Siguria Kombëtare e Shqipërisë dhe një kryeministër troll i rrjeteve sociale

Siguria Kombëtare e Shqipërisë dhe një kryeministër troll i rrjeteve sociale

Nga Ilda Zhulali - 21/08/2022

Në vitin 2014 u miratua Strategjia e Re e Sigurisë Kombëtare e Republikës së Shqipërisë. Si rregull, ky dokument do të duhej të rishikohej/përditësohej pas 5 vitesh.

Si rregull, ky dokument do të duhej të gjente zbatimin më të rreptë e skrupuloz, përfshirë edhe detyrimin e Kryeministrit për raportim vjetor përpara Kuvendit të Shqipërisë. Dokumenti u harrua, dhe bashkë me të edhe detyrimi për të rishikuar STRATEGJINË e sigurisë KOMBËTARE, e aq më pak detyrimi për të raportuar përpara Kuvendit.

Asgjë nuk ndryshoi as pas Samitit të NATO në Madrid, kur u miratua koncepti i ri strategjik i Aleancës. Shqipëria, vend anëtar, do të duhej të reflektonte menjëherë në strategjinë e saj të sigurisë kombëtare të gjithë elementët e rinj, përfshirë prioritetet në kushtet e mjedisit të ri të (pa)sigurisë europiane dhe rajonale të krijuar prej agresionit rus kundër Ukrainës.

Gjatë ditëve dhe javëve që pasuan 24 shkurtin, mediat kombëtare dhe ndërkombëtare u bënin jehonë mbledhjeve të shumta që zhvillonin qeveritë e vendeve europiane, dhe seancat e posaçme që ato zhvillonin në parlamentet e tyre mbi kursin e ri që do të ndiqej në politikën e brendshme dhe të jashtme të çdo vendi për t’iu përgjigjur kësaj situate. Kurse në Shqipëri, i vetmi hap u ndërmorr nga Presidenti, i cili thirri dy herë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ndërsa sot opinioni publik mbetet krejtësisht i çoroditur nga dy ngjarjet që pasuan njëra tjetrën në uzinat e Gramshit dhe Poliçanit, Kryeministri mjaftohet me disa cicërima që më shumë kanë shenjestër kundërshtarin e brendshëm politik se sa vetë autorët, shtetas të vendit që NATO e ka përkufizuar si “kërcënimin më të madh të drejtpërdrejtë”, Rusinë.

Kryeministri do të duhej që të shuante ankthin e qytetarëve që qeveris, duke komunikuar si njeriu që mban përgjegjësinë më të lartë ekzekutive në vend, dhe jo si një troll mediash sociale që mund t’ia lejojë vetes edhe rolin e inspektorit Gadget.

Ajo që dihet është që Kryeministri nuk ka asnjë strategji për të përballuar çfarëdolloj situate, sikurse e dëshmoi me rastin e tërmetit, apo vjedhjes spektakolare të përsëritur në aeroportin Nënë Tereza.

Ajo që gjithashtu dihet është se shqiptarët, gjithsesi, flenë më të qetë në mbrëmje, qyshse ata i ruan Neni 5 i Traktatit të NATO. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco