Dysheku i kalbur i Edi Ramës

Dysheku i kalbur i Edi Ramës

- 20/06/2022

Ditën e kaloi te Devolli, e në mbrëmje te Pacolli. Intermexon e pati te shtëpia e Hashim Thaçit. Me bujë kamerash lart e poshtë, në sinkron propagandistik kundër vijës qeveritare të Albin Kurtit, kryeministri i Shqipërisë, bëri spektaklin e radhës në Kosovë.

Të nesërmen, sikur asgjë të mos kishte ndodhur, buzagaz u shfaq në krah të mikëpritësit, të majtit kosovar, që ende mbetet në frymën e vërtetë majtiste, për dallim nga homologu i Tiranës, që rrëshqet sa në krahun e një oligarku, në prehrin e në tjetri.

Mbledhja e tetë e qeverive, në një hapësirë dukshëm më të ngushtë, sikur e ilustronte më së miri, se sa pick janë marrëdhëniet zyrtare mes Tiranës e Prishtinës.

Kundërshtimi i Ballkanit të Hapur nga Kosova, po e vë  në siklet Edi Ramën. Ky i fundit, nuk e fsheh për asnjë moment, entuziazmin në raport me Aleksandër Vuçiqin.

Nuk i bën përshtypje as që injoron krimet e luftës, as destruktivitetin ndaj pavarësisë së Kosovës. Thjesht, e ka lidhur fort me të dhe këtë e kupton tashmë secili.

E gjitha kjo politikë është në kurriz të Kosovës, ende e izoluar dhe në vështirësi të njohjes ndërkombëtare. I zhytur deri në fyt në korrupsion dhe në krizën ekonomike që nuk i jep dot zgjidhje, Rama si një kloun politik i rrezikshëm, nuk ia përton gafë pas gafe.

Me rëndësi, të tërheqë vëmendje, një dhunti që e ka, jo thjesht për poturet dhe sharlatanizmin që e karakterizon, por edhe për qëndrimet publike pa shije, pa vend, e të dëmshme njëkohësisht.

Në mandatin e tretë, Rama bën sikur ka merita të jashtëzakonshme në përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, por e vërteta është ndryshe.

Shumica e marrëveshjeve as që zbatohen dhe kanë mbetur në letër. Spektaklet e qeverive i mori era. A është edhe kjo e teta, e tillë, mbetet të shihet. Realiteti është i dhimbshëm.

Rama po forcon marrëdhëniet me Vuçiqin, duke shkelur mbi interesat e Kosovës.

Një Shqipëri e vendosur ndaj Serbisë, e forcon pozicionin e Republikës së Kosovës. Një Shqipëri që ndjek vijën e Beogradit, çon ujë në mullirin e armiqve të shtetësisë së Kosovës.

Me këshilltar Batonin, gju me gju me Pacollin, duke vajtuar ditë e natë për Thaçin, Rama përcjell mesazhe të qarta për opinionin kosovar. Por, edhe të gabuara njëkohësisht.

Në fakt, ai po i fut prapë hundët në punët e Kosovës në mënyrën më të keqe të mundshme. Nuk ja pat lënë mangut as Kurti duke marrë pjesë në garën zgjedhore në Shqipëri.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për protagonizëm dhe vasalizëm ndaj Serbisë, por për partneritet konkret., që ende nuk po e shohim.

A është e teta e vërteta? Me Ramën kryeministër, që ua kthen shpinën liderëve të Kosovës në tavolinat ndërkombëtare, pak si zor të besosh.

Kosova, nuk është vetëm një oazë dyshekësh e një kompanie të fuqishme, që kapitalin e ka kryesisht në sajë të shfrytëzimit të resurseve publike me ndihmën e Thaçit&CO.

Është shumë më tepër.

Rama, si duket i ka qef dyshekët, sepse shtrihet me pasion aty ku vlojnë miliardat.  

Dysheku i vërtetë i Edi Ramës qelbet fort, prej kohësh tashmë. Asgjë nuk e zhduk erën e keqe të tij.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco