Katër 'çuditë' e Ramës në Politico!

Katër 'çuditë' e Ramës në Politico!

Nga Genc Pollo - 15/06/2022

Edi Rama në intervistë me politico.eu justifikon refuzimin e sanksioneve europiane ndaj Rusisë së Putinit nga ana e  presidentit serb Vuçiç.

Me këto argumente: 

1- "Serbia është ndryshe nga të tjerët sepse ka lidhje historike e speciale me Rusinë".

Ky është një pohim i rremë pasi shumë shtete sllave në Ballkan si p. sh. Bullgaria ka lidhje historike e speciale me Rusinë. Edhe për Malin e Zi mund të thuhet deri diku kjo gjë. Por edhe në Europën Qendrore ka shtete sllave me një histori përgjithësisht miqësore me rusët. 

Megjithatë të tëra këto shtete kanë adoptuar sanksionet e Brukselit ndaj Serbisë. Vetëm dy janë përjashtimet: Bjellorusia e Lukashenkos dhe Serbia e Vuçiçit. Rama thotë të pavërteta (mendoj se është i ndërgjegjshëm për këtë) për të legjitimuar pozicionin e Vuçiçit. 

2- "Adoptimi i sanksioneve (të plota) nga Serbia është praktikisht i pamundur... Është vetëvrasës për ekonominë serbe". Ky është tipikisht argumenti i "njeriut të kashtës" (straw man) kur ndryshohet arbitrarisht objekti i çështjes për të dalë në një konkluzion të volitshëm. 

Sanksionet e BE nuk janë të tilla që asfiksojnë ekonominë; Shtetet në BE vazhdojnë të blejnë gaz nga Rusia; naftën e mbyllin në fund të v. 2022 e kanë bërë përjashtime nga sanksionet për shtete me vartësi të theksuar nga hidrokarburet ruse si Sllovakia, Hungaria etj. Por ka një sërë sanksionesh ekonimikisht të përballueshme që përbëjnë 97% të listës së Brukselit. Për këtë duhet vullnet e vizion politik. Vuçiçi e ka bërë të qartë pozicionin e tij; madje disa herë. Rama përpiqet t'a mbrojë me sofizma. 

3- "Nganjëherë duhet t'a durojmë tjetrin. T'a kuptojmë atë. Ndryshe nuk e ruajmë bashkësinë tonë për synime të larta. Serbia është në rrugën e duhur vetëm se duhet të ecë më shpejt". 

Këtu Rama nuk mashtron. Nëse synimi është një regjim korruptokratik ai është në elementin e vet. Dhe të Vuçiçit

4- "Presioni i tepruar i Perëndimit ndaj Serbisë është shkatërrues për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor".

Kjo po që është risi e surprizë! Se deri dje konsensusi, përfshi edhe kampin Rama retorikisht, ishte se burim destabilizimi ishte Serbia me qendrimin e saj ndaj Bosnjës e Kosovës si dhe me lidhjet e saja me fuqitë jo miqësore ndaj Europës.

Mbas agresionit të Putinit ndaj Ukrainës ky konsensus u konsolidua dhe thirrjet ndaj Vuçiç-it për ndryshim kursi u shtuan. I fundit ishte para ca ditësh kancelari gjerman në Beograd. Kjo dalje nga rreshti e Ramës është vërtet për t'u parë. 

Deri në serinë e ardhshme.

To be continued. 

P. S. Shpresoj kjo kritikë ndaj “presionit” nuk ka lidhje me trysninë e shtuar nga BE për njohjen diplomatike të Kosovës.  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco