Në prag të luftës së madhe diplomatike me Serbinë

Në prag të luftës së madhe diplomatike me Serbinë

Nga Dren Dushi - 09/08/2022

Mobilizimi i ushtrisë, një nga veprimet më të lashta dhe më të frikshme të historisë së mbretërive, tashmë shteteve, do kërkohej nga Presidenti Vuçiq dhe Kryeministrja Ana Brnabiq.

Titujt kryesorë të protaleve serbe, nga Beogradi në Nish, do gjasonin me një shpërndarje lajmesh se Serbia tashmë po bëhet gati për intervenim në “Metohi”, fjalë si “Shtabi i Ushtrisë”, “Gjeneral-shtabi”, “Forcat e armatosura”, “Mobilizimi...”, do emocionojnë shumë serbë nacionalistë, sidomos ata që mund të kenë qenë duke shijuar rakinë e njohur. Lajmet e mbrëmjes në televizionet më të mëdha serbe do vazhdonin të njejtat tone, fytyra liderësh serbë të Ballkanit, ku natyrisht, nuk do mungonte asesi fytyra e njohur konfliktuoze, e gatshme për luftë në çdo çast, Aleksandri “i madh”, Vulin.

Por nuk mbaron me kaq, telefonatat e Beogradit zyrtar drejtuar akterëve global, sigurisht, për t’i informuar ata se “ç’marëzi” bënë shqiptarët, që kërkuan reciprocitet. Si mund të kërkojnë  reciprocitet shqiptarët? A nuk janë shqiptarët një kombësi inferiore? A nuk janë shqiptarët një racë jo e barabardë në mesin e kombeve të qytetruara, të cilët Presidenti i Presidentit të tanishëm serb, do tentonte t’i zhdukte para rreth dy dekadave? Ç’ka ndodhur kështu? Bota duhet lajmëruar për “ç’mendurinë” e Kryeministrit të Prishtinës, Albin Kurtit, por duhet lajmëruar sidomos ish i dërguari për ndërmjetësim të dialogut Beograd-Prishtinë, Ambasadori Richard Grenell.

I tronditur se si një vend kaq i vogël si Kosova, mund të prodhojë një njeri me dije të mëdha si Kurti, Ambasadori Grenell që kishte menduar se fuqia e shtetit që përfaqëson, që për fatkeqësinë e tij, përfaqësonte edhe Administratën më skandaloze që ka parë SHBA-ja, edhe sipas standardeve të studiuesve të shkencës politike, do t’i jepte të drejtë në secilën agjendë të përcaktuar nga autoriteti i Presidentit Trump, pavarësisht interesave të Kosovës, thjesht, duhet bërë një marrëveshje. E nëse nuk bëhet, rrëzohet Qeveria në Kosovë, zgjedhim një të dëgjueshëm e pa mendim gjeopolitik si Avdullah Hotin, dhe ecim tutje. Por... Sigurisht që Ambasadori Grenell mban një mëri me Kryeministrin Kurti, meqë ndonëse me gjithë atë fuqi disproporcionale, sot Albin Kurti është akter i fuqishëm gjeopolitik në Ballkan, me lidhje të fuqishme në Evropë dhe Amerikë, teksa Ambasadori Grenell është një humbës në
Amerikë, Evropë, dhe sidomos Kosovë, ndonëse është mik në Serbi.

Por kjo nuk do e pengonte Beogradin të thirrte ushtrinë, e ta bënte mobilizimin për çdo rast, meqë po ndodhë hataja pra, reciprociteti, nga Kryeministri Kurti, që morri të njejtat vlerësime si të Beogradit, si të ish Ambasadorit Grenell. Ky i fundit, shprehi indinjatën, hatrin që ka me Kurtin, madje bëri thirrjen për kthimin e skemave të Hashim Thaçit, me Baton Haxhiun mbi harta, dosjet shantazhuese të Hagës, dosjet e BND-së, dosjet e oponencës në Kosovë. “Shihni ç’po na bën ky njeri (Kurti) pa dosje, ky majtist radikal”, shpërfaqte kjo logjikë arrogante.
Por, si reagimet e Beogradit, si të Grenellit, janë shprehje e humbjes, e disfatave gjeopolitike, meqë, SHBA zyrtarisht mbështeti Kosovën për vendosjen e reciprocitetit, anipse për shkaqe (vetëm) të shmagies së nevojës për të përdorur dhunë të KFOR-it e Policisë në Veri, u shtye vendimi për një muaj. Po të njejtën mbështetje dha (kishte dhënë) edhe Evropa, ndonëse nga parti politike në krizë të Kosovës, propaganduan të kundërtën pa takt, u tha se nuk kishte bashkërendim veprimesh Kosovë-Perëndim, u gënjye duke bërë një dëm në diplomaci.
Serbia me reagimin e saj të tepruar, fitoi një muaj, por qasja e reagimeve të tepruara, po vazhdon, dhe ç’farë do të thotë kjo?

Në pikëpamjen e ndodhive të vitit 1999, kur Serbia shprehte arrogancë force dhe sfidonte NATO-n, i bie se këto sjellje të diplomacisë serbe, me fjalë të mëdha e muskuj të vegjël, meqë sikur nuk po e kupton elita politike në Beograd se vetëm mendësinë e kanë si të Rusisë e Kinës, jo fuqinë, do jetë një dështim dhe turpërim me 1 shtator, askush se ndalë Kosovën në luftën e saj për dinjitet reciprok. Dëshpërimi është rritur edhe me faktin se Rusia, po fundoset në Ukrainë, po vret ekonominë dhe ushtrinë e saj, teksa Serbia e ka të pa mundur ta shantazhoj Evropën pa një Rusi të fuqishme, aq më pak të kërcënoj misionin e NATO-s në Kosovë.

Dëshpërimi i tërë kësaj ngjarje shfaqet edhe nga deklaratat e fundit defetiste se nuk ka shpresë nga dialogu i muajit Gusht. Si duket, këtë radhë Kurti ka bërë një lëvizje avanci, dhe kjo lëvizje është pranuar nga “rregullatorët”.

  • Ç’të bëj Serbia në këto rrethana?

Strategjia është e dukshme. Presidenti Vuçiq do të krijoj përshtypjen se Serbia është përplasur për muri, reciprociteti është kafshatë që s’kapërdihet, ose duhet pranuar realitetin e ri, ose duhet bllokuar integrimet në BE, ose duhet sulmuar misioni i NATO-s në Kosovë duke e bërë mobilizimin ushtarak. Sigurisht, që kjo e fundit është vetëm një lojë koti e politikës së Beogradit, meqë ata nuk kanë as kapacitetet, e besa as nivelin e nevojshëm të idiotësisë për një akt të tillë, kanë vetëm deklaratat e ashpra, dhe Vulinin “e madh” agresiv që gjason me një kryetar toge mesjetare.

Si rrjedhojë, Serbia do bllokoj procesin e dialogut me Kosovën, dhe do tentoj të blej kohë sa më shumë, në strategjinë e tyre esenciale është që: 1. Administrata Biden duhet të bie dhe kthehet Grenell-i e Avdullah Hoti. 2. Qeveria Kurti si pasojë, duhet të bie e defunksionalizohet (të shpallet terroriste mbase). 3. Të kthehen strukturat që kishin pranuar Asociacionin me kompetenca ekzekutive. 4. Të kthehet korrupsioni në Kosovë dhe vazhdoj de-popullimi përmes emigracionit. Kjo strategji, që natyrisht ka shumë detaje tjera, ka periudhë 5+ vjeçare në arkivat e akademisë dhe shërbimeve serbe. Për këtë strategji ka financim edhe përbrenda, analistë e media që me e pa vetëdije bëjnë pjesë në korrin e ekstraktivitetit shtetëror të kaosit ku janë përshtatur si qenie jo-politike. Tërë kjo mund të nisë brenda 2-3 vitesh, dhe këto vite duhet t’i blej Serbia, duhet ta luaj një lojë diplomatike mes BE-së dhe Rusisë, dhe duhet të shfrytëzoj krizat energjetike dhe krizat tjera për të qëndruar diskret sa duhet, dhe jashtë presioneve kohore. Teksa vazhdimisht duhet mbajtur kontakte “konstruktive” me Kryeministrin Edi Rama,në mënyrë që ai të mos bëhet pengesë gjeopolitike.

Në anën tjetër, Kosova e ka punën më fragjile, meqë një tjetër ndërmjetësues si Grenell, dhe një nënshkrues si Avdullah Hoti, mund të jenë fatale për të pas tre vitesh, e si rrjedhojë, për Kosovën është esenciale e kundërta, pra ngutja për të lëvizur levat dhe rregulluar punët e sovranitetit të saj, ventualisht një marrëveshje me Serbinë, ndonëse kjo ka filluar të tingëllojë utopike.
Diplomacia e Kosovës është goditur nga brenda që kur Ministrja Donika Gërvalla ka marrë detyrën, sigurisht, që goditjet kanë qenë të koordinuara nga partitë politike të establishmentit të vjetër, mediave, por edhe përmes vetë Ministrisë duke përdorur strukturat nepotike dhe klienteliste të instaluara aty për shumë vite. Jo rastësisht, Ministrja Gërvalla ka qenë personi mbase më i atakuar në Kosovë dhjetë muajt e fundit, meqë aktiviteti diplomatik maratonik i saj, ka ndikuar që të dëmtohen projektet alla-Baton dhe alla-Hashim (shpesh duke përdorur Vlora Çitakun si person më urban e i pranueshëm).

Një riplasim i Kosovës në botë, si vend që nuk përfaqëson elita bandite që kapin shtetet, krijojnë administrata klienteliste me baza rajonale, zakonisht të pa kualifikuara, dhe skandalizon jetën brenda deri në shkallën që popullësia fillon arratinë, është një fuqizim i pozicionit në diplomaci.

E si pasojë, ndonëse njohjet strategjike të shtyera nga aleatët kanë përfunduar pothuajse, ndonjë njohje e re e shtetit të Kosovës paraqet thjesht një triumf kryesisht të brendshëm të Kosovës. Kosova duhet të vazhdoj me seriozitet të madh të riplasoj veten në botë, dhe të shfaqë me seriozitet ndryshimet e saja.
Një shtatori është disfatë serbe, ata do tentojnë të ndezin fitilin në Veri gjatë gushtit, në mënyrë që një shtatori të hiqet nga tavolina e negociatave, dhe të fillojnë negociatat për “armëpushim” në Veri. Këtë duhet t’ia bëjë me dije diplomacia e Kosovës botës, por jo vetëm me fjalë, por me mbledhje faktesh në terren dhe plasim të tyre në forma sa më profesionale.

*Autori është magjistër i marrëdhënieve diplomatike/politolog

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco