Zgjidhja e vetme për Veteranët

Zgjidhja e vetme për Veteranët

Nga Dren Dushi - 19/06/2022

Nga Dren Dushi


Janë të shumtë ata që përfitojnë nga pensioni i Veteranit, të paktën shumë në raport me statistikat kredibile për UÇK-në. Sigurisht, kjo “shumësi” po të ishte e vërtetë, impakti i UÇK-së në luftë do ishte shumë më i madh. Por ndonëse me numër më të reduktuar, lufta shumë e pa barabartë e ushtarëve të UÇK-së kundër shtetit Serb, është për çdo respekt. 

Tani 23 vite më vonë, në një vend të varfër ku politizohet çdo proces, madje ku partizohet e krijohet klientelë në çdo hapësirë të financave publike, në shërbim të elektorateve, siç do bënte PDK e AAK edhe me Organizatën e Vetereranëve të Luftës, gjendemi në një problem, meqë është problem bllokimi i jetës institucionale, kaosi, ndasitë, dhuna e fyerjet, aq më shumë në prag të Liberalizimit të Vizave për Kosovën, gjë që nuk duket se po e mirëpret një pjesë e establishmentit politik të opozitës së Kosovës. 

Sidoqoftë, interpretimet për çështje politike në Kosovë kanë humbur pothuajse çdo kredibilitet, pavarësisht se ç’thuhet, nga kush thuhet, me rëndësi tashmë në një shoqëri që përballet me depresion e defetizëm, me luftë për ekzistencë, është vetëm egoja, pra si të përfitoj “unë” personalisht duke mos më interesuar asgjë. Mbi këtë bazë, dhe mbi konstatimin se Kosovës i duhet shumë Liberalizimi i vizave, një paqe sociale dhe politike, për më tepër duke marrë parasysh se Kosova akoma nuk ka centralizim dhe monopol të mjetit më esencial që e karakterizon shtetin, pra “dhunës”, zgjidhja e vetme për Veteranët është të bëhet ashtu siç thonë Veteranët, fundja, duhen respektuar por edhe duhet tu lihet në dorë përgjegjësia e kësaj ngjarje. 

Kjo do të thotë se ne duhet të rrisim pagat e tyre, pavarësisht se nga këto paga, numëri i atyre që përfitojnë si mashtrues, tejkalon numërin e ushtarëve veteranë të vërtetë, por, në emër të interesave të Kosovës, le të mbetet kjo në ndërgjegjien e të dytëve, meqë të parët, mashtruesit, dhe politikanët që mundësuan këtë si Agim Çeku&Co, nuk e kanë. Qeveria ka numërat në Kuvend, ka pra akreditimin e sovranit, por kjo nuk mjafton në këtë rast, ka momente në shoqëri, kur vullneti i sovranit duhet interpretuar. 

Ne rrisim pagën e të gjithë atyre që janë në lista, përfshirë mashtruesve, nuk ka kjo rëndësi më të madhe se paqja dhe stabiliteti në Kosovë, meqë, për fat të keq, UÇK përdoret nga këta mashtrues akoma sot 23 vite pas, për qëllime partiake dhe madje kërcënime dhe shantazhe. Taksapaguesit e Kosovës kanë përballuar dhe i kanë mbijetuar për shumë vite lloj-lloj plaçke, kemi bërë shumë politikanë milionerë për tërë këto vite, nuk bëhet kataklizma nëse i paguajmë edhe disa milionë për Veteranët e vërtetë, dhe mashtruesit nën ombrellë të veteranëve. 

Fundja, ato para, ndonëse do t’i shërbejnë potencialisht klientelave të dy-tri partive politike, edhe ashtu pa kredibilitet popullor dhe në rënie të lirë, nuk do dalin nga Kosova. Dëmi i vetëm do jetë në adresë të taksapaguesve, por kështu është më mirë për ta, pra më mirë se një eskalim i situatës, gjë që e duan me shumë zell ata që frynë listat. 

Veteranët me rritje të pagës, do jenë të kënaqur, do jenë akoma më të kënaqur edhe mashtruesit që do përfitojnë, por nuk do të jenë të kënaqur politikanët që deshën ta bëjnë këtë kauzë të tyre, ata ç’është e vërteta do dëshpërohen. Do dëshpërohen sepse kështu nuk do arrijnë të materializojnë politikisht një ngjarje si kjo, do dëshpërohen sepse nuk do pengojnë kështu Liberalizimin e Vizave të cilin nuk mund ta shpallin si meritë të tyre, do dëshpërohen sepse, pas tre vitesh, mund të kemi edhe pjesërisht pastrim listash. Pjesërisht sepse nuk ka Gjykatë në Kosovë që mund të gjykoj UÇK-në, UÇK-në mund ta gjykoj vetëm UÇK, ky është realiteti, jo domosdoshmërisht idealja e rendi. 

Arsyeja përse mund të kemi pastrim të pjesshëm listash, është pikërisht sepse; duke u rritur pagat e Veteranëve, ata mund të bëhen më bashkëpunues me Qeverinë, dhe të tregojnë për mashtruesit, për veteranët e rrejshëm, meqë ata janë në dijeni më së miri se kush ka qenë e kush jo në luftë. 

Si pëfrundim, i tërë ky proces, ndonëse me nivele makiaveliste, është e vetmja formë për zgjidhje, dhe kjo zgjidhje mundëson progres për ta ndriquar akoma më mirë çështjen e Veteranëve, për tu kthyer kredibiliteti i tyre, për tu bërë i ditur para të gjithë shqiptarëve vlera dhe merita e UÇK-së, por edhe për ta kaluar një test politik shumë të nevojshëm në prag të Liberalizimit të Vizave. Madje, siç po shkojnë gjërat, vështirë se do mund të ketë ndonjë formë tjetër për zgjidhjen e kësaj çështje. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco