UÇK-ja si alibi i fortë për mbulimin e dështimeve të qeverisë Kurti

UÇK-ja si alibi i fortë për mbulimin e dështimeve të qeverisë Kurti

Nga Syri.net Kosova - 13/06/2022

Polemikat për UÇK-në që nxiti një status i ministres së jashtme, po i bëjnë nder qeverisë së Albin Kurtit. Kurrë më shumë se tani, pushtetit nuk i duhet një zhvendosje e vëmendjes nga brengat kryesore të shoqërisë kosovare.

A është hall ende UÇK-ja?!

Çmimi i naftës po i afrohet 2 euroshit, gati dyfish më shtrenjtë se një vit më parë. Ngjashëm po “fluturojnë” çmimet në produkte bazike dhe shërbime thelbësore për jetën e familjeve kosovare. Inflacioni ka shënuar shifra rekord, ndërsa rritja vazhdon më hapa alarmantë.

Por, çfarë po bën qeveria e Albin Kurtit, partia e të cilit iu gëzua këto ditë përvjetorit të saj. Arsye për festë ka, sepse për tash e kanë timonin e pushtetit. Të vetëm. Pa pasur nevojë as për PAN-in.

Megjithatë, përgjigjja ndaj krizës, është dëshpëruese. Niveli i të qeverisurit-e pranojnë edhe vetë brenda LVV-së-duket zhgënjyes.

Pritjet e mëdha nuk po përmbushen as përafërsisht. Ndërsa kostoja e jetesës në Kosovë po bëhet gati e papërballueshme për pjesën dërrmuese, që jetojnë me pagë mestare rreth 400 euro, qeveria nuk po ndërmerr masa për t’iu ardhur në ndihmë.

Nismat po propozohen nga opozita, por po hasin në refuzimin e prerë të pushtetit. Që prej një vit e ca muaj, që Vetëvendosje është në pushtet, nuk ka asnjë ndryshim në politikat fiskale, asnjë investim serioz të huaj, as rritje të pagave.

Pavarësisht treguesve në të cilët thirren qeveritarët aktualë, kosovarët po varfërohen për shkak të rritjes së inflacionit.

Mijëra duan të largohen, sepse është bërë thuajse e pamundur të mbijetosh me një pagë që e ofron tregu i punës në vendin tonë.

Ballafaqimi i pushtetit me krizën, është dekurajues. Asnjë alternativë nuk po paraqitet dhe të gjitha propozimet kundërshtohen. Përfshirë edhe Trustin.

Tërheqja e një pjese të kursimeve nuk është e detyrueshme, nëse mundësohet përmes ndryshimit ligjor, por në vullnetin e kursimtarëve. Në këtë periudhë kritike, Vetëvendosja duket kategorikisht kundër, megjithatë publiku e di se edhe anëtarët e saj mezi presin të kalojë ligji, që të marrin hisen e tyre të kursimeve, siç ndodhi herën e kaluar.

Motoja “mos bëni si bëj unë, por bëni si them unë”, është shndërruar në lajtmotiv të pushtetit të ri.

Fati i madh i Albin Kurtit, në këtë përvjetor të çlirimit, kur kosovarët ende nuk janë rehat me UÇK-në, është opozitarizmi ende i dobët.

Kur Kurti qe në opozitë, arma e tij e fortë ishte rruga, sheshet, veprimi dinamik i përditshëm kundër ish-pushtetit.

Sot, arma kryesore e opozitës janë rrjetet sociale dhe disa studio të stërkonsumuara televizive. Aksioni opozitar mungon për fat të keq. Sado i ngathtë të tregohet Albin Kurti në qeverisje, sërish mbetet më i preferuar se opozitarët që ende nuk e kanë gjetur hapësirën e veprimit bindës.

Për sa kohë opozita beson se Kurtin e rrëzon shumica që ka, është e kotë të presim ndonjë ndryshim.

Sfida e vërtetë e kësaj qeverie është përballja me krizën ekonomike, ku deri tani e ka humbur fillin.

Edhe pse ka shumicën në parlament, pushteti nuk po arrin të kalojë pagën minimale dhe ligjin e pagave për sektorin publik.

Ngathtësia dhe zvarritjet, janë dëshmi e një qeverisjeje që ende nuk e ka gjetur rrugën e duhur për administrimin e pushtetit. Me këtë ritëm dhe mentalitet, Vetëvendosje mund ta ruajë vendin e parë, por nuk do të arrijë më ta marrë pushtetin e vetme, si herën e kaluar.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco