Barazia gjinore dhe të drejtat e grave përmes edukimit

Barazia gjinore dhe të drejtat e grave përmes edukimit

Nga Avni Puka - 22/08/2022

Përtej reflektimit e debatit, po prezantoj një kontribut mbi barazinë gjinore dhe të drejtat e grave përmes edukimit: derisa në ditët e fundit në Kosovë, këto tema kanë qenë të aktualizuara në media dhe rrjete sociale!

Për shkak të rëndësisë që kanë, është e domosdoshme që të adresohen me veprime konkrete dhe serioze nga institucionet përgjegjëse, dhe jo vetëm. E kjo të jetë prioritet i vazhdueshëm.

Nuk duhet shumë argumentim, për të konkluduar se gjendja aktuale nuk është aspak e mirë! 

Për aq sa është ne kompetencat tona (nga perspektiva akademike), në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës:

- Në Plan programin e ri (i cili është draftuar me reformën që kemi bërë në vitin 2022), ndër të tjera është përfshirë si lëndë e veçantë " E Drejta e Barazisë Gjinore";

- Gjithashtu, programi i reformuar i Fakultetit Juridik (UP), parasheh aplikimin e klinikave ligjore (sipas një modeli të avancuar të “Live Clinic” apo kryerjes së shërbimeve juridike falas/pro bono nga ana e studentëve, nën mbikëqyrjen e profesorëve, zyrtarëve të ANJF, avokatëve, etj.), e njëra nga klinikat është edhe “Klinika për të Drejtat e Njeriut” (ku si fokus kryesor do të jetë: barazia gjinore, mbrojtja nda diskriminimi, mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje, etj.);

- Në programin e ri master në gjuhë angleze “Master on Human Rights, International Criminal Law and Transitional Justice” si lëndë e veçantë është përfshirë “Barazia dhe Mosdiskriminimi/Equality and Non-discrimination” (sikurse edhe lëndë të tjera që në përmbajtjen kanë trajtimin e të drejtave të grave, dhunën në familje, dinjitetin njerëzor, etj.). Ky Program tani është në proces të akreditimit dhe në secilin kurs, përveç profesorëve të fakultetit juridik, do të ketë edhe nga një bashkë-profesor nga fakultetet/universitetet me të mira (kryesisht nga fakultetet juridike të universiteteve në Evropë dhe Britani të Madhe);

- Në kuadër te programeve të veçanta te certifikimit të studentëve: nga viti 2021 është organizuar programi "Dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje" ku në dy vite kanë marrë njohuri të thelluara dhe janë certifikuar rreth 50 studentë të juridikut;

- Nga viti akademik 2022/2023 do të fillojmë edhe me Programin e veçantë të certifikimit "Barazia Gjinore dhe Mbrojtja nga Diskriminimi".

Tani e tutje, përmbajtjet si me lartë, do të jenë pjesë e programit dhe aktiviteteve të përhershme të Fakultetit Juridik (që fatkeqësisht, nuk kanë qenë të trajtuara/përfshira me herët në programin e shkollës juridike kosovare), sikurse edhe afirmimi i disa nismave tjera që kanë për qëllim promovimin e barazisë gjinore! 

Kjo është ajo që kemi bërë në dy vitet e fundit, dhe do të vazhdojmë me prioritet të avancojmë këto tematika nga perspektiva akademike! 

Shtetit i takon shumë me shumë!

Avni Puka, Dekan i Fakultetit Juridik (UP)

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco