akti juridik relevant do të jetë statuti.

Cilësimi i natyrës juridike të Asociacionit nga Gjykata Kushtetuese është kontradiktor dhe pjesërisht i gabuar. Në njërën anë, Gjykata Kushtetuese e cilëson Asociacionin si bashkëpunim ndërkomunal në kuadër të vetqeverisjes lokale të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër ajo e cilëson edhe si organizatë në kuptimin e nenit 44 të Kushtetutës të cilës i garantohet liria e asocimit. Kjo e fundit është e gabuar sepse sipas praktikës dhe interpretimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, liria e asocimit vlen vetëm për organizata të natyrës private e jo edhe për ato publike (Chassagnou and Others v. France, 1999; Schneider v. Luxembourg, 2007; Slavic University in Bulgaria and Others v. Bulgaria, 2004; Köll v. Austria, 2002). Themelues të Asociacionit janë komunat si subjekte juridike të së drejtës publike dhe këto nuk trajtohen sipas nenit 44 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për këtë arsye cilësimi i vetëm i drejtë i Asociacionit është të jetë formë e bashkëpunimit ndërkomunal në pajtim me vetëqeverisjen lokale të garantuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sa i përket kompetencave të Asociacionit, pika 4 e Marrëveshjes së Parë është përcaktuese. Komunat mund të bashkëpunojnë përmes Asociacionit brenda kompetencave që i kanë sipas ligjit dhe Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Kjo e fundit zbatohet drejtperdrejtë si pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 123), ndërsa kompetencat e komunave janë të përcaktuara në ligjin për vetëqeverisje lokale. Sipas pikës 4 të Marrëveshjes së Parë, Asociacioni nuk mund të ketë më shumë kompetenca se sa që kanë komunat pjesëmarrëse sipas ligjit dhe Kushtetutës.

Sipas ligjit për vetëqeverisjen lokale, komunat veç kanë kompetenca vetanake të plota dhe ekskluzive për sa i përket interesit lokal në fushat që vijojnë:

zhvillimin lokal ekonomik;
planifikimin urban dhe rural;
shfrytëzimin e tokës dhe zhvillimin;
zbatimin e rregulloreve të ndërtimit dhe standardeve për kontrollimin e ndërtimit;
mbrojtjen e mjedisit lokal;
ofrimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve publike dhe shërbimeve komunale, përfshirë furnizimin
me ujë, kanalizimin dhe drenazhin, trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e mbeturinave,
rrugëve lokale, transportit lokal dhe skemave të nxehjes lokale;
përgjigje ndaj rasteve emergjente lokale;
ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trainimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit;
promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut
ofrimin e përkujdesit publik primar shëndetësor;
ofrimin e shërbimeve familjare dhe shërbimeve të tjera të mirëqenies sociale, siç është përkujdesi për të cenueshmit, strehimin familjar, përkujdesin fëmijnor, përkujdesin për të moshuarit, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e këtyre qendrave përkujdesëse, punësimin, pagesën e rrogave dhe trainimin e profesionistëve të mirëqenies sociale;
banimin publik;
shëndetësinë publike;
licencimin e shërbimeve publike dhe objekteve, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me argëtimin,
aktivitete kulturore dhe të lira, ushqimin, strehimin, tregjet, shitësit në rrugë, transportimin lokal publik dhe taksitë;
emërimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike;
ofrimin dhe mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirës publike;
turizmit;
aktivitetet kulturore dhe të lira;
çdo çështje që nuk është përjashtuar shprehimisht nga kompetenca e tyre, apo që nuk i është parcaktuar një autoriteti tjetër.

Përveç këtyre kompetencave vetanake, komunat mund të ushtrojnë edhe kompeteca të deleguara si dhe disa komuna kanë edhe kompetenca të zgjeruara. Pra, Marrëveshja e Parë nuk i jep as komunave e as Asociacionit më shumë kompetanca se sa që veç i kanë komunat sipas ligjit.

Si pjesë e vetëqeverisjes lokale, aktet e komunave dhe të Asociacionit i nënshtrohen jo vetëm kontrollit juridik përmes procedurës administrative dhe procedurës gjyqësore, por edhe mbikëqyrjes administrative dhe të ligjshmërisë nga qeveria. Përveç kësaj statuti i Asociacionit duhet të miratohet nga Qeveria pas rishikimit nga Gjykata Kushtetuese. Pra, sistemi juridik ofron mekanizma të mjaftueshëm që Asociacioni të mos mund të uzurpojë kompetenca të cilat nuk janë të nivelit komunal dhe pjesë e vetëqeverisjes lokale.

Gjykata Kushtetuese në asnjë formë nuk është shprehur që Parimet e Asociacionit, apo vet

Asociacioni, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Përkundrazi, Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar që Asociacioni duhet të themelohet. Gjykata Kushtetuese po ashtu nuk ka thënë që pjesë të Parimeve të Asociacionit janë në kundërshtim me Kushtetutën, por ka zgjedhur formulimin “nuk plotësojnë tërësisht standardet kushtetuese”. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese ka ardhur në këto përfundime:

Objektivat e Asociacionit, ashtu siç do të definohen në statut, duhet të garantojnë standardet kushtetuese për vetëqeverisje lokale lidhur me përgjegjësitë e komunave pjesëmarrëse. Objektivat duhet të sigurojnë përgjegjësinë e komunave pjesëmarrëse për ta respektuar Kushtetutën dhe ligjet dhe nuk duhet të anashkalojnë ose shmangin rishikimin administrativ nga autoritetet qëndrore;
Stafi i Asociacionit nuk duhet të konsiderohet patjetër pjesë e shërbimit civil
Asociacioni nuk mund të ketë autoritet të plotë dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb në Kosovë
Asociacioni mund të bëhet anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete, por nuk ka të drejtë të inicojë ligje dhe mund të fillojë procedura gjyqësore në Gjykatë Kushtetuese vetëm për aq sa këtë e lejon neni 113 i Kushtetutës
Buxheti dhe financimi i Asociacionit duhet të jetë sipas nenit 124 të Kushtetutës.

Kur lexohet me vëmendje aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, del qartë që gjykata i formulon gjetjet e saj si udhëzime se si duhet të përpilohet statuti i Asociacionit, duket theksuar se Asociacioni duhet të themelohet sepse është detyrim juridik, por duke i interpretuar dispozitat e Parimeve të Asociacionit në pajtim me Kushtetutën. Kjo pasqyrohet edhe në vet Parimet e Asociacionit, ku shprehimisht shkruan se Asociacioni do të themelohet sipas Marrëveshjes së Parë, Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe sipas ligjeve të Kosovës, që përfshin edhe Kushtetutën.

Konkluzion

Themelimi i Asociacionit jo vetëm që është detyrim juridik ndërkombëtar i Republikës së Kosovës por ka qenë dhe mbetet politikisht i rëndësishëm për shtrirjen e sovranitetit dhe pushtetit qeveritar në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Mosrespektimi i këtij detyrimi i jep palës serbe pretekst juridik dhe politik për të sfiduar shtrirjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës në komunat me shumicë serbe.

Themelimi i Asociacionit sipas Marrëveshjes së Parë dhe në pajtim me udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese garanton që Asociacioni të veprojë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës për vetëqeverisje lokale dhe nuk rrezikon krijimin e ndonjë forme tjetër të pushtetit që mund të cenojë funksionimin e institucioneve të Kosovës. Sistemi juridik i Kosovës ofron mekanizma të mjaftueshëm që të sigurohet që Asociacioni të veprojë brenda ligjit dhe nën mbikëqyrjen administative dhe juridike të qeverisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco