Tregimi për Kosovën e luftës dhe paqes

Tregimi për Kosovën e luftës dhe paqes

Nga Astrit Veliqi - 12/06/2022

Sot u mbushën 23 vjet që kur forcat e NATO-s pas një fushate të bombardimit 78 ditore mbi caqet serbe, hyn përfundimisht në Kosovë, ku serbët kishin shkatërruar gjithçka, duke kryer edhe mizoritë e shekullit nën petkut e planin të ashtuquajtur ‘Patkoi’ për spastrim masiv etnik.

23 vite me parë, ndodhi ajo që për shumëkënd ka qenë vetëm një ëndërr, por falë sakrificës shekullore, kjo ëndërr edhe u bë realitet, duke u çliruar përfundimisht nga çizmet e mizoritë serbe.

Dita e Çlirimit, apo e ‘Paqes’, sikur po quhet  është historike për faktin se pas një lufte të përgjakshme mes pushtuesit shekullor serb, dhe UÇK-së, me në fund ushtarët e NATO-s hynë në Kosovë duke shporrur përgjithmonë trupat paramilitare e militare të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Kosova gjatë kësaj lufte, pothuaj u shndërrua në një gërmadhë, ku serbët jo vetëm që vranë, masakruan, civilë e të pafajshëm por ata edhe dogjën dhe shkatërruan çdo gjë që ishte shqiptare dhe që fliste shqip, derisa dëbuan me dhunë gati 1 milionë kosovarë.

E kur e kujtojmë këtë ditë, pas 23 viteve, ndalemi për një moment dhe marrim frymë thellë, dhe me zë të ngjizur dhe shpesh kumbues themi: "Sa e shtrenjtë paska qenë  liria?"

E sot derisa po e festojmë këtë ditë të shënuar, shteti ynë i vogël, po nderon ata që ndihmuan, por edhe sakrifikuan edhe jetën qe ne sot të jetojmë dhe të frymojmë në Republikën e Kosovës, e cila u shpall me 17 shkurt të vitit 2008.

Por jo gjithçka lulëzoi edhe pas çlirimit, Kosova u përball me shumë sfida si të shtet-ndërtimit, ashtu edhe të integrimit, me pasiguri politike, ekonomike, kulturore,  të mirëqenies...e çka tjetër.

Madje përveç tyre, serbët edhe përkundër humbjes së turpshme, asnjëherë nuk u dorëzuar duke shpikur e montuar lloj-lloj insinuata dhe shpifje nga më të ndryshmet, në adresë të luftës por edhe të vetë krerëve të saj.

Sot derisa po festojmë, dita e çlirimit nuk e ka simbolikën e plotë dhe vulën e fitores, ngase ata që luftuan po gjykohen në Hagë me akuza të pazakonta për krime lufte.

Ish-krerët e UÇK-së të cilët u bënë pionierët e lirisë sonë, 23 vite pas luftës po mbahen prapa grilave, në Hagë, ku po akuzohen për krime lufte.

Sa e 'pështirë dhe përbuzëse' duket edhe kur ta shkruash, e lëre ta mendosh që çlirimtarët tanë që deri dje ishin ‘heronj’ sot po akuzohen vetëm pse luftuan dhe e mbrojtën tokën dhe pragun e shtëpisë tonë.

S’i mund të barazohet viktima me agresorin’, kur dihet se kriminelët që na kanë vra e masakruar ishin serbët, të cilët madje edhe pas 23 vitesh, pak e hiq i ka ‘goditur’ shpata e drejtësisë.

Por ja që kjo tashmë po ndodh, madje janë shqiptuar edhe dënimet e para ndaj ish-krerëve të veteranëve të UÇK-së.

E sot derisa u shënua kjo ditë, e cila në mungesë të çlirimtarëve, edhe ishte e zbehtë, Kosova po ndërton institucionet e saj ku ushtria jonë madje po rrugëton krah për krah në misionet paqeruajtëse të NATO-s.

E kur jemi të shteti dhe integrimi, Kosovën edhe kjo ditë e gjen të izoluar si një ‘geto’ brenda kontinentit evropian, pa liberalizim dhe duke synuar që përmes një dialogu të arrihet një marrëveshje finale me ata që para 23 vitesh ishim në luftë, Serbinë.

Koha nuk kthehet pas, sikurse edhe historinë dhe tregimin e lavdishëm për Kosovën nuk mund ta rishkruaj askush, madje as ata që nuk na duan, por kanë synime edhe territoriale ndaj vendit tonë, ku pas agresionit rus në Ukrainë, janë rritur apetitet sllave.

Prandaj 12 qershori, duhet të përkujtohet si dita e lirisë dhe shpresës së madhe, ku rrëfimi për Kosovën duhet të përcillet brez pas brezi me narracionin e një tregimi mes dhimbjes apo luftës dhe çlirimit apo paqes së ëndërruar ndër shekuj.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco